Ndërlidhjet

ASNJË NDIHMË FINANCIARE PËR FËMIJËT ME NEVOJA TË VEÇANTA


Nadie Ahmeti

Personat me aftësi të kufizuara nën moshën 18 vjeçare, nuk gëzojnë asnjë ndihmë financiare nga Qeveria e Kosovës. Kjo është vendosur sipas Ligjit për Pensionet e Aftësisë së Kufizuar, i cili është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2003. Organizatat që merren me mbrojtjen e kësaj kategorie, tashmë sa herë kanë deklaruar se ky ligj ka diskriminuar fëmijët me nevoja të veçanta. Shaqir Haxhaj, nga organizata e prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara, OPFAKOS, pohon se shumica e familjeve të këtyre fëmijëve, jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe ndihma financiare, sipas tij, është e domosdoshme. “Këta fëmijë, këto familje kanë nevojë të madhe sepse janë në gjendje jashtëzakonisht të rëndë. Situata ekonomike që është në Kosovë, atakon më së tepërmi familjet e personave me aftësi të kufizuara”, tha Haxhaj, duke shtuar se për këtë arsye, kjo organizatë ka kërkuar që në këtë ligj të përfshihen edhe fëmijët nën moshën 18 vjeçare. “Ne kemi kërkuar që këta fëmijë të përfshihen me një ligj tjetër ose me ndonjë formë tjetër. Tani është hartuar ligji për përkrahjen materiale për familjet e këtyre fëmijëve. Kështu që pritet. Edhe pse që dy vite është hartuar, prapë nuk është miratuar”, theksoi Haxhaj. Në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, ndërkaq thonë se kjo ministri vitin e kaluar ka hartuar një projekt-ligj për mbështetje financiare të këtyre fëmijëve, dhe e ka konsideruar një ndër projekt-ligjet me prioritet. Agron Bacaj, zëdhënës në këtë ministri, pohon se ky projekt-ligj pritet të dalë në Parlament nga gjysma e dytë e këtij viti, ndërkaq zbatimi i tij pritet në fillim të vitit të ardhshëm. “Mundësitë e kufizuara buxhetore kanë pasur si rrjedhojë ndalimin e procedimit të këtij projekt-ligji, gjatë vitit të kaluar. Unë e përseris që gjatë këtij viti, pritet të procedohet në Kuvend, në mënyrë që nga fillimi i vitit 2008 të bëhet edhe zbatimi i tij”, tha Bacaj. Ai shtoi se në ministri janë të vetëdijshëm për nevojat e këtyre fëmijëve, por një gjë të tillë e ka pamundësuar buxheti i kufizuar i Kosovës. “Në ligjin që po zbatohet aktualisht, janë të përfshirë personat mbi moshën 18 vjeçare. Përfitues të këtij ligji janë rreth 25 mijë qytetarë të Kosovës. Ministria ndan rreth 93 përqind të buxhetit të saj, për mbulimin e skemave sociale dhe skemës së pensioneve bazike dhe të aftësisë së kufizuar. Momentalisht nuk disponon me mjete të tjera, që do garantonin implementimin e ligjit për personat nën moshën 18 vjeçare”, thekson Bacaj. Por, Shaqir Haxhaj, nga OPFAKOS-i, nuk pajtohet me arsyetimet e Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale. Zbatimi i një ligji për përkrahje materiale të fëmijëve me aftësi të kufizuara, kushton afër 3 milionë euro në vit. “Arsyeja e tyre nuk është me vend, për shkak se në ligjin për nevojat e aftësisë së kufizuar, nuk duhet të shikohet çmimi. Ata vetëm e kanë parë se kushton 3 milionë euro në vit, dhe kanë hequr dorë automatikisht nga ai”, tha Haxhaj. Sipas Ligjit për Pensionet e Aftësisë së Kufizuar, shuma mujore e pensionit është e njëjtë me shumën mujore të pensionit themelor. Të gjithë personat me nevoja të veçanta prej moshës 18 deri në 65 vjeç, marrin nga 40 euro në muaj, ndërsa ata nën moshën 18 vjeç, nuk marrin asnjë ndihmë.
XS
SM
MD
LG