Ndërlidhjet

KA PASUR NJË MOSFUNKSIONIM TË SHPK-SË PERBALLË PROTESTUESVE TË 10 SHKURTIT


Zijadin Gashi

Inspektorati i Policisë së Kosovës ka konstatuar sot, se Shërbimi Policor i Kosovës ka nevojë për më shumë përgatitje profesionale, për t’u ballafaquar me protesta e trazira të qytetarëve. Ky konstatim është nxjerrë në raportin lidhur me sjelljet e SHPK-së, më 10 shkurt, gjatë protestave të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilin sot kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit të Policisë, Enver Rrustemi, ia ka dorëzuar ministrit të Punëve të Brendshme, Blerim Kuçit. Ai tha se ky është një inspektim i jashtëzakonshëm, që kishte si qëllim të inspektojë sjelljet e SHPK-së, më 10 shkurt. Ndonëse nuk është dhënë një konstatim i saktë lidhur me sjelljet e policisë së Kosovës atë ditë, Rrustemi tha se policia e Kosovës duhet t’i nënshtrohet një kualifikimi shtesë, në mënyrë që në të ardhmen të jetë e gatshme për t’u ballafaquar me trazirat e mundshme, duke u sjellë konform autorizimeve që i ka. “Edhe pse janë bërë investime të konsiderueshme të trajnimit të mbi 1700 zyrtarëve të Shërbimit Policor të Kosovës, në sistemin e parimit të njësive taktike mobile, ai sistem nuk është përdorur më 10 shkurt. Të gjithë zyrtarët policorë, të zgjedhur si të kualifikuar për angazhim në operacione të trazirave qytetare, sipas sistemit të ri të Shërbimit Policor të Kosovës, duhet t’i nënshtrohen trajnimeve të rregullta ricertifikuese”, tha kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Enver Rrustemi. Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Blerim Kuçi, tha se pret që raporti të kompletohet dhe finalizohet para se ai të konstatojë me saktësi lidhur me sjelljen e SHPK-së, gjatë protestave të 10 shkurtit. Konform asaj që do të përmbajë raporti final, ministri Kuçi tha se do të marrë vendime konkrete, qoftë nevoja edhe ndëshkime apo shkarkime të stafit të lartë komandues vendor, nëse vërtetohet sjellja joprofesionale e tyre. “Ne ende nuk mund të dalim me një konstatim se është sjellë apo nuk është sjellë (konform autorizimeve), por, në përmbledhje e pashë se ka pasur një mosfunksionim ashtu si duhet me përballjen me protestuesit. Tash të shohim rekomandimet tjera që i ka dhënë Inspektorati, t’i presim ato”, tha Kuçi. Ndryshe, raporti i ka cilësuar zhvillimet e 10 shkurtit si trazira qytetare, ku kanë humbur jetën dy persona dhe janë lënduar dhjetëra të tjerë. Ndërkaq, për SHPK-në ka rekomanduar disa masa, që në të ardhmen, përdorimi i forcës dhe mjeteve të jetë proporcional me nevojat. Gjithashtu, administratës së UNMIK-ut, i ka rekomanduar bartje më të shpejtë të përgjegjësive në fushën e sigurisë, duke ditur se niveli i përgjegjësive kryesore komanduese bie mbi policinë ndërkombëtare. Të gjitha paqartësitë që kishte raporti i sotëm lidhur me sjelljet e policisë vendore më 10 shkurt, u tha se do të sqarohen në raportin final që, sipas Enver Rrustemit, do të përmbyllet ditëve në vijim.
XS
SM
MD
LG