Ndërlidhjet

SERBIA (S’) ËSHTË FAJTORE PËR GJENOCIDIN NË BOSNJE


Albana Isufi

Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili shfajëson shtetin serb nga përgjegjësia mbi gjenocidin në Bosnje, nuk kënaq në tërësi drejtësinë, megjithatë etablon përgjegjësinë e regjimit të Millosheviqit për shkeljen e së drejtës ndërkombëtare publike. Sipas kryeministrit, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka konstatuar se Serbia është fajtore për shkeljen e ligjit, meqë ka dështuar të parandalojë gjenocidin. Në komunikatën për media të kryeministrit, thuhet se megjithatë, nuk mund të injorohet fakti se Serbia e Millosheviqit dhe aparati shtetëror, kanë qenë të përfshira në mënyrë të drejtpërdrejtë në përkrahjen, organizimin dhe ekzekutimin e krimeve më të tmerrshme që nga Lufta e Dytë Botërore, e që në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare, janë quajtur si veprime gjenocidi kundër popullit boshnjak. Kryeministri Çeku ka thënë se Kosova ka përvojat e saja shumë të hidhura nga regjimi i egër i Millosheviqit. “Ne nuk mund të bëjmë tjetër, përveç të ndjejmë simpati për viktimat dhe të solidarizohemi me të afërmit e tyre dhe shtetin boshnjak”, citohet të ketë thënë kryeministri Çeku. Ai ka thënë se edhe më e rëndësishme se kjo, është që politikanët dhe shoqëria serbe të reflektojnë dhe të pranojnë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të shtetit të tyre për gjenocidin në Bosnje dhe të ndërpresin vlerësimet politike të balancimit të përgjegjësisë, sepse sipas kryeministrit kosovar, luftërat e ish-Jugosllavisë kanë kaluar në shenjën e përgjegjësisë direkte të aparatit shtetëror serb. Ndërkohë, profesori i së drejtës ndërkombëtare, Hajredin Kuçi, konsideron se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është një zgjidhje e ndërmjetme. “Është dhënë mundësia që njerëzit përgjegjës nga Serbia të japin përgjegjësi për veprimet gjenocidiale që i kanë bërë në Bosnje, ndërsa shteti serb të mos e ketë përgjegjësinë e tillë. Kjo nënkupton se në një mënyrë apo tjetër, Serbia nuk do të jetë ajo që do të paraqitet si shtet gjenocidial përballë Bosnjes, por njerëzit e Serbisë gjithsesi. Pra, duket që është krijuar baza juridike, që të dënohen njerëzit për veprime gjenocidiale nga Serbia në Bosnje, por jo baza juridike që Serbia të marrë përgjegjësinë për gjenocidin”, thotë Kuçi. Ekspertja e së drejtës ndërkombëtare, Iliriana Ismajli, thotë se nëse duhet të mbahet një shtet përgjegjës apo jo për çështjen e gjenocidit, gjykata ka vendosur që fajin për këtë ta bartin individët. “Besoj se gjykata e ka marrë vendimin se nuk duhet fajësuar direkt i tërë shteti i Serbisë për aktet gjenocidiale, për faktin se duhet të mbahen përgjegjës individët e caktuar që edhe kërkohen nga Tribunali i Hagës. Prandaj, unë jam e bindur se ka shkuar në këtë drejtim, se nuk duhet që i tërë populli ta mbajë peshën e fajit të caktuar. Kjo është njëfarë lloj ngjashmërie edhe me të drejtën e brendshme, sepse edhe aty dënohen vetëm individët për krimet e caktuara, e nuk mund të fajësohen familjet, fshatrat apo klanet për një çeshtje apo veprim të caktuar. Prandaj, e kanë marrë një vendim të tillë”, thotë zonja Ismaili. Ndërkaq, Hajredin Kuçi, thotë se me konventën ndërkombëtare për gjenocid, identifikohet përgjegjësia e shtetit, por jo në kuptimin e përgjegjësisë penale. Procesi gjyqësor kundër Serbisë, sipas Kuçit, dallon nga ai i Nyrenbergut dhe këtë herë nuk ka përgjegjësi kolektive. Kuçi thotë se vendimi i djeshëm e ka lehtësuar Serbinë. ”Është menduar politikisht, se ta shpallësh në këtë kohë një shtet që ka bërë gjenocid ndaj një shteti tjetër, është një veprim jashtëzakonisht i madh, një vendim që do ta quaja drakonik. Ndoshta ka qenë një zgjidhje më shumë politike, sesa juridike. Pra, duket se ka qenë një zgjidhje e ndërmjetme apo ndryshe, edhe pse nuk njihet në drejtësi, është e kompromisit”, thotë Kuçi. Ai shton se me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që është organi më i lartë i drejtësisë në botë, është vënë baza juridike që të ndiqen penalisht njerëzit përgjegjës për gjenocidin në Bosnje.“Mendoj se pakënaqësitë dhe veprimet do të vazhdojnë, por vendimi i tillë ka krijuar bazë juridike, që ish-presidenti i Serbisë ose dikush tjetër përgjegjës nga ushtria apo politika serbe për veprimet në Bosnje, të marrë përgjegjësinë. Nëse do të ndodhte e kundërta, që të mos njihej ajo përgjegjësi, atëherë do të hiqej baza juridike që ata të ndiqen”, tha Kuçi. Ndërkaq, zonja Ismaili thotë se vendimi i djeshëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, krijon një klimë për demokratizimin e Serbisë. “Kjo duhet të ndikojë në vet Serbinë. Pasojat tash e tutje do t’i bartë Serbia në drejtim të një demokratizimi, duke konsideruar se kjo frymë mund të ndikojë në demokratizimin e saj, me qëllim që ata vetë më pas t’i marrin përgjegjësitë si popull, sikurse i ka marrë edhe Gjermania që në mënyrë vullnetare ka bërë dëmshpërblimin e popullit izraelit”, tha Ismaili. Gjykata Ndërkombëtare në Hagë ka theksuar se Serbia nuk ishte përgjegjëse direkte për gjenocid ose komplotim, për të përkrahur gjenocidin gjatë luftës në Bosnje, që zgjati 3 vjet. Gjykata e Drejtësisë në Hagë tha se Serbia do duhej të bënte përpjekje që t'i ndalë masakrat në Bosnje, ndërsa vrasjen e rreth 8 mijë myslimanëve në Srebrenicë, e cilësoi gjenocid.


XS
SM
MD
LG