Ndërlidhjet

logo-print

PËRPARIMI NË BISEDIMET PRISHTINË – BEOGRAD ËSHTË ILUZOR


Zijadin Gashi

Përfundimi i bisedimeve, të quajtura konsultative, ndërmjet Prishtinës e Beogradit pa ndonjë rezultat, është diçka e pritur, duke i ditur pozicionet krejt të kundërta të palëve në bisedimet për statusin e Kosovës, vlerësojnë analistët në Prishtinë. Lulëzim Peci nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, vlerëson se do të ishte iluzore që të priteshin marrëveshje ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Faza e konsultimeve, sipas tij, nuk i ka sjellë ndonjë dobi procesit, por i ka shërbyer Ahtisaarit që të argumentojë edhe njëherë qëndrimet krejt të kundërta ndërmjet palëve, lidhur me statusin e Kosovës. “Mendoj se tërë ky proces negociator që ka ndodhur tash, më shumë i ka shërbyer akomodimit të Rusisë për t’i dhënë edhe një shans bisedimeve, sesa që ka pasur për qëllim fundamental bërjen e ndryshimeve në pakon e Ahtisaarit”, theksoi Peci. Ndërkohë, analisti Ismajl Hasani vlerëson se palët në bisedimet e Vjenës, jo vetëm që kanë mbajtur pozicione të ndryshme në negociata, por edhe kanë treguar qasje të ndryshme ndaj pakos për statusin. Ndërsa Prishtina ka kërkuar më tepër që të bëhen disa sqarime në pakon e Ahtisaarit, pala serbe, shton Hasani, ka kërkuar një ridraftim të dokumentit. Kërkesa për formimin e entitetit serb si dhe ajo për kthimin e një pjese të forcave të rendit të Serbisë në Kosovë për të mbrojtur manastiret ortodokse, sipas Hasanit, në mos tjetër, para faktorit ndërkombëtar, kanë vërtetuar se negociatat me Beogradin nuk mund të sjellin ndonjë rezultat konkret. “Në paraqitjet e ndryshme, shkrimet e ndryshme, kemi atë rezultatin famoz, zero me zero. Unë nuk mendoj se është zero me zero. Ka përparime, për arsye se më në fund, të gjitha subjekteve të involvuara në këto bisedime, u jepet për të kuptuar se sa është e vështirë të bisedohet, të konsultohet me palën serbe në këtë fazë, dhe në anën tjetër, sa e lehtë është të kooperohet me palën kosovare, përkatësisht me Ekipin e Unitetit, që përfaqëson interesat e Kosovës në këto bisedime”, tha Hasani. Në anën tjetër, analisti, Lulëzim Peci, nuk pret ndonjë ndryshim esencial në pakon e Ahtisaarit, as gjatë takimit Prishtinë–Beograd, që do të mbahet më 10 mars, po në Vjenë. “Takimi i 10 marsit do të jetë po në këtë vazhdë, do të thotë palët do të njoftohen me atë se çka ka brenda, do ta japin nga një deklaratë politike, por nuk do të kenë mundësi që të ndryshojnë diçka brenda asaj pakoje”, theksoi Peci. Po në lidhje me takimin e 10 marsit, kur në Vjenë, Prishtina e Beogradi parashihet të mbajnë takimin e fundit, analisti Ismajl Hasani thotë se ky takim do t’i ndihmojë Ahtisaarit, që ta përmbyllë punën e tij para se t’ia adresojë dokumentin e tij final Këshillit të Sigurimit. “Mendoj se do të jetë një takim më shumë i natyrës protokollare. Zakonisht këto konsultime, do të duhej, është logjike, që të përmbyllen me takim ‘elefantësh’, edhe pse nuk ka shumë ‘elefantë’ në Evropën Juglindore. Por, figurativisht do të thotë, takimi do të jetë më shumë konsultativ, reprezentues, dhe një hap përpara për t’i krijuar mundësi Ahtisaarit që ta formësojë propozimin e tij, të cilin do ta prezantojë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, u shpreh Hasani. Bisedimet Prishtinë–Beograd, të filluara në shkurtin e vitit të kaluar nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, kanë rezultuar me një dokument, që palëve u është prezantuar më 2 shkurt të këtij viti. Pakoja e Ahtisaarit është komentuar se përmban si zgjidhje, pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën. Një opsion i tillë është mirëpritur nga Prishtina, ndërsa është refuzuar nga Beogradi.
XS
SM
MD
LG