Ndërlidhjet

EDHE PAS STATUSIT, PAPUNËSIA DO TË JETË SFIDË


Nadie Ahmeti

Një nga shqetësimet më të mëdha për qytetarët e Kosovës mbetet papunësia dhe disa prej tyre madje nuk besojnë, se pas zgjidhjes së statusit përfundimtar, ky problem do të mund të zgjidhet menjëherë. Shemsedin Koshi nga Prishtina, pranon se zgjidhja e statusit hap rrugë për një zhvillim më të mirë ekonomik, por nëse institucionet nuk punojnë ashtu siç duhet, atëherë shkalla e papunësisë vështirë se do të mund të zvogëlohet. “Nuk besoj, arsyet janë të shumta. Në radhë të parë duhet të plotësohen disa parakushte, që rinia të mund të punësohet. Së pari, ekonomia është e vështirë edhe disa gjëra janë të rënda. Kështu nuk e shoh ndonjë perspektivë reale për punësim”, tha zoti Koshi. Feti Mehdiu, profesor në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës, pohon se me zgjidhjen e statusit, Kosova do të ketë qasje në shumë mekanizma ndërkombëtarë financiarë, por ai thotë se nëse institucionet nuk kanë projekte konkrete, që t’i paraqesin në këto mekanizma për të zbutur papunësinë, qasja në to nuk do të jetë edhe aq e rëndësishme. “Unë shpresoj të kenë ndonjë projekt, por nuk duket se kanë. Dhe në qoftë se nuk kanë, ata duhet të paktën në këtë moment të përgatisin projekte. Duhet të përgatiten për ardhmërinë e Kosovës”, pohon zoti Mehdiu. Në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, pohojnë se tashmë kanë të përgatitura projekte konkrete për uljen e papunësisë, që do të paraqiten pas zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. Ylber Shabani, drejtor i Departamentit për Punë, tha se ky departament ka hartuar Planin Aksional për Punësim, në të cilin parashihen masat për zvogëlimin e numrit të papunëve, kryesisht në radhët e të rinjve. “Ky plan do të jetë aktiv për të rinjtë përmes aftësimeve profesionale, punësimit në botën e jashtme dhe ngritjes së aftësive për punësim në vend, si dhe stimulimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme. Kështu, vërtet mendojmë se jemi të përgatitur të kërkojmë ndihmë dhe donacione, në mënyrë që të zbatojmë politikat aktive të punësimit të Kosovës”, thotë zoti Shabani. Por megjithatë, as ai nuk është optimist se zgjidhja e statusit do të sjellë mrekulli në këtë drejtim. Ai pohon se me këtë problem, Kosova do të vazhdojë të përballet edhe në të ardhmen. “Unë nuk mendoj se statusi do të sjellë mrekulli me shkop magjik dhe do të zgjidhen të gjitha problemet. Por, ka indikacione, ka gjasa se kjo normë do të zvogëlohet, sepse do të kemi qasje në institucionet financiare ndërkombëtare, do të kemi të zgjidhur problemin e statusit dhe do të mund të paraqitemi edhe si shtet, subjekt ndërkombëtar, për punësim sezonal, që do të na lehtësonte punët mjaft”, tha zoti Shabani. Ndryshe, profesori Feti Mehdiu, thotë se në mungesë të perspektivave të punësimit, të rinjtë gjithnjë e më shumë do të shikojnë mundësitë për t’u larguar nga Kosova. “Një faktor shumë i rëndësishëm është vetë populli i Kosovës, vetë udhëheqësia e Kosovës. Në qoftë se ata koncentrohen dhe vetëdijësohen për ta mbajtur këtë popull këtu, këtë rini këtu, atëherë mund të bëhet diçka mirë, përndryshe do të zbrazet edhe më tutje Kosova”, pohon profesori Mehdiu. Sipas statistikave të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, shkalla e papunësisë në Kosovë arrin deri në 43 përqind. Por, kjo shifër supozohet të jetë shumë më e madhe, pasi sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, jo të gjithë të papunët regjistrohen si të tillë në zyrat e punësimit.
XS
SM
MD
LG