Ndërlidhjet

HASANI: TAKIMI I ELEFANTËVE-TAKIM SPEKTAKULAR


Ismail Hasani, profesor universitar në Norvegji

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, raundi i parë i konsultimeve nuk i ka afruar qëndrimet e Kosovës dhe Serbisë lidhur me pakon e propozimit të Ahtisaarit. A mund të priten lëvizje deri në fund të këtyre konsultimeve?

ISMAIL HASANI
Mendoj se edhe zyra e Ahtisaarit, edhe faktorët e tjerë të invovluar në këtë proces shumë të ndërlikuar, pas propozimit të pakos që dha Ahtisaari, kanë qenë të vetëdijshëm se do të ndodhë kjo. Domethënë, nuk ka asgjë të re që ka qëndrime diametralisht të kundërta të të dyja palëve. Ajo që për palën kosovare është e favorshme, mendoj se qëndrimet e tyre nuk janë larg, domethënë janë shumë të përafërta me qëndrimet e zyrës së Ahtisaarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe për realizimin e projektit për Kosovën-shtet të pavarur. Në këtë aspekt, unë mendoj se nuk pritet përafrimi i qëndrimeve. Të pakëtn nga takimi që u mbajt, ka sinjale se është prezent radikalizimi dhe do të thosha kushtimisht, edhe militarizimi i krejt palës së Serbisë, në aspektin e asaj që ata përsëri insistojnë në inaugurimin e gjuhës përjashtuese.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në këtë plan, cili mund të jetë momenti i thyerjes së shtizave ndërmjet delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit në këto konsultime?

ISMAIL HASANI
Është normale që mendoj se në këtë proces, nuk bisedohet për gjërat të cilat janë kapitale. Pakoja e Ahtisaarit, sa u përket gjërave kruciale, është e pandryshueshme. Këtë, edhe Beogradi edhe Prishtina e dinë, e edhe faktorët e tjerë të involvuar në këtë proces. Thyerja e shtizave mund të ndodhë në atë që pala kosovare e ka bërë si koncesion, kur është fjala për decentralizimin, përfshirë edhe ofertat dhe lëshimet që janë bërë me monumentet kulturo-historike të Kosovës. Domethënë, këtu mund të ndodhin gjëra të cilat mund ta acarojnë dhe mund ta ashpërsojnë edhe qëndrimin e palës kosovare, sepse lëshimet deri në pafundësi nuk nënkuptojnë dialog korrekt, dhe ato inaugurojnë në një mënyrë gjuhën përjashtuese të vetë takimit, që do të ishte fatale për vetë procesin.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke pasur parasysh prognozat e këqija, thënë kushtimisht, lidhur me mundësinë e afrimit të qëdnrimeve, cili mund të jetë funksioni i takimit të nivelit të lartë, që është paralajmëruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Vjenë, në kuadër të këtyre konsultimeve?

ISMAIL HASANI
Unë mendoj se nuk ka takim të elefantëve më. Domethënë, pas asaj që Ahtisaari e prezantoi pakon me sugjerimin se ajo mund të diskutohet dhe u ofrohet palëve si koncesion, që të japin sugjerimet dhe vërejtjet e tyre xhentëlmene në pako, mendoj se takimi, nëse ndodh, i elefantëve, ai mund të jetë më shumë takim spektakular, për të organizuar më shumë një takim të natyrës protokollare. Ndërkaq, nuk shihet ndonjë efekt i drejtpërdrejtë apo i ndikimit të të ashtuquajturve të mëdhenj, në këtë takim që paralajmërohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, zoti Hasani, cilat janë rreziqet të cilat i kanosen procesit në këtë fazë përfundimtare të tij?

ISMAIL HASANI
Tani, varet se si e shikojmë ne procesin. E konsiderojmë procesin të rrezikuar në mënyrë të njëanshme, që në rastin konkret paralajmërimet janë se Serbia pretendon ta zhvillojë logjikën e përjashtimit në takime, të superioritetit dhe të qëndrimeve përjashtuese. Por, unë mendoj se në këtë aspekt, është me rëndësi që të merret në konsideratë qëndrimi dypalësh. Domethënë, ne kemi palën kosovare, grupin negociator kosovar, të ashtuquajtur Grupi i Unitetit, që funksionon dhe u përmbahet edhe qëndrimeve protokollare të zyrës së Ahtisaarit. Në anën tjetër, kemi qëndrimet ekstreme të palës serbe dhe unë nuk shoh asnjë mundësi që të ndodhë diçka spektakulare në këtë drejtim, nëse Serbia vazhdon edhe më tutje të këndojë këngën e vjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, çfarë mund të pritet nga Këshilli i Sigurimit në kuptimin e kohëzgjatjes së procesit të përcaktimit të statusit, domethënë prej momentit kur zoti Ahtisaari do ta dorëzojë planin e tij në KS?

ISMAIL HASANI
Në Evropën Juglindore, gjërat nuk janë të papritshme. Në këtë kontekst, unë shoh edhe mundësitë e prolongimit të datave, për arsye se faktori i involuar, përfshirë kryesisht zyrën e Ahtisaarit, është i interesuar që përfundimisht këtë proces ta çojë deri në fund dhe nëse ndodhin spostime datash. Ato janë gjëra të natyrës teknike dhe unë nuk shoh ndonjë rrezik që mund të kemi zhvendosje të krejt procesit, në instancën e fundit edhe ndonjë rrezik të mundshëm që do ta kërcënonte seriozisht procesin.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, cilat janë sfidat kryesore për implementimin e statusit, në rast se pakoja e propozimit të Ahtisaarit nuk pëson ndonjë ndryshim rrënjësor?

ISMAIL HASANI
Pala kosovare duhet të jetë e vetëdijshme, me vetë faktin që ka pranuar koncesione që janë të lidhura me decentralizimin, me mbrojtjen e monumenteve kulturo-historike, me garantimin e dyfishtë të të drejtave të minoriteteve në vendimmarrje etj. Këto janë sfida, për të cilat unë konsideroj se pala kosovare ka qenë e vetëdijshme prej fillimit. Nuk mund të presim tash që nuk mund të jemi të ballafaquar me këto probleme, sepse janë potencialisht probleme me të cilat Kosova do të përballet, dhe lidershipi kosovar duhet të mësohet të jetojë me këto vështirësi.

INTERVISTOI: RRAHMAN PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG