Ndërlidhjet

PETROVCI: VLERAT KULTURORE RREZIKOHEN NGA RRËNIMI I SKAJSHËM


Bekim Bislimi

Krahasuar me vitet e 70-ta dhe 80-ta të shekullit të kaluar, investimet në kulturë dhe art në Kosovë, pas luftës janë krejtësisht të pakta dhe gjithë ato vlera kulturore e artistike, të cilat janë krijuar nga shqiptarët e Kosovës dhe që kanë shpëtuar nga rrënimi 10 vjeçar i regjimit okupues, rrezikohen të rrënohen skajshmërisht tash, pas luftës. Kështu thotë Enver Petrovci, aktor nga Kosova. “Niveli i kulturës sot...Më duket pothuajse dikush me qëllim po bën që të denacionalizohemi, që të zhdukemi si kulturë. Ma merr mendja, ndoshta është një tendencë që të krijohet një popull, që quhet ‘kosovar’. Unë nuk kam ende argument të fuqishëm. Por, kam argument se po dekulturizohet ajo kulturë që e kanë bërë stërgjyshërit, gjyshërit dhe baballarët tanë, dhe po krijohet një kulturë, të cilën unë nuk po mundem ta identifikoj ende, ose sot për sot do ta quaja një hibrid. Nuk kam argument kulturor që të them, se kjo është kulturë autentike shqiptare”, shprehet Enver Petrovci. Ndonëse në Kosovë ka potencial artistik dhe krijues që dinë të krijojnë vlera, thekson ai, por ata janë anashkaluar nga institucionet, për shkak se kanë kërkuar që investimet në kulturë të jenë ekuivalente me vlerat. “Të gjithë artistët që pak ose shumë vlejnë, nuk janë në skenën tonë artistike ose kanë qenë të detyruar që të shiten për disa seriale, që gjithashtu janë në një nivel të gjuhës së tmerrshme, por edhe humorit. Por, në anën tjetër, ata nuk kanë faj, sepse prej tyre kërkohet që të punohet shpejt, për pak ose pak më shumë të holla. Nuk merret askush në mënyrë institucionale me këtë lloj, ta quaj, bastardimi të artit”, thotë Petrovci. Në anën tjetër, siç thekson ai, edhe bastardimi i gjuhës shqipe është tejet i vërejtshëm dhe sipas tij, ky bastardim nuk ndodh vetëm në skenën e teatrit apo filmit, por edhe në media, sidomos ato difuzive elektronike. “Vlerat nuk janë askund dhe bastardimi i artit është bërë vlerë e jona. Unë jam kundër njerëzve, kundër akademikëve, kundër vetes tek e fundit, që nuk e ngrisim zërin kundër kësaj. Fajet i ka investimi institucional në këto, i kanë fajet që prej Akademisë së Arteve dhe Shkencave që rrinë dhe heshtin, nuk lëvizin, nuk reagojnë, nuk japin vlerësime për këto që po na ndodhin tani për tani. Të gjithë ‘nxirren’ me një arsyetim se do të bëhet kështu deri në zgjidhjen e statusit, pastaj do të reagojnë. Nuk është e vërtetë”, vlerëson Petrovci. Statusi i pazgjidhur politik i Kosovës deri më tash, nuk ka qenë pengesë për zhvillimin e kulturës dhe artit, si dhe kultivimin e identitetit autokton të tij, shpreh mendimin Enver Petrovci. “Nëse na ka lindur një fëmijë, ne nuk mund të presim kohërat e mira që ne të ndërtojmë shtëpinë, që ne të hyjmë në punë, të bëjmë pasuri, e pastaj të fillojmë të edukojmë fëmijën, se ‘ne jemi tash të gatshëm për edukim’. Në ndërkohë fëmija është rriur, është rritur i paedukatë dhe kot që ke ndërtuar atë shtëpi të bukur, sepse ky fëmijë që vjen pas teje, mu për shkakun pse s’ka qenë i edukuar, vjen ta kallë dhe ta shesë atë shtëpi”, thotë Enver Petrovci, duke theksuar se Kosova tashmë ka institucionet e veta dhe, sipas tij, zhvillimi i identitetit kulturor është dashur të bëhet dhe duhet të bëhet me përkujdesje serioze institucionale. “Nuk ka gjë më të kushtueshme sesa jovlera, edhe nëse kushton vetëm 2 euro. Pra, orientimi i të hollave më duket se nuk është i drejtë, por për këtë unë nuk akuzoj ministrinë e asnjë ministër. Por, i akuzoj këshilltarët, të cilët, me kushedi çfarë rruge, gjejnë mënyra që ta bindin një ministër që të investojë aty ose këtu. Nëse do ta akuzoja ministrinë ose ministrin individualisht, është se nuk gjen këshilltarë, të cilët kanë treguar se kanë bërë diçka gjatë jetës së tyre profesionale”, thekson Petrovci. Sidoqoftë, sipas tij, shqiptarët në Kosovë duhet të bashkohen në mënyrë shpirtërore dhe t’i mbledhin vlerat artistike me të cilat do të përfaqësoheshin para botës si komb, sepse pasqyrë e gjithë shoqërisë është arti dhe kultura e tij.

XS
SM
MD
LG