Ndërlidhjet

SERBËT PROTESTOJNË PËR TË RUAJTUR KOSOVËN NË SERBI


Rrahman Paçarizi

Qëllimi i protestës së nesërme të Këshillit Nacional Serb para Ambasadës Amerikane në Beograd, është për t’ia tërhequr vërejtjen bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjet që ka propozuar Ahtisaari për statusin e Kosovës, thanë sot përfaqësues të Këshillit Nacional Serb, kërkesa kryesore e të cilëve do të jetë nisja e një raundi të ri bisedimesh, në të cilin nuk do të ketë as humbës dhe as fitues, siç u shprehen ata. Një nga organizatorët, udhëheqësi i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Nebojsha Joviq, tha për radion Evropa e Lirë, se protesta mbahet para zyrës amerikane, duke pasur parasysh pikërisht qëndrimet amerikane ndaj statusit të Kosovës. “Dëshira jonë është që t’i tërhiqet vëmendja, para së gjithash Amerikës, pasi pikërisht Amerika është vendi që paraqitet si përfaqësues i interesave shqiptare dhe promovues i Kosovës së pavarur”, tha Joviq, sipas të cilit, faza përfundimtare e diskutimeve për propozimin e Ahtisaarit është momenti i fundit për të siguruar paqen në rajon, meqë sipas tij, tash nuk mbrohet vetëm Kosova, por edhe Serbia, paqja në Serbi dhe në gjithë rajonin. “Duam të dëshmojmë se zgjidhja e vetme është raundi i ri i bisedimeve, në të cilin nuk do të ketë humbës as fitues, për të pasur një paqe afatgjate në rajon”, tha Nebojsha Joviq, duke shpresuar se protesta e nesërme do të jetë masive. Milan Pavloviq, banor i pjesës veriore të Mitrovicës, tha se do të shkojë në Beograd. “Natyrisht se do të shkoj, që të përkrah veten dhe të tjerët, në mënyrë që të mbeten në Kosovë dhe të mund të jetojnë normalisht. Të flemë lirshëm dhe të mos mendojmë se çka do të ndodhë nesër”, tha Milan Pavloviq. Edhe Ivana Petroniq, po nga veriu i Mitrovicës, mendon se protesta e nesërme do të jetë dëshmi e vendosmërisë për të kundështuar planin e Ahtisaarit. “Kjo në fakt do të dëshmojë, se sa në të vërtetë, njerëzit janë të gatshëm për ta ruajtur Kosovën në kuadër të Serbisë”, tha Ivana Petroniq. Këshilli Nacional Serb, ditët e fundit, ka organizuar protesta në vendbanime të ndryshme të banuara me shumicë serbe anemabanë Kosovës, në të cilat është kundërshtuar propozimi i kryenegociatorit Ahtisaari për statusin e Kosovës, që sipas organizatorëve të protestave, e çon Kosovën kah pavarësia.

XS
SM
MD
LG