Ndërlidhjet

MASAT E SIGURISË GJATË PROTESTAVE


Albana Isufi

Zyra Amerikane në Prishtinë sërish i ka paralajmëruar qytetarët amerikanë, që të kenë kujdes dhe të ndërmarrin hapa të duhur për të ruajtur sigurinë e tyre. Paralajmërimi vjen si pasojë e protestës së Lëvizjes Vetëvendosje. Në një njoftim të postuar në internet, Zyra Amerikane thotë se, meqë dy protestat e mëhershme të kësaj lëvizjeje kanë përfunduar me dhunë, ekziston mundësia e madhe që akte të ngjashme të dhunës të inicohen nga protestuesit edhe sot. Qytetarëve amerikanë u është bërë thirrje, që të largohen nga rrugët e bllokuara dhe nga vendet ku do mbahet protesta. Ndryshe, Shërbimi Policor i Kosovës me qëllim që të evitojë dhunën ndaj institucioneve, ka rrethuar ndërtesën e Kuvendit, Qeverisë dhe UNMIK-ut me rrethoja hekuri, si dhe me barrikada betoni. Ndërkaq, rrugët nëpër të cilat "Vetëvendosja" ka planifikuar të marshojë, janë bllokuar që nga ora 10 e mëngjesit. “Është mbyllur për trafik rruga Nëna Terezë dhe rruga e policisë, Luan Haradinaj. Në pjesën tek ndërtesa e Qeverisë janë vënë barrikada muri, janë të një gjatësie të caktuar, ndërsa tek ndërtesa e Kombeve të Bashkuara janë të metalit apo hekurit”, tha zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani. Ndryshe nga hera e kaluar, sot, pjesëtarët e SHPK-së kanë rol parësor në kontrollimin e protestës. “Rolin prioritar gjatë këtij operacioni e ka policia e SHPK-së. Sidoqoftë, ne gjithmonë përkrahemi nga policia e UNMIK-ut”, tha Elshani, duke shtuar se policia do të intervenojë nëse do të ketë provokime. “Plani ynë është fleksibil dhe varësisht nga provokimi, do të jetë edhe reagimi i policisë”, tha Elshani. Protesta e 10 shkurtit e Lëvizjes Vetëvendosje përfundoi me 2 të vdekur dhe me mbi 80 të lënduar. Bilanci tragjik u shkaktua pas intervenimit të policisë, gjë që, sipas policisë, qe bërë për të penguar hyrjen e protestuesve në institucione. Pas kësaj, komisioneri i policisë, Stephen Curtis dhe ministri i brendshëm, Fatmir Rexhepi, kanë dhënë dorëheqje. Ndërsa, lideri i "Vetëvendosjes", Albin Kurti, gjendet ende në paraburgim.
XS
SM
MD
LG