Ndërlidhjet

PRISHTINA KËRKON MOSNDRYSHIMIN NË ESENCË TË PAKOS SË AHTISAARIT


Zijadin Gashi

Ekipi Negociues për statusin e Kosovës ka vlerësuar pozitivisht rrjedhat e bisedimeve konsultative në Vjenë, gjatë dy javëve të kaluara. Njëkohësisht, ka caktuar ekipin e vet përfaqësues për takimin e nivelit të lartë me Beogradin, të thirrur që të mbahet më 10 mars në Vjenë, të cilit do t’i prijë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Zëdhënësi i Ekipit Negociues të Kosovës, Skender Hyseni, tha se ka paralajmërime zyrtare që emisari i Kombeve të Bashkuara për statusin, Martti Ahtisaari, do t’ia dorëzojë nesër Prishtinës dokumentin e plotësuar, i cili në fakt besohet se do të jetë dokumenti final, lidhur me statusin e Kosovës. Para udhëtimit për në Vjenë, Hyseni tha se Prishtina do ta analizojë me kujdes këtë dokument, dhe më pas, delegacioni më i lartë i Prishtinës do të udhëtojë për raundin e fundit të bisedimeve. Pozicioni i Kosovës, sipas Hysenit, është që ky dokument të mos pësojë ndryshime në esencë, krahasuar me pakon e prezantuar nga Ahtisaari, më 2 shkurt në Prishtinë e Beograd. “Unë ndjej nevojën të theksoj qëndrimin e fortë të Ekipit të Unitetit dhe të Kosovës, që pakoja e Ahtisaarit, e prezantuar më 2 shkurt, nuk duhet të pësojë ndryshime në substancë. Ajo për çka është angazhuar Kosova në periudhën konsultative në Vjenë, është precizimi i mëtejmë i disa dispozitave, ose qartësimi, saktësimi i tyre, gjithnjë me qëllim të bërjes së pakos si tërësi më funksionale”, theksoi Hyseni. Ai tha se delegacioni i Kosovës ka kërkuar nga Ahtisaari, sidomos, të qartësojë procesin e transformimit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe formimit të Forcës së Sigurisë për Kosovën. Mirëpo, përveç kërkesave për disa korrigjime, siç tha ai, Prishtina nuk mbështet ndonjë ndryshim esencial në pakon e prezantuar. Ndërkohë, lidhur me takimin e 10 marsit në Vjenë, Hyseni tha se atë ditë, mund të pritet që Ahtisaari të japë dhe rekomandimin e tij lidhur me statusin, të cilin më pas do t’ia përcjellë edhe Këshillit të Sigurimit. Ai shtoi se Prishtina nuk sheh tjetër rekomandim, përveç pavarësisë së Kosovës. “Presidenti Ahtisaari menjëherë pas 10 marsit pritet që, në afat optimal e kjo do të thotë brenda 2 apo 3 ditësh, ta përcjellë pakon e tij në New York, të shoqëruar me një rekomandim të qartë për statusin. Por, ne nuk shohim asnjë zgjidhje për Kosovën, përveç pavarësisë. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër që do të funksionojë në Kosovë. Ka togfjalësh të ndryshëm, pavarësi e kushtëzuar, e mbikëqyrur, e observuar, e monitoruar. Pra, do të ketë një prani civile ndërkombëtare, që është pranuar nga Kosova”, pohoi Hyseni. Delegacionit të Kosovës, që do të niset për në Vjenë për të përmbyllur procesin negiocius lidhur me statusin, do t’i prijë presidenti Fatmir Sejdiu, ndërkohë që pjesë e tij do të jenë dhe kryetari i Kuvendit, Kolë Berisha, kryeministri Agim Çeku, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Reformiste Ora, Veton Surroi, si dhe koordinatori i ekipit të ekspertëve, Blerim Shala. Në këtë delegacion do të marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë të partive politike. Me takimin e 10 marsit, pritet të përmbyllen bisedimet Prishtinë–Beograd. Pak ditë më pas, Ahtisaari ka paralajmëruar që dokumentin e tij do t’ia adresojë Këshillit të Sigurimit, ku më pas priten hapat e mëtejmë lidhur me vendimmarrjen dhe rezolutën e re për statusin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG