Ndërlidhjet

WATERS: MOSDHËNJA E PAVARËSISË SË VËRTETË KOSOVËS, DOBËSI E PLANIT TË AHTISARIT


Timothy Waters, ekspert amerikan i së drejtës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Waters, si do ta vlerësonit propozimin e Ahtisarit, duke u ndalur tek pikat e forta dhe të dobëta të tij?

TIMOTHY WATERS
Do ta filloja me pikat e forta duke pasur parasysh se është një sfidë e jashtëzakonshme të përpiqesh të gjesh zgjidhje për këtë problem. Pika e fortë e këtij plani është përpjekja për të siguruar sa më shumë që është e mundur serbët për të ardhmen e tyre në Kosovë. Kjo është dhe sfida më madhe, jo se është më e rëndësishmja, por duket të jetë më e vështira.
Pikë e dobët e planit është se nuk shkon larg sa duhet. Së pari nuk i jep Kosovës pavarësi të vërtetë, të cilën kosovarët e meritojnë dhe është e drejtë. Dështimi për të njohur pavarësinë e Kosovës dëmton qëllimin tjetër atë të mbrojtjes së pakicës serbe.
Unë mendoj se zgjidhja më e mirë që e zhbllokon këtë rreth të mbyllur është vendosja në tryezë e idesë së rishkrimit të kufijve të Kosovës para dhënjes së pavarësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët rishikimin e kufijve. A nuk mendoni se një gjë e tillë do vinte në pikëpyetje kufijtë e tërë rajonit, përfshi Maqedoninë, Bosnjën e madje vetë Serbinë duke pasur parasysh Luginën e Preshevës dhe Vojvodinën?

TIMOTHY WATERS
Ne si bashkësi ndërkombëtare e kemi zmadhuar rrezikun e destabilizimit të rajonit si pasojë e ndryshimit të kufijve. Nëse shohim historinë e konflikteve në rajon do të shohim se rishikimi i kufijve në një pjesë nuk përkthehet në të njëjtën mënyrë në pjesët e tjera të rajonit.
Fakti se Kosova do të mund ta marrë pavarësinë duke u bazuar në ndryshime territoriale nuk do të thotë se shqiptarët e Maqedonisë do të marrin turavrapin drejt krijimit të një shteti të tyre.
Gjërat nuk funksionojnë në këtë mënyrë. Nëse unë do të isha nacionalist shqiptar në Maqedoni dhe do të kisha para vetes dy skenarë të mundshëm, një që është pavarësia e zonave me shumicë shqiptare të Kosovës, që do të ishte shteti i ardhshëm i Kosovës dhe skenari i dytë ai i një shteti me territor më të madh, në të cilin jetojnë dhe popullsi të tjera unë do të nxitesha nga ky plan i dytë. Pra do nxitesha të kërkoja krijimin e një shteti tjetër ku dominojnë shqiptarët, por duke marrë dhe territore të tjera ku jetojnë popullsi joshqiptare.
Me pak fjalë nuk mendoj se evitojmë dëshirat nacionaliste të grupeve të ndryshme me planin aktual. Nuk mendoj se zgjidhja bazuar në ribërjen e kufijve nxit më shumë tensione se plani aktual që është në tryezë.
Ia vlen të nënvizojmë se serbët e Bosnjës dhe udhëheqësit e tyre po flasin me zë të lartë për mundësinë e shkëputjes duke u nisur nga plani aktual për zgjidhjen e Kosovës. E kuptoj se shqetësimi do jetë, por nuk do bëhet më i madh nëse marrim nga territori i Kosovës 20 milje nga pjesa veriore siç e parasheh plani alternativ.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendimi juaj për ribërjen e kufijve të Kosovës a ka mbështetës në mesin e ekspertëve dhe mbi të gjitha në mesin e vendimmarrësve?

TIMOTHY WATERS
Qëndrimi zyrtar i të gjithë lojtarëve kryesorë e ka përjashtuar mundësinë e ndryshimit të kufijve të Kosovës. Por opcioni i rishikimit të kufijve gjithmonë ka qenë poshtë tryezës si mundësi reale edhe për vendimmarrësit. Dua të theksoj se në mënyrë të përsëritur është thënë prej tyre se mundësia e ndarjes është përjashtuar, ndonëse mendoj se ky qëndrim është i gabuar. Shpresoj se unë kam ndryshuar diçka në qëndrimin e tyre.
Mendoj se rrugët që bashkësia ndërkombëtare të vijë deri tek rishikimi i kufijve të Kosovës janë dy. E para Rusia do përdorë fuqinë e saj dhe do ta shohë këtë si zgjidhje të pranueshme. Rruga e dytë është nëse situata në terren bëhet shqetësuese dhe do jemi të detyruar të kërkojmë një plan alternativ ndaj këtij që kemi aktualisht. Dhe ekziston rreziku real për një të tillë.
Siç e thashë plani i Ahtisarit përpiqet shumë të sigurojë popullsinë serbe se do mund të jetojë në një gjysmë shtet të pavarur të Kosovës apo dhe në një shtet plotësisht të pavarur. Por nuk e di nëse ia arrin qëllimit, më shumë duket si një tren që ecën pa ditur ku të ndalet.
E ngaqë përjashtuam rishikimin e kufijve të Kosovës si mundësi zgjidhje e shohim rrezikun se tërë popullsia serbe e Kosovës në jug dhe veri do largohet ose do bëhet cak i nacionalistëve shqiptarë. Në të dyja rastet ata do largohen. Plani i Ahtisarit nuk e parandalon një gjë të tillë. Nëse kemi largimin masiv të serbëve natyrisht atëherë do dalë nevoja e rishikimit të planit, por ndoshta do të jetë vonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka ekspertë sipas të cilëve plani i Ahtisarit krijon një lloj Republike Serbe si ajo e Bosnjës në Kosovë. Çfarë do të thoshit?

TIMOTHY WATERS
Gjatë viteve të kaluara është folur për një gjë të tillë, por ka dallim të madh. Në Bosnjë edhe para luftës ka pasur zona dhe territore të cilat kanë pasur numër të madh të popullsisë serbe, ndaj analogjia nuk është e saktë. Nëse shohim planin e Ahtisarit në Kosovë do kemi xhepa me popullsi serbe, por jo zona të mëdha, me përjashtim të veriut të Mitrovicës. Nuk është e mundur të ndodhë një gjë të tillë në Kosovë, pasi kushtet demografike janë të ndryshme.
Nga ana tjetër dua të shtoj së nëse nuk pranon të rishikosh kufijtë atëherë gjithmonë ekziston tendenca e organizimit të ngjashëm si ajo në Republikën Serbe të Bosnjës.

RADIO EVROPA E LIRË
Kalojmë në planin ndërkombëtar. Si i shihni raportet Shtetet e Bashkuara-Rusi lidhur me Kosovën, duke pasur parasysh dhe zhvillimet në botë. Cilat janë gjasat për veton ruse në Kosovë?

TIMOTHY WATERS
Nuk jam kriminalogjist, dhe ndonëse Rusia sot është më e fuqishme në planin ndërkomëbtar se në vitin 1999, interesat ruse nuk janë identike me ato të Serbisë dhe në fund do kemi arritjen e një ujdie nga e cila do përfitojnë interesat e Rusisë. Por nga ana tjetër edhe vetë Serbia mund të arrijë një ujdi që do përjashtonte interesat e serbëve të Kosovës në shkëmbim të premtimit për anëtarësi në Bashkimin Evropian.
Rusia mund të gjejë një ujdi duke pranuar një lloj pavarësie për Kosovën, për të marrë përfitime në Kaukaz, në fushën e energjisë apo në Ukrainë, pra në territore që nuk kanë lidhje fare më Kosovën.
Dhe këtu vijmë tek qëndrimi im. Ngaqë kemi këmbëngulur në ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës jemi të detyruar të bëjmë ujdi me mbrojtësit apo miqtë e Serbisë, ujdi që nuk kanë fare lidhje me Kosovën. Gjithë diskutimet rreth Rusisë kanë të bëjnë me pyetjen nëse do mund të biem në ujdi me Rusinë sa i përket Kosovës. Por marrëveshja nuk do të thotë zgjidhje për Kosovën. Me fjalë të tjera mund ta kemi miratimin e Rusisë për një plan të ndryshuar të Ahtisarit dhe ndoshta në teori një lloj miratimi të Serbisë në shkëmbim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por sërish çështja shtrohet a do lejojnë këto ujdi që të krijojmë një shtet të pavarur ku serbët do mund të jetojnë në siguri dhe me pjesëmarrje të plotë.
Edhe me miratimin e Rusisë do kemi një lloj traktati paqe, por jo një zgjidhje që do mundësojë se dy popullsitë, ajo shqiptare dhe serbe do jetojnë në paqe. Ky është problemi që duhet të zgjidhim.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbia dhe veçanërisht kryeminsitri Koshtunica përpiqet të justifikojë kundërshtimin ndaj pavarësisë duke iu referuar ligjit ndërkombëtar. Si ekpsert ligjor, sipas jush cilat janë argumentat që sjell ligji ndërkombëtar në mbështetje të pavarësisë?

TIMOTHY WATERS
Ligji ndërkombëtar është asnjëanës sa i përket shkëputjes, por është kundër ndërhyrjes nga jashtë në çështjet e integritetit territorial.
Në rastin e Kosovës kemi të bëjmë me një përjashtim nga rregulli. Kjo lidhet me fushatën e dhunës, persekutimeve, pastrimit etnik e madje dhe gjenocidit kundër një grupimi etnik, çfarë i jep këtij grupi të drejtën për vetvendosje dhe pavarësi. Ne zakonisht nuk themi që një grup mund të shkëputet nga një shtet i caktuar, por nëse ata janë trajtuar aq keq sa shqiptarët nga Serbia në vitet '90 e veçanërisht në '99 atëherë kjo e drejtë për vetvendosje hyn në fuqi. Mendoj se ky është kyçi për të kuptuar se ku gjendet dhe zgjidhja e problemit. Ne e kemi për detyrë që të mbrojmë popullsinë që u dëmtua aq shumë nga politika e Beogradit dhe kjo popullsi janë shqiptarët e Kosovës. Dhe në duhet të themi se ligji ndërkombëtar dhe mbrojtja jonë duhet t'u lejojë atyre pavarësinë.

Intervistoi: Ilirjana A. Bajo

XS
SM
MD
LG