Ndërlidhjet

EPOPEJA E UÇK-SË KALON NË SHENJË THIRRJEJE PËR MATURI


Albana Isufi

Kryeministri Agim Çeku siguroi sot qytetarët, se pakoja për statusin e Martti Ahtisaarit i ofron Kosovës të gjitha mekanizmat shtetërorë. Ai tha se Kosova, bashkë me miqtë ndërkombëtarë, ka mbyllur kapitullin e lirisë, ndërsa tash po synon të mbyllë edhe atë të pavarësisë. ”Kosova po bëhet gati për të marrë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë. Nga dokumenti i presidentit Ahtisaari, del qartë se do t’i kemi të gjitha mekanizmat që i ka një shtet demokratik, përfshirë edhe mekanizmat e mbrojtjes dhe sigurisë. Do të kemi policinë tonë, forcën tonë të armatosur, ministrinë e mbrojtjes, kontrollin mbi hapësirën tonë ajrore, do të kemi një shërbim inteligjent, do të kemi një këshill kombëtar të sigurisë”, tha kryeministri Çeku. Ai, në manifestimin kushtuar Epopesë së UÇK-së, siguroi se forca e ardhshme e Kosovës do të ndërtohet mbi vlerat, përvojën dhe kapacitetet humane e operacionale të Trupave Mbrojtëse të Kosovës. “Në emër të Qeverisë së Kosovës, ju siguroj se si bashkëluftëtar e bashkëpunëtor i juaj, do të luftoj që ju të keni vendin dhe trajtimin e merituar”, tha Çeku. Ndërsa, pas parakalimit të pjesëtarëve të TMK-së në stadiumin e qytetit në Prishtinë, komandanti i këtyre trupave, gjenerali Sylejman Selimi, tha se në kohën kur po përcaktohet shtetësia, Kosovës më tepër se kurrë i duhet uniteti dhe bashkëveprimi. “Si gjithnjë në kohë të rëndësishme, duhet të kemi përgjegjësi shumë të lartë në ndërtimin e së ardhmes, për brezat tonë. Në kuadër të këtij procesi të përcaktimit të shtetësisë së Kosovës, edhe për TMK-në është një kohë shumë e rëndësishme, që kërkon një punë dhe përgjegjësi të lartë për të ardhmen e sigurisë së Kosovës”, tha gjeneral Sylejman Selimi. Kreu i partisë më të madhe opozitare, Hashim Thaçi, kërkoi nga qytetarët që të kthejnë shikimin kah e ardhmja, siç e quajti ai, plot shpresë e Kosovës. “Ju lus që sot të kthejmë kokën nga shqetësimet e sotme, drejt së ardhmes plot shpresa për siguri dhe besim. Të kthejmë shikimin drejt asaj që ishte frymëzim dhe vizion i Adem Jasharit, ditës së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, u shpreh kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi. Rifat Jashari, vëllau i komandantit të UÇK-së, Adem Jasharit, bëri thirrje për unitet në prag të, siç tha ai, formimit të shtetit të Kosovës. “Ne sot duhet të jemi më të bashkuar se kurrë në jetën tonë, për të ardhmen e Kosovës. Duhet të kemi durim, të qëndrojmë të qetë e të matur në këto momente historike për formimin e shtetit të Kosovës”, tha Rifat Jashari. Në ditën e parë të manifestimit Epopeja e UÇK-së, liderët thanë se sakrifica e Adem Jasharit e ka bërë të panegociueshme kërkesën për pavarësinë e Kosovës.

XS
SM
MD
LG