Ndërlidhjet

OSBE-JA DO TË NDIHMOJË IMPLEMENTIMIN E STATUSIT


Rrahman Paçarizi

Ministri i jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos, gjatë qëndrimit në Prishtinë në cilësinë e kryesuesit të radhës të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, tha se Kosova po kalon në periudhën më kritike të historisë së saj dhe bëri thirrje për evitimin e çfarëdo lloji të dhunës. Pas takimit me presidentin Sejdiu dhe me Ekipin Negociues të Kosovës, ministri i jashtëm spanjoll Moratinos tha se zgjidhja për Kosovën duhet të arrihet përmes dialogut ndërmjet të dyja palëve, dhe ka shprehur mbështetjen e vendit të tij dhe të OSBE-së, për misionin e kryendërmjetësit ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, për definimin e statusit. “E kam shprehur para autoriteteve, se OSBE-ja ka karakter neutral dhe nuk merr pjesë në bisedimet e Vjenës. Kjo nuk do të thotë se ne nuk e mbështesim të dërguarin e posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisari, për të gjetur një zgjidhje përfundimtare”, tha ministri i jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos, duke theksuar më pas, se vendi i tij dhe OSBE-ja mbështesin perspektivën evropiane për Kosovën dhe rajonin. “Si ministër i jashtëm i Spanjës dhe si ministër i një vendi që është anëtar i Bashkimit Evropian, i kam garantuar autoritetet e Kosovës se ne mbështesim gjithë Ballkanin që të bëhet pjesë e BE-së sa më shpejt”, tha shefi i diplomacisë spanjolle, Moratinos. Ai tha se është shumë i rëndësishëm unifikimi i qëndrimeve të vendeve të Bashkimit Evropian, sepse kjo do të çojë në zgjidhjen më të shpejtë të proceseve. Ndërkaq, presidenti Fatmir Sejdiu çmoi përkrahjen dhe ndihmën e OSBE-së dhe të Spanjës për Kosovën. Edhe me këtë rast, presidenti Sejdiu u angazhua për përshpejtimin e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. “Shpreha vizonin tonë, vizionin për pavarësinë e Kosovës, duke pasur parasysh cilësitë apo rrugën tonë specifike dhe atë, që në gjuhën juridike, e quajmë shembullin sui generis të saj. Besojmë plotësisht në këtë rol që ka Spanja dhe në udhëheqjen e OSBE-së dhe misionit të saj shumë të rëndësishëm dhe në ndihmën e rëndësishme që ka në Bashkim Evropian”, theksoi Sejdiu. Kryesuesi i radhës së OSBE-së, Miguel Angel Moratinos, tha se misioni i OSBE-së në Kosovë do të vazhdojë të ndihmojë administratën në Kosovë, si në institucionet qendrore dhe ato lokale. Misioni i OSBE-së në Kosovë është më i madhi në rajon, me mbi një mijë punëtorë dhe zyrtarë të angazhuar, tha Moratinos, i cili sot gjatë ditës ka takuar edhe zyrtarë të pranisë ndërkombëtare në Kosovë dhe ka thënë se OSBE-ja do të luajë rol të rëndësishëm në implementimin e marrëveshjes për statusin.

XS
SM
MD
LG