Ndërlidhjet

STATUSI DO TË ZGJIDHET KUR GJERMANIA E KRYESON BE-NË


Zijadin Gashi

Qeveria gjermane pret që statusi i Kosovës të zgjidhet gjatë mandatit të kryesimit të Bashkimit Evropian nga ana e Gjermanisë, ka thënë sot në Prishtinë, drejtori politik në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Michael Schaefer. Pas një takimi që zhvilloi me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, diplomati Schaefer tha se BE-ja mbështet fuqishëm misionin e Ahtisaarit dhe pret një përmbyllje të suksesshme të procesit. “Shpresojmë se do të ketë ofrim të pozicioneve të të dyja palëve, në mënyrë që Ahtisaari të jetë i gatshëm që gjatë muajit të ardhshëm, të dorëzojë propozimin e tij në Këshillin e Sigurimit, ku edhe do të nxirret Rezoluta e re për Kosovën”, tha Schaefer. Në Këshillin e Sigurimit, të gjitha vendet anëtare do të gjykojnë substancën e propozimit dhe do të jetë e domosdoshme që të vijë deri te vendimi, tha Schaefer. Deri atëherë, sipas tij, do të ishte e pamatur që të paragjykohet se cili do të jetë vendimi i Këshillit të Sigurimit apo cili do të jetë qëndrimi i Rusisë lidhur me statusin e Kosovës, ku më së shpeshti paraqiten dilemat. “Ne shpresojmë që Këshilli i Sigurimit do ta përkrahë pakon e Ahtisaarit, e me këtë edhe Rusia gjithashtu”, u shpreh Schaefer. Ajo që tash dihet, sipas tij, është se Kosova do të jetë unike dhe nuk ka opsion të copëtimit territorial të saj. Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se pret që procesi të ecë edhe më shpejt, në mënyrë që Kosova të jetë një vend i pavarur dhe si i tillë, të vazhdojë rrugën drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimeve evropiane. “Biseduam edhe për aspekte të tjera të zhvillimeve që kanë të bëjnë me favoret që i bëhen procesit, sidomos me pjesën e punëve dhe detyrave që duhet të ushtrojnë institucionet e Kosovës në realizimin e objektivave të tyre. Po ashtu, edhe për pjesën e standardeve, që janë përkushtim i vazhdueshëm, për periudhën e tranzicionit, që do të jetë një periudhë e dëshmimit për institucionet e Kosovës, duke pasur po ashtu një konsideratë të veçantë për qasjen jashtëzakonisht konstruktive, që kemi pasur mbi pozitën e minoriteteve në Kosovë”, tha Sejdiu. Drejtori politik në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Michael Schaefer ka takuar më pas dhe udhëheqësit e përfaqësuesit tjerë të Kosovës, ku procesi i vendimmarrjes për statusin, ishte tema qendrore e bisedimeve. Po në lidhje me procesin e statusin, shefi i delegacionit të Kosovës në takimet e dy ditëve të kaluara në Vjenë, Veton Surroi tha sot, me t’u kthyer në Prishtinë, se pala kosovare i është përmbajtur agjendës së Ahtisaarit dhe ka kërkuar që në pakon e tij, të bëhen vetëm disa korrigjime e sqarime, por jo ndryshime ne esencën e marrëveshjes. Ndërkaq pala serbe, sipas tij, është përpjekur që ta kthejë procesin në vitin 1999 ngjashëm me Rambujenë, çka sipas tij, e ka pamundësuar çdo harmonizim të mundshëm ndërmjet palëve në bisedime. “Nga Beogradi kemi pasur një qasje krejtësisht tjetër. Është bërë përpjekje si në Rambuje, që të sillet një pako krejtësisht tjetër, një pako e cila niset prej premisës se Kosova do të jetë krahinë autonome e Serbisë, se duhet t’i nënshtrohet Kushtetutës së Serbisë, atëherë krejt kjo pako bëhet e pavlefshme”, tha Surroi. Ajo që ditëve të ardhshme pritet të ndodhë në bisedimet e Vjenës, sipas Surroit, është tendenca e vazhdueshme e Beogradit që Kosovën ta trajtojë si pjesë të Serbisë, dhe kundërshtimin e vazhdueshëm të palës kosovare që nuk dëshiron të diskutojë për çështjet e së kaluarës. Me fjalë tjera, u tha se delegacioni i Kosovës pret që konsultimet të përmbyllen sa më shpejt dhe t’i lihet mundësia Ahtisaarit që propozimin e tij final, t’ia adresojë Këshillit të Sigurimit. Me këtë, Prishtina pret që vendimi përfundimtar të jetë për një Kosovë të pavarur, ku do të ketë edhe një prani civile e ushtarake ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG