Ndërlidhjet

PROTESTA E "VETËVENDOSJES" PA INCIDENTE


Rrahman Paçarizi

Protesta e sotme e Lëvizjes Vetëvendosje, ku morën pjesë disa mijëra njerëz, ka përfunduar pa incidente. Protestuesit janë nisur me brohoritje nga selia e "Vetëvendosjes" dhe kanë marshuar duke brohoritur kundër pakos së Ahtisaarit dhe Ekipit Negociues të Kosovës, si dhe për vetëvendosje. Nëpër rrugën kryesore Nëna Terezë, kah kanë marshuar protestuesit, nuk ka pasur forca policore, ndërkohë që policia ka qenë e pozicionuar përreth ndërtesave të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, ku masa e protestuesve është ndalur dhe atyre u është drejtuar njëri nga udhëheqësit e "Vetëvendosjes", Glauk Konjufca. “Pakoja e Ahtisaarit nuk është vetëm e Ahtisaarit, por ajo është edhe pakoja e Fatmirit (Sejdiut), e Agimit (Çekut), e Hashimit (Thaçit) dhe e Vetonit (Surroit), dhe vetëm pse është e këtyre njerëzve, nuk do të thotë se populli do ta pranojë atë pako”, u shpreh Konjufca. Ai i ka akuzuar anëtarët e Ekipit Negociues se nuk po e flasin të vërtetën, duke e paraqitur pakon e Ahtisaarit si të favorshme. Glauk Konjufca tha se pakoja, përkundrazi, është e dëmshme për Kosovën dhe popullin e saj. “Meqë kjo pako askund nuk e përmend vullnetin politik të popullit shumicë të Kosovës, kurse vendin tonë e lë peng të Serbisë dhe të 5 përqind të njerëzve brenda Kosovës, ne atë pako do ta shkatërrojmë”, theksoi Konjufca. Më pas, ai dhe aktivistë të tjerë të "Vetëvendosjes" kanë hedhur para Kuvendit një pako, në shenjë të mospranimit të propozimit për Kosovën që përmban pakoja e Ahtisaarit. Lëvizja Vetëvendosje disa herë i ka kundërshtuar bisedimet me Serbinë për statusin e Kosovës, si dhe propozimin për statusin, që ka dalë pas këtyre bisedimeve. Në protestat e fundit të kësaj organizate, mbajtur më 10 shkurt, gjatë përleshjeve me policinë, dy protestues qenë vrarë dhe dhjetëra të tjerë qenë plagosur. Krerët e institucioneve të Kosovës në dy ditët e fundit u kanë bërë thirrje qytetarëve, që të qëndrojnë larg protestave të dhunshme, duke vlerësuar se protestat e tilla e rrezikojnë pavarësimin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG