Ndërlidhjet

NË PRITJE TË PËRFUNDIMIT TË HETIMEVE TË NGJARJEVE TË 10 SHKURTIT


Albana Isufi

Tri javë pas protestës së 10 shkurtit, e cila la dy të vdekur dhe mbi tetëdhjetë persona të lënduar, ekipi i prokurorëve të Misionit të Kombeve të Bashkuara, që po heton këtë ngjarje, nuk ka paraqitur ndonjë rezultat të hetimeve. Drejtori i Departamentit të Drejtësisë në UNMIK, Albert Moscowitz, thotë se aktualisht po kërkohen prova për të parë, nëse individë të caktuar kanë kryer vepra kriminale. “Dua të theksoj se ky është një hetim kompleks dhe i vështirë. Po intervistohen qindra dëshmitarë, po rishikohen inçizimet, fotografitë, po konsultohen ekspertët. Pse është kaq kompleks? Sepse po hetojmë një ngjarje dyorëshe, në të cilën mijëra njerëz ishin në rrugë, dhe po kërkojmë prova për krim eventual, që mund të ketë ndodhur brenda sekondave. Kjo kërkon hetim gjithëpërfshirës dhe të thuktë”, tha drejtori i Departamentit të Drejtësisë në UNMIK, Albert Moscowitz, i cili premton gjetjen e së vërtetës. “Qëllimi është që të bëhet një hetim korrket dhe i plotë. Kjo kërkon kohë, nuk mund t’ju them se sa, por ajo që mund të them është se do të ndjekim provat, kudo që të çojnë ato, dhe nuk do lëmë gur pa rrotulluar për të gjetur të vërtetën”, tha Moscowitz.
Prokurori amerikan, Robert Dean, i cili po drejton ekipin hetues prej më shumë se 20 personave, tha se po vazhdohet ende me mbledhjen e provave nga vendi i ngjarjes, ndërsa po intervistohen mbi 100 persona. “Ne po bashkëpunojmë me ekspertët e mjekësisë ligjore në Gjermani rreth distancës dhe përdorimit të municionit, si janë shkaktuar plagët. Ne po bëjmë përpjekje për të rivënë në skenë ngjarjen e asaj pasdite. Ne po ekzaminojmë dhe po fokusohemi në pozicionimin e duhur dhe përdorimin e plumbave të gomës në mënyrë të kontrolluar në turmë, ashtu sikurse po hetojmë planin operativ, nën të cilin kanë punuar policët e UNMIK-ut atë pasdite”, tha Robert Dean, i cili theksoi se në protestën e 10 shkurtit kanë qenë të përfshirë gjashtë kontingjente policësh, nga vende të ndryshme. Ai tha se këta policë janë dukë bashkëpunuar me ekipin hetues. Ndërsa, Albert Moscowitz siguron se të gjithë policët të përfshirë në protestë, nuk do të largohen nga Kosova pa u kryer hetimet. Megjithatë, ende nuk është duke u kryer ndonjë hetim mbi individët, që mund të kenë shkaktuar vdekjen e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, si dhe lëndimin e mbi tetëdhjetë personave të tjerë në protestën e Lëvizjes Vetëvendosje. “Aktualisht, hetimi nuk është fokusuar në ndonjë individ të caktuar. Tani po shqyrtohen provat e para, për të parë se ku po çojnë dhe siç e thashë më herët, ne do të ndjekim provat ku do që të na çojnë ato. Por, është shumë herët, që të spekulojmë tani për ndonjë individ të caktuar”, tha drejtori i Departamentit të Drejtësisë, Albert Moscowitz. Protesta e 10 shkurtit kundër pakos së Ahtisarit dhe kundër Ekipit Negociator, pas bilancit tragjik, është pasuar me dy dorëheqje, atë të komisionerit të policisë së UNMIK-ut, Stephen Curtis, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Fatmir Rexhepi. Ndërkohë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po vazhdon tash tri javë të vuajë masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej tridhjetë ditësh. Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protestë tjetër më 3 mars, për të cilën policia e UNMIK-ut shpreson se do të jetë paqësore.
XS
SM
MD
LG