Ndërlidhjet

QEVERIA THOTË SE I KA PËRMBUSHUR KËRKESAT E PUNËTORËVE SHËNDETËSORË


Nadie Ahmeti

Qeveria e Kosovës sot ka aprovuar një vendim, me të cilin kujdestaritë e punëtorëve shëndetësorë do të paguhen nga buxheti i Kosovës, e jo nga mbledhja e participimeve. Ky vendim është marrë pas paralajmërimeve të punëtorëve shëndetësorë, se nesër do të fillohet me grevë në tërë sistemin shëndetësor. Bedri Gashi, drejtor i zyrës së informimit në Qeverinë e Kosovës, shpjegon më shumë: “Sot është aprovuar edhe vendimi i Qeverisë numër 6/221 dhe i projekt-urdhëresës administrative për bashkëpagesa, si dhe i memorandumit të mirëkuptimit për të hyrat vetanake, me të cilat decidivisht saktësohet se pagesa e kujdestarive hyn në kategorinë e pagave dhe meditjeve, që paguhen nga buxheti i rregullt dhe nuk varet nga mbledhja e participimeve”, tha ai. Zoti Gashi pohon se pagesa e kujdestarive për muajin janar, do të paguhet nga një fond prej 1.2 milion eurosh, që siç thotë ai, sipas llogaritjeve të Ministrisë së Shëndetësisë, është i mjaftueshëm. “Borxhet e pashlyera të kujdestarive të vitit 2006, duhet të mbulohen nga kursimet e brendshme të Ministrisë së Shëndetësisë, dhe kjo duhet të përfundojë deri më 31 mars 2007”, thekson zoti Gashi. Ndërkaq, sa i përket përdorimit të të hyrave vetanake, përfshirë edhe participimet, ai tha se kjo do të definohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Ekonomisë dhe Financave, në përputhje me ligjin për menaxhimin e financave publike dhe rregullores së buxhetit. Ndryshe, me gjithë faktin se sindikalistët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ende nuk kanë dalë me ndonjë vendim të qartë, se a do të fillojë greva e paralajmëruar apo jo, Jahir Mulolli, kryetar i sindikatës, ka thënë se nëse Qeveria del më ndonjë vendim që plotëson kërkesat e punëtorëve shëndetësorë, greva nuk do të fillojë. “Nëse Qeveria del me një vendim të prerë, fundi fundit ajo e ka pasur një vendim për futjen e kujdestarive në buxhet, por nuk e ka zbatuar atë. Këtu është problemi, se disa herë marrëveshjet të cilat kanë qenë me kompromis, nuk janë realizuar”, thotë zoti Mulolli. Ndryshe, sindikata e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka paralajmëruar grevë për nesër, me qëllim që Qeveria e Kosovës të zbatojë memorandumin e mirëkuptimit, që ishte nënshkruar në muajin nëntor, pas një greve gati njëmuajshe. Në këtë grevë, punëtorët shëndetësorë patën kërkuar përmirësimin e kushteve për trajtimin e pacientëve dhe kushteve të punës për vetë ata.

XS
SM
MD
LG