Ndërlidhjet

TRASHËGIMIA EKONOMIKE NGA ISH-JUGOSLLAVIA


Nadie Ahmeti

Me gjithë faktin se gjatë bisedimeve konsultative për çështje ekonomike nuk është arritur ndonjë marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit, ekspertë vendorë për çështje ekonomike dhe pjesëmarrës në bisedime, e kanë vlerësuar si të rëndësishëm takimin e Vjenës. Sejdi Osmani, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore “RIINVEST” dhe anëtar i grupit të ekspertëve për ekonomi në delegacionin kosovar, thotë se interesat e kosovarëve janë mbrojtur në mënyrë të argumentuar. Ai tha se në këtë takim, pala kosovare ka pranuar të marrë përsipër një pjesë të borxhit ndërkombëtar, por sipas tij, kjo do të zgjidhet me bisedime direkte me Beogradin, pas përcaktimit të statusit përfundimtar. “Borxhet që federata i ka marrë në emër të Kosovës dhe republikave të tjera të ish-Jugosllavisë, borxhe këto të cilat në një procedurë të barabartë të verifikimit të dokumentacionit të palës kosovare, serbe dhe me ndërmjetësimin e faktorit të jashtëm dhe më kreditorët e jashtëm, vërtetohet se janë borxhe të Kosovës, Kosova do t’i marrë dhe do t’i paguajë”, tha zoti Osmani. Ai pohon se gjatë takimit të fundit në Vjenë, pala kosovare ka kërkuar edhe ndarjen e pasurisë së ish-federatës jugosllave. “Serbia me rastin e ndarjes së sukcesionit me republikat tjera, e ka përvetësuar edhe pjesën e Kosovës. Kështu që, ne kemi kërkuar dhe ajo është pranuar nga Ahtisaari në dokumentin e tij, që Kosova të ketë të drejtë të marrë pjesë në ndarjen e kësaj pasurie”, thekson zoti Osmani. Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, gjithashtu thotë se kërkesat dhe argumentet e anëtarëve të Grupit Negociator nga Prishtina, kanë qenë të dëshmuara me fakte. “Kërkesat dhe argumentet e Grupit Negociator të Kosovës, kanë qenë vërtet fakte të dëshmuara. Kanë qenë fakte që mund të dëshmohen në çdo kohë e në çdo vend, dhe për këtë arsye me siguri ka qenë një punë tejet e mirë e Grupit Negociator. Në fund të fundit, nuk jemi ne ata që do të vendosin diçka, por të paktën ata që do të vendosin lidhur me këtë proces, t’i kenë këto të dhëna dhe të kenë fakte, se vërtet kërkesat e palës kosovare kanë qenë të argumentuara”, pohon zoti Gërxhaliu. Ai thotë se është iluzore të pritet ndonjë kompromis me Beogradin, aq më tepër kur, siç thotë ai, zyrtarët serbë synojnë zvarritjen e procesit. “Nuk është kurrfarë befasie, esenca dhe qëllimi i tyre është që të mos gjinden zgjidhje, por të fitohet në kohë dhe situata të prolongohet. Në fund të fundit, në qoftë se do të bëhet një analizë më e thuktë, shumë më tepër atyre u janë bërë lëshime, sesa palës kosovare. Mirëpo, esenca e tyre ka qenë vetëm të fitojnë në kohë, sepse ata nuk kanë argumente. Dhe kështu, ata dëshirojnë të zvarritet procesi dhe atë më tepër për çështje politike sesa ekonomike”, thotë zoti Gërxhaliu. Ndryshe, edhe në pakon për statusin e Kosovës, parashihet që Kosova të marrë pjesën e saj të borxhit ndërkombëtar nga Republika e Serbisë. Pjesa e borxhit të Kosovës do të përcaktohet përmes negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thuhet në marrëveshje, duke marrë parasysh parimet për ndarjen e borxhit të jashtëm, me rastin e sukcesionit për Republikën Federative të Jugosllavisë.
XS
SM
MD
LG