Ndërlidhjet

HARADINAJ: SHKOJ ME DIJENI SE DO TË BËHEMI SHTET I PAVARUR DHE SOVRAN


Albana Isufi

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Agim Çeku shprehen sot bindjen, se kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Hagë do të dëshmojë pafajësinë dhe pastërtinë e luftës së UÇK-së. Presidenti Sejdiu çmoi rolin që Haradinaj ka luajtur në stabilitetin e koalicionit qeverisës. “Haradinaj tash ka një rrugë dhe do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës në Tribunalin e Hagës. Ne e çmojmë përkushtimin e tij, që të kontribuojë edhe në këtë proces, natyrisht me seriozitetin që ka, duke ndjerë dhe dëshmuar pafajësinë e tij në këtë proces, që ka filluar në një kohë të mëhershme. Natyrisht, në një kohë shumë të shkurtër, në kuptimin e mbarëvajtjes së këtij procesi dhe të dëshmimit të pafajësisë së tij, të kthehet në Kosovë dhe të kontribuojë në rrjedhat e mëtejme”, tha Sejdiu. Ndërsa, kryeministri Agim Çeku ka thënë se Haradinaj ka qenë një zë i fuqishëm në koalicionin qeverisës, zë ky që, sipas Çekut, do të mungojë, përderisa ndaj Haradinajt të jetë duke u zhvilluar procesi gjyqësor. “Jam i bindur se kjo mungesë do të jetë e shkurtër, e përkohshme dhe Haradinaj bashkë me shokët e tij do ta fitojë edhe këtë betejë, do ta dëshmojë pafajësinë e tij dhe të shokëve të tij, por edhe pastërtinë e luftës sonë çlirimtare. Ne do t’i qëndrojmë pranë dhe urojmë që sa më shpejt të kthehet këtu, ku edhe e ka vendin”, tha Çeku. Ndërsa, vet Haradinaj në një fjalim dërguar mediave, ka thënë se në Hagë shkon me plot vetëbesim se drejtësia do të mbizotërojë. “Po shkoj të them të vërtetën dhe asgjë më shumë", ka thënë në fjalimin e tij ish-kryeministri Haradinaj. Pas takimit të përbashkët me presidentin, kryeministrin dhe kryeparlamentarin, Haradinaj ka thënë se shkon në Hagë me besimin se Kosova shpejt do ta fitojë pavarësinë. ”Unë kam pasur dëshirë të shkoj me vendim të marrë për pavarësinë e Kosovës. Mund të them se jam në dijeni dhe besoj se ai vendim do të vijë shpejt, kështu që jam mirë në këtë drejtim. Kur të shkoj, kam dëshirë ta shoh Kosovën që ec sa më mirë sepse besoj në lidershipin e Sejdiut, në udhëheqjen e Ekipit të Unitetit dhe të kryeparlamentarit. Falenderoj edhe liderët e opozitës për rolin e tyre në një proces që është nacional. Natyrshëm, u kam thënë më herët se po shkoj në një pushim, po shkoj edhe njëherë dhe uroj që së shpejti të jemi bashkë”, tha Haradinaj. Presidenti Fatmir Sejdiu beson se edhe pas shkuarjes së Haradinajt në Hagë, koalicioni qeverisës do ta vazhdojë punën e tij, ndërsa në procesin e statusit dhe zbatimin e marrëveshjes së statusit, do të përfshihen të gjitha palët, që edhe tani janë në proces. “Për ne është shumë me rëndësi që të vazhdojmë këtë qeverisje stabile, është interes i Kosovës”, tha Sejdiu. Por, kryeministri Agim Çeku pas një takimi që ka pasur me shefin e UNMIK-ut Joachim Ruecker, nuk e ka përjashtuar mundësinë e krijimit të një qeverie te re pas statusit. “Mendoj se më e rëndësishmja është, që ne të kemi stabilitet institucional. Do të thotë ta garantojmë këtë stabilitet institucional, dhe do të kemi shumë punë për të bërë në implementimin e marrëveshjes për statusin apo të rezolutës së re, në aprovimin, miratimin dhe implementimin e tyre në terren. Nëse partitë politike dhe Parlamenti i Kosovës e shohin një gjë të arsyeshme, unë do ta përkrah atë”, tha Çeku. Ndërsa, Ramush Haradinaj beson se do të ruhet kohezioni i Qeverisë. Pas takimit me shefin e UNMIK-ut, Haradinaj ka shprehur bindjen se do të ruhet uniteti në procesin e përcaktimit të statusit. Duke folur për protestat e 10 shkurtit, ai ka bërë thirrje që të arriturat e deritashme mos të rrënohen. ”Është shumë vështirë të ndërtojmë dhe ndërtimi asnjëherë nuk është perfekt. Në të njëjtën kohë, është shumë lehtë të rrënojmë. Njerëzit mund të rrënojnë shpejt, por është e padrejtë të rrënohet. Ne jemi në vendin tonë dhe duhet të ndërtojmë. Mund t’i përmirësojmë ato që i kemi ndërtuar, mund t’i zhvillojmë më tej, mund t’i përsosim, por nuk ka askush të drejtë të rrënojë në Kosovë”, tha Haradinaj. Ai nga Kosova do të largohet këtë të dielë, për t’u paraqitur në Tribunalin e Hagës më 26 shkurt, një javë para fillimit të procesit gjyqësor, më 5 mars. Ai është liruar përkohësisht nga Tribunali, nën masa të mbikëqyrjes nga administrata ndërkombëtare, dy muaj pas ngritjes së aktakuzës, në mars të vitit 2005.
XS
SM
MD
LG