Ndërlidhjet

PRISHTINA S’PRET ASGJË TË RE RRETH DECENTRALIZIMIT


Zijadin Gashi

Pala kosovare dhe ajo nga Serbia nuk mund të arrijnë ndonjë marrëveshje për decentralizimin, thonë ekspertë të kësaj fushe në Prishtinë. Pozicionet e tyre janë krejtësisht të kundërta, andaj ngjashëm me takimet e javës së kaluar për çështje të tjera, as për decentralizimin, për çka do të bisedohet nesër në Vjenë, nuk mund të pritet ndonjë marrëveshje, thotë Arben Gashi, ekspert i çështjeve që kanë të bëjnë me decentralizimin. Ndërkohë, përfaqësues të serbëve të Kosovës, vlerësojnë se propozimi i Ahtisaarit për decentralizimin nuk i përmbush të gjitha kërkesat e serbëve të Kosovës. Mirëpo, Arben Gashi ndërkaq vlerëson, se Kosova po bën koncesione shumë më të mëdha për komunitetin serb, duke lejuar një autonomi më të gjerë në nivelin lokal, sesa që parashihet me zbatimin e decentralizimit, për arsye se synohet bërja e Kosovës shtet i pavarur. “Këtu duhet të kemi parasysh edhe faktin, se Kosova është në procesin e krijimit të shtetit. Këtu bëhen presione më të mëdha, në mënyrë që të arrihet një objektiv më madhor dhe ky koncesion, normalisht, shkon në akomodimin e grupeve etnike, apo në shtrirjen e tyre territoriale ose në autonominë e tyre territoriale, të cilën këto grupe etnike ushtrojnë mbi pjesët ë caktuara të territorit”, tha Gashi. Ndërkohë që ai vlerëson se decentralizimi është një koncesion i palës kosovare në bisedimet e Vjenës, Rangjel Nojkiq, një nga përfaqësuesit e komunitetit serb, thotë se nuk është i kënaqur as me kompetencat e nivelit lokal, as me numrin e komunave të reja me shumicë serbe të propozuara në pakon e Ahtisaarit. “Vërejtja kryesore është në numrin e komunave të propozuara në pakon e Ahtisaarit. Ne kemi bërë të qartë se kemi respektuar parimet, kur kemi propozuar formimin e komunave të reja. Është e papranueshme që Prilluzha të mos parashihet që të jetë komunë e re”, thotë Nojkiq. Ai shton po ashtu, se propozimi i Ahtisaarit nuk i ka marrë parasysh disa kërkesa të serbëve, për më shumë përgjegjësi të komunave në arsim, shëndetësi e deri te shërbimet publike. Një rol të konsiderueshëm në refuzimin e kërkesave të serbëve, sipas tij, ka luajtur dhe pala kosovare në bisedimet e Vjenës. “Shihet qartë se pala nga Prishtina ka refuzuar shumë propozime, të cilat zbatohen në shumë vende të Evropës me ngjashmëri me Kosovën, dhe kjo është një nga vërejtjet tona gjithashtu”, thekson Nojkiq. Mirëpo, Arben Gashi në anën tjetër, thotë se decentralizimi në formën se si është propozuar të zbatohet në Kosovë, më shumë ka pasur si qëllim të kënaqë interesat e komuniteteve. Ai e sheh këtë lloj të decentralizimit më tepër si një riorganizim të territoreve në Kosovë për t’u siguruar komuniteteve, përkatësisht atij serb, një vetëqeverisje në nivelin e komunave. “Pjesa e pakos e propozuar nga Ahtisaari, që merret me çështjen e decentralizimit, në fakt merret më shumë me çështjen e riorganizimit territorial me disa komuna, apo propozim-komuna me shumicë serbe, të cilat do të kenë kompetenca të shtuara dhe do të kenë autonominë e vetëqeverisjes lokale, e cila është një sferë e caktuar për vetëm këtë pjesë, dhe jo komplet me konceptin e decentralizimit”, vlerëson Gashi. Ai tërheq vëmendjen edhe në shumë vështirësi, që mund të hasë Kosova gjatë zbatimit të një forme të tillë të decentralizimit në fazat e ardhshme. “Grupet etnike kanë tendenca relativisht të mëdha. Kërkesat e tyre janë në drejtim të lidhjes me territore të caktuara jashtë skemës piramidale të vendit, dhe kjo është një problematikë. Kurse, problematikë tjetër është se klasa politike kosovare është e papërgatitur dhe nuk ka arritur të implementojë standarde të barabarta dhe të krijojë një skemë, brenda së cilës grupet etnike do të gjendeshin dhe do të akomodoheshin”, thekson Gashi. Në pakon e Ahtisaarit, është propozuar që në Kosovë të formohen gjashtë komuna të reja me shumicë serbe. Këto komuna do të kenë kompetenca dhe përgjegjësi në arsim, shëndetësi, shërbime publike si dhe në gjyqësi e polici. Po në shërbim të garantimit të të drejtave për pakicën serbe, janë propozuar edhe masa të tjera shtesë të mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, që parashihen me një aneks tjetër të marrëveshjes.
XS
SM
MD
LG