Ndërlidhjet

TRASHËGIMIA KULTURORE DALLON NGA TRASHËGIMIA FETARE


Bekim Bislimi

Çështjet e ashtuquajtura të trashëgimisë kulturore dhe fetare, të cilat janë përfshirë në aneksin e pestë të dokumentit të Ahtisaarit për Kosovën, nuk janë trajtuar drejt, sepse pavarësisht që trashëgimia fetare mund të jetë edhe trashëgimi kulturore, këto të dyja janë koncepte të ndryshme dhe të ndara, thotë Baki Sfirca, drejtor i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës. Ai thekson se, në këtë kontekst, trajtimi i kësaj çështjeje në dokumentin e Ahtisaarit, nuk është i qartë dhe profesional. “Është e paqartë dhe e padefinuar, por ndoshta edhe shumë tendencioze, nëse mund të thuhet, çështja që ka të bëjë me menaxhimin e trashëgimisë kulturore. Mendoj që në këtë dokument, do të duhej qartësisht të ndahej koncepti i trashëgimisë kulturore dhe trashëgimisë fetare. Trashëgimia kulturore është trashëgimi e cila nuk njeh bazë identiteti ose nuk duhet të trajtohet në bazë të etnikumeve ose bartësve të kulturave, sepse ato, tek e fundit, përcaktohen përmes hulumtimeve të thella profesionale dhe shkencore. Ne këtë kontekst, do të thotë, çdo gjë që është trajtuar si trashëgimi ortodokse, është marrë automatikisht edhe si trashëgimi kulturore, që vërtet është për t’u diskutuar dhe është për t’u perceptuar në mënyra të ndryshme”, shprehet Baki Sfirca. Mungesa e përkufizimit të saktë të trashëgimisë kulturore dhe trashëgimisë fetare atakon vlerat e tyre, thotë ai, duke shtuar se jo rrallë në dokumentin e Ahtisaarit, monumenteve fetare ose atyre kulturore u vihet parashtesa ose prapashtesa në bazë të etnikumit. “Është e paimagjinueshme që, nëse ne nuk kemi hulumtime të mirëfillta, të përcaktojmë bartësit e kulturave të cilat i kanë krijuar këto. Dhe aq më tepër, për ne nuk janë me rëndësi bartësit e kulturave në kuptimin e mbrojtjes, sepse vlera nuk paraqet bartës kulture, por paraqet vlerë universale e cila duhet të trajtohet nga konteksti universal. Dhe në anën tjetër, në shumë pak raste mund të them që janë marrë parasysh këto kritere, që janë kritere ndërkombëtare universale për përcaktimin e vlerave dhe përcaktimin e rëndësive të objekteve”, vlerëson Sfirca. Ai thotë se për përcaktimin e zonave të mbrojtura në dokumentin e Ahtisaarit, nuk janë zbatuar kriteret që zbatohen gjithkund në botë, në bazë të konventave ndërkombëtare për përcaktimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe menaxhimin e kësaj trashëgimie. Shembuj konkretë, sipas zotit Sfirca, janë dhënia e kompetencave për menaxhimin e këtyre zonave. “Në aneksin që ka të bëjë me decentralizimin, thuhet se komunat që do të krijohen, ose ato komuna që janë të përbëra nga shumica serbe, ato do të kenë kompetenca që të menaxhojnë edhe me vetë trashëgiminë kulturore. Paramendoni, për shembull, si mundet komuna e Novo Bërdës, që me këtë kapacitet profesional dhe financiar të menaxhojë me zonën, e cila do të përcaktohet përreth tërësisë arkeologjike dhe arkitektonike të Novo Bërdës. Unë nuk dua të hy në çështje politike, por në çështje profesionale e them me plot përgjegjësi se jo vetëm Novo Bërda, por edhe komuna shumë më të mëdha se ajo dhe me kapacitete financiare dhe njerëzore më të mëdha, nuk kanë kapacitete institucionale, profesionale dhe financiare që të menaxhojnë me këto zona”, thotë Sfirca. Problem në vete paraqesin edhe objektet kulturore ose fetare, të cilat janë të futura në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, thekson ai, duke shtuar se për menaxhimin e këtyre zonave, ekzistojnë kritere të parapërcaktuara nga kjo organizatë. “Sipas këtyre kritereve, autoritetet qëndrore institucionale të cilat kanë përfaqësim në këtë mekanizëm ndërkombëtar, siç është UNESCO, janë përgjegjëse për t’u kujdesur për këto trashëgimi, që janë të licencuara në listën e trashëgimisë botërore. Tash shtrohet pyetja tepër logjike, se kush do të japë këtë llogari në rastin, për shembull, të Manastirit të Graçanicës ose në rastin e Manastirit të Deçanit etj? Institucionet qëndrore, që përfaqësohen në këto mekanizma, apo institucionet lokale, siç janë komunat e reja apo komunat ekzistuese? Mendoj se ky është ‘non-sens’ i llojit të vet, që duhet të shqyrtohet nga aspekti i grupeve të larta të nivelit politik dhe institucional”, pohon Sfirca. Sidoqoftë, thotë ai, duke u bazuar në kriteret ndërkombëtare rreth trashëgimisë kulturore, mund të thuhet se trajtimi i kësaj çështjeje në dokumentin e Ahtisaarit, përmban mjaft paradokse dhe se ato duhen sqaruar. “Mendoj që është punë jashtëzakonisht e vështirë, që duhet t’i qasemi në kuptimin multidiciplinar, për arsye të veçantë se vetë krijimi apo shkrimi i këtij dokumenti, për mendimin tim personal, është më shumë politik sesa profesional dhe nuk kontribon, ashtu siç thuhet, në ruajtjen e këtyre vlerave. E di që siguria fizike e objekteve është shumë me rëndësi, mirëpo...pa realizimin e hulumtimeve, pa realizimin e qasjes profesionale, që këtu nuk garantohet, sikurse sipas elementeve ligjore që ne i kemi sot në fuqi. Andaj mendoj që mosnjohja e vlerave, mosdefinimi i qartë i vlerave, si dhe mospromovimi i vlerave e atakon direkt vlerën”, përfundon Baki Sfirca.
XS
SM
MD
LG