Ndërlidhjet

logo-print

BORXHET E GJIGANTIT “TREPÇA”


Nadie Ahmeti

Një ndër problemet kryesore që mban peng kombinatin "Trepça” në Mitrovicë, në aspektin e zhvillimit dhe atë të privatizimit, është borxhi i krijuar që në vitet e 90-ta, në kohën kur ky kompleks ishte menaxhuar nga pushteti serb. Kështu thotë menaxheri i këtij kombinati, Nazmi Mikullovci, duke shtuar se borxhi që ky kompleks thuhet se mund t’i ketë kreditorëve të huaj, arrin deri në 250 milionë euro. “Këtu bëhet fjalë për borxhe të cilat janë krijuar në vitet e 90-ta, në kohën kur Trepça në tërësi ka qenë e menaxhuar nga Kuvendi i Serbisë. Në atë kohë janë krijuar borxhe marramendëse, të cilat nuk e kanë bazën në dokumentacionin me të cilin disponojmë. Mirëpo, nuk e kanë edhe mbështetjen në infrastrukturën e krijuar, nuk ka makina dhe ndërtesa të ndërtuara. Dhe vetë fakti, kur flitet për borxhe prej 70 deri në 250 milionë euro, tregon në pasaktësinë e tyre”, tha zoti Mikullovci. Këto borxhe, shton ai, pala kosovare deri më tash, asnjëherë nuk i ka pranuar. “Ne në asnjë moment nuk i kemi sjellë në pyetje borxhet, të cilat Trepça i ka krijuar realisht dhe janë produkt i afarizmit të Trepçës. Por, ne jemi kundër atyre borxheve, të cilat kanë një konotacion të politikës dhe një konotacion të zgjedhjeve jashtë Trepçës”, theksoi zoti Mikullovci. Për të zgjidhur këto probleme, vitin e kaluar, administrata ndërkombëtare ka shpallur një moratorium në të gjitha ankesat e mundshme të kreditorëve. Dhe sipas një rregulloreje po të kësaj administrate, është vendosur që të emërohet një administrator ndërkombëtar, për të zgjidhur çështjen e borxheve. Por, Nazmi Mikullovci pohon se për shkak të mungesës së ofertave kualitative, ky administrator ende nuk është emëruar. “Në tenderin e hapur, i cili ka pasur për qëllim që të caktojë kompaninë e cila do të mund të ishte kandidate, nuk ka ardhur deri te zgjedhja, sepse nuk ka pasur oferta të mjaftueshme kualitative. Dhe ne tash presim vendimin e organeve më të larta, kur them më të larta, mendoj në kryeadministratorin, Joachim Ruecker dhe kryeministrin, Agim Çeku “, tha Mikullovci. Ai ndërkaq, vlerëson se për përmirësimin e gjendjes së Trepçës, nevojiten deri në 140 milionë euro investime. “Me këto të holla të cilat nuk janë jo të kapshme, do krijohej një prodhim prej më shumë se një milion tonelata xehe, dhe një bazë shumë e shëndoshë, jo vetëm për zhvillimin e Trepçës, por me prodhimin e metaleve të fisnikërisë së lartë, krijohen kushte për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Do të thotë ardhja e kapitalit privat, por jo brenda në Trepçë, por rreth Trepçës ”, pohon zoti Mikullovci. Puna në kombinatin metalurgjik Trepça, sektorët e të cilit gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit të Mitrovicës, që prej viteve të 90-ta, ka qenë me kapacitet të pjesërishëm, për shkak të zhvillimeve të atëhershme politike, nën regjimin e pushtetit serb. Ky kombinat që para viteve të 90-ta ka pasur 25 mijë punëtorë, tash numëron vetëm 2400 punëtorë aktivë, ndërkohë që më shumë se 6300 punëtorë, tashmë marrin pensione të parakohshme nga buxheti i konsoliduar i Kosovës.
XS
SM
MD
LG