Ndërlidhjet

VETËVENDOSJA SYNON AKSIONE SIMBOLIKE - POLICIA E GATSHME TA KONTROLLOJË SITUATËN


Zijadin Gashi

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë sot publike një pjesë të skenarit të saj për protestat e paralajmëruara, që do të mbahen nesër në Prishtinë. Protesta edhe kësaj radhe do t’i vihet në kundërshtim pakos së Ahtisaarit, Ekipit Negociues të Kosovës, si dhe do të kërkohet lirimi pa kusht nga burgu i liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit dhe aktivistëve të tjerë të saj. Gjatë protestës së nesërme, Vetëvendosja paralajmëroi dhe disa aksione, siç thanë ata, simbolike. Aktivisti i kësaj lëvizjeje, Liburn Aliu, tha se këto aksione nuk kanë për qëllim të sjellin dhunë dhe as marrjen e institucioneve të Kosovës, siç interpretohet në disa raste nga autoritetet. “Do të ketë aksione simbolike, ashtu siç ka pasur edhe në demonstratat e mëhershme. Por cilat do të jenë ato, do ta shihni në demonstratë. Dua të theksoj se në demonstratën e 3 marsit, nuk do të lëndohet askush dhe nuk do të jetë cak lëndimi i personave fizikë”, tha Aliu. Duke e mbështetur aktivistin Aliu, edhe Glauk Konjufca tha se protesta do të ketë si skenar të vetin, aksionet e saja që do të demaskojnë politikën e Ekipit Negociues, që mbështet planin e Ahtisaarit për statusin e Kosovës. “Nëse mendoni një demonstratë me duar në xhepa, pas së cilës ne kthehemi dhe pimë çaj, nuk do të jetë e tillë. Pra, nuk do te jetë me duar në xhepa”, theksoi Konjufca. Në anën tjetër, organet e rendit kanë paralajmëruar se do të lejojnë zhvillimin e protestës, ndërkohë që tërhiqet vërejtja se policia nuk do të tolerojë eskalimin në dhunë dhe aktet kundër pronës private e publike, të cilat do të cilësohen si kriminale. Nesër nga ora 10 e mëngjesit, të gjitha rrugët në qendër të Prishtinës do të mbyllen për qarkullimin e veturave, theksoi zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani. Ai tha se policia është e gatshme të marrë gjendjen nën kontroll, në rast se protesta eskalon në dhunë. “Dëmtimi i pronës private apo publike është i dënueshëm me ligj dhe kjo nuk është e tolerueshme. Sidoqoftë, plani operativ është fleksibil dhe në bazë të tij do të veprohet”, tha Elshani. Ndërsa policia zotohet se do të përkujdeset që dhuna e 10 shkurtit, ku nga plagët e marra në protestat e Vetëvendosjes patën humbur jetën 2 veta dhe qenë lënduar dhjetëra të tjerë, nuk do të përsëritet, presidenti i Kosovës dje u është drejtuar qytetarëve me mesazhe për qetësi, duke i ftuar ata që të besojnë tek lidershipi i Kosovës. Ata që planifikojnë, nxisin dhe ushtrojnë dhunën për qëllime politike, janë kundër pavarësisë së Kosovës, meqë propozimi i presidentit Ahtisaari e shpie Kosovën pashmangshëm në pavarësimin e saj, ka pohuar presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

XS
SM
MD
LG