Ndërlidhjet

logo-print

DUGOLLI: FORCAT QË PERSONIFIKOJNË DHUNËN, NUK MUND TË OFROJNË SIGURI


Albana Isufi

Propozimin e palës serbe në bisedimet e Vjenës, që për mbrojtjen e kishave dhe manastireve serbe në Kosovë, përveç forcave ushtarake ndërkombëtare, të kujdesen edhe forcat policore të Serbisë të trajnuara enkas për këtë punë, analistët kosovarë e shohin si një kërkesë joreale, që nuk mund të zbatohet. Analisti Ilir Dugolli thotë se propozimi i palës serbe është bërë për t’u mos pranuar. “Kjo tregon se më tepër është e orientuar nga e kaluara, dhe nuk e sheh mundësinë dhe kontekstin për të gjetur rezolutë për të ardhmen. Është kthim te formulat, të cilat Serbia i ka shterrur, në përpjekje për të mbajtur sigurinë, për të kontrolluar territorin dhe ato që i konsideron si objekte të veta, e të cilat nuk kanë dhënë rezultat, përkundrazi kanë përkeqësuar marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve dhe kanë rezultuar në shtypjen e shqipatrëve”, thotë Dugolli. Pala kosovare ka thënë se është për keqardhje që Beogradi po bën përpjekje që çështjet e trashëgimisë kulturore, t’i shfrytëzojë për poenë politikë, siç është thirrja në Rezolutën 1244 dhe Marrëveshja e Kumanovës. Në propozimin për statusin të Martti Ahtisaarit, thuhet se objektet fetare do të ruhen nga prania ndërkombëtare ushtarake në Kosovë dhe nga Shërbimi Policor i Kosovës. Analisti Ilir Dugolli thotë se propozimi i palës serbe do të mund të ishte i zbatueshëm, vetëm në sistemet diktatoriale apo shtypëse. “Aq më pak është e mundshme që ato forca të sigurojnë çfarëdo sigurie për këdo në territor të Kosovës, nëse janë personifikim i një dhune sistematike të ushtruar me dekada në Kosovë. Tani krejt ato janë çështje praktike, të cilat e bejnë të pamundur një skenar të tillë. Edhe vetë siguria e atyre personave; kush do të përkujdesej për ta, si do të lëviznin, kur persona të tillë realisht do paraqisnin shënjestër, sepse janë personifikim i asaj dhune të cilën e kanë ushtruar për një kohë aq të gjatë”, thotë Dugolli, duke shtuar se këto monumente mund të ruhen vetëm nga forcat policore multietnike, ashtu edhe siç parashihet në dokumentin e Ahtsiaarit. “Serbëve këtu dhe objekteve të tyre fetare, u qëndrojnë në dispozicion forcat policore shumetnike, ku edhe ata janë të përfaqësuar, u qëndrojnë në dispozicion forcat ndërkombëtare. Dhe nëse krejt këta mekanizma e edhe ata që mund të dizajnohen në të ardhmen, nuk janë në gjendje që të krijojnë sigurinë e nevojshme, atëherë vërtet duhet menduar se pse është ajo aty, por nuk ka gjasa që të mendohet për kthim të forcave serbe si të tilla”, tha Dugolli. Ndërkohë, zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, thotë se ky shërbim ka njerëz të mjaftueshëm dhe është i gatshëm, që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët dhe pronat e tyre. Ai nuk komenton kërkesën e palës serbe për sjelljen e forcave serbe për të ruajtur monumentet fetare në Kosovë, por thotë se SHPK-ja, si institucion multietnik, ofron mbrojtje për të gjithë, pa paragjykim. “Ne kemi një numër të konsiderueshëm njerëzish, që konsiderojmë se jemi në gjendje t’i mbrojmë objektet, të cilat janë në Kosovë”, thotë Elshani. Ai thekson se 10 përqind e pjesëtarëve të SHPK-së, janë të komunitetit serb. Me propozimin e Ahtisaarit parashihet që të paktën 9 lokalitete të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, pas statusit të ruhen nga prania ndërkombëtare ushtarake, derisa të merret një vendim që kjo përgjegjësi t’i bartet Shërbimit Policor të Kosovës.
XS
SM
MD
LG