Ndërlidhjet

HAGË


Ka filluar sot në Hagë gjykimi ndaj ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lah Brahimaj dhe Idriz Balaj.
Haradinaj akuzohet për drejtimin e një fushate që synonte dëbimin e serbëve dhe romëve nga fshatrat e tyre si dhe për vrasjen e serbëve, romëve dhe shqiptarëve të njohur si bashkëpunëtorë të forcave serbe.
Haradinaj javën e shkuar deklaroi në Hagë se nuk ishte fajtor dhe "ndihej i fyer nga akuzat".
Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla Del Ponte në paraqitjen e akuzës tha se gjykimi në fjalë nuk ka lidhje me procesin për përcaktimin e statusit që po zhvillohet në këtë periudhë. Ajo e cilësoi ish kryeministrin Haradinaj si "gangster me uniformë" që i "ka duart e lyera me gjak".
Nga ana tjetër në emër të mbrojtjes foli Ben Emmerson, i cili tha se Haradinaj "bëri një luftë të nderuar".
"I përballur me fuqinë e jashtëzakonshme ushtarake të forcave serbe ai arriti të organizojë mbrojtjen e popullit shqiptar", theksoi mbrojtja.
Ai shtoi se Haradinaj "u bë shembull dhe asnjëherë nuk kërkoi nga ushtarët e UÇK-së të luftonin në një betejë për të cilën ai vetë nuk qe i përgatitur".
Në vendlindjen e Haradinajt mbi 5000 vetë marshuan qetësisht në mbështetje të Ramush Haradinajt, Lah Brahimajt dhe Idriz Balajt.
Qeveria e Kosovës përmes një deklarate ka theksuar se "Z. Ramush Haradinaj, z. Lahi Brahimaj dhe z. Idriz Balaj, kanë bërë luftë për mbrojtjen e vendit dhe nuk kanë qenë agresorë, por çlirimtarë." Qeveria e Kosovës shpreh besimin se "drejtësia ndërkombëtare do ta konstatojë një gjë të tillë".
XS
SM
MD
LG