Ndërlidhjet

DOBBINS: SHBA-TË KËMBËNGULIN PËR ZGJIDHJEN QË PRANOHET NGA SHUMICA E POPULLIT NË KOSOVË


James Dobbins, ish i dërguar i presidentit Klinton në Ballkan

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dobbins, gjatë viteve të fundit shpeshherë është shtruar pyetja se kur do ta shohim zgjidhjen e statusit të Kosovës. A mund të themi se tani jemi në fazën e fundit të zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe si do duket ky status?

JAMES DOBBINS
Mendoj se jemi në fillim të një faze të re, por nuk e di nëse kjo është faza përfundimtare e zgjidhjes së statusit. Dua të shtoj se Kosova nuk do të jetë më nën kujdestarinë e Kombeve të Bashkuara dhe do të lëvizë drejt asaj që është quajtur pavarësi e kushtëzuar.
Do jetë pavarësi me mbikqyrje dhe prani ndërkombëtare sipas modelit të Bosnjës. Ky do të jetë një hap i rëndësishëm përpara për Kosovën.
Mund të parashikohet se në një të ardhme do të kemi largimin e pranisë ndërkombëtare, por nuk mendoj se kjo do ndodhë në të ardhmen e afërt. Besoj se dhe shumica e kosovarëve nuk kanë dëshirë një largim të shpejtë të pranisë ndërkombëtare dhe garancive të sigurisë që ato ofrojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryendërmjetësi Ahtisaari do t'i paraqesë gjatë kësaj jave propozimin e tij final të dyja palëve, të cilat do takohen dhe njëherë më 10 mars. Pas kësaj çështja do kalojë në Këshillin e Sigurimit. Cila do jetë ecuria në Këshillin e Sigurimit?

JAMES DOBBINS
Hapi që pason do jetë hartimi i një projekt rezolute të re që do zëvendësojë rezolutën aktuale 12-44. Mendoj se fillimisht teksti i rezolutës do hartohet brenda Grupit të Kontakit, ku do ketë përpjekje për të gjetur një gjuhë të përbashkët në mes të vendeve anëtare. Më pas nëse do bien dakord për tekstin ai do t'i paraqitet Këshillit të Sigurimit, ku sipas të gjitha gjasave do miratohet dhe nga vendet e tjera që nuk janë pjesë e Grupit të Kontaktit.
Nëse Grupi i Kontaktit nuk do arrijë të hartojë një tekst të pranuar nga të gjitha vendet anëtare, rezoluta sërish do diskutohet në Këshillin e Sigurimit. Ka gjasa që rezoluta edhe në këto kushte të miratohet, kur Rusia dhe Kina do të abstenojnë.
Natyrisht ka mundësi që projekt rezoluta nëse nuk ka marrëveshje brenda Grupit të Kontaktit të mos miratohet, dhe në një rast të tillë, NATO-ja, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta marrin vetë vendimin.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni rolin e Rusisë dhe në cilat rrethanat Moska do ta pranonte rezolutën e re e në cilat jo?

JAMES DOBBINS
Rusia do përpiqet të zbusë tekstin, përfshi dhe mospërdorimin eksplicit të fjalës pavarësi. Nga ana tjetër nuk është e qartë se Rusia dëshiron të bllokojë çdo përparim rreth statusit të Kosovës. Do të ketë dhe një morri faktorësh të tjerë që do përcaktojnë qëndrimin e Rusisë.
Kosova në vetvete nuk është një çështje shumë e rëndësishme për Rusinë, ajo ka çështje të tjera shumë më të rëndësishme në raport me vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, të cilat edhe do ndikojnë në marrjen e vendimit të Rusisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka ekspertë që thonë se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do gjejnë një ujdi për Kosovën, por ajo do jetë ujdi dhe jo zgjidhje e problemit. Cili është mendimi juaj?

JAMES DOBBINS
Nuk jam i sigurt çfarë ata kanë parasysh, kur e thonë një gjë të tillë. Shtetet e Bashkuara do këmbëngulin për një zgjidhje që është e pranueshme për shumicën e popullsisë në Kosovë. Ndoshta ajo zgjidhje nuk është zgjidhja ideale dhe mbase nuk do pranohet nga të gjithë, por Shtetet e Bashkuara do insistojnë se zgjidhja do jetë ajo që është e pranueshme për shumicën e popullit në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë disavantazhet për Kosovën nëse Këshilli i Sigurimit nuk qartëson statusin, por i hap rrugën vendeve që në bazë të marrëdhënive dypalëshe të vendosin ta njohin pavarësinë e Kosovës. Dhe cilat janë gjasat që të ndodhë një gjë e tillë?

JAMES DOBBINS
Skenari më i mundshëm është ai ku Këshilli i Sigurimit do miratonte një rezolutë që do ishte dykuptimëshe, por që do t'i hapte rrugën Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Mendoj se ky është një skenar më i mirë se sa në rastin kur nuk do të kishim fare një rezolutë të Këshillit të Sigurimit, pasi vendimi individual i qeverive për të njohur pavarësinë e Kosovës do të ishte më i vështirë. Megjithatë nëse Rusia bllokon çdo përpjekje për rezolutë në Këshillin e Sigurimit, atëherë vendet e mësipërme do vazhdojnë me planin për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni afatat kohore të këtij procesi. Kur do kemi diskutimin e rezolutës në Këshillin e Sigurimit e me rradhë?

JAMES DOBBINS
Aktualisht e kemi vonuar së tepërmi procesin. Plani i Ahtisarit duhej të paraqitej vitin e kaluar, tani jemi në mars, vonesë që erdhi si pasojë e zgjedhjeve në Serbi.
Procesi i negocimit të tekstit të rezolutës mund të marr dy–tre muaj. Vetëm në fund të pranverës apo fillim të verës do të mund ta dimë nëse këto përpjekje për të hartuar rezolutën do jenë të suksesshme apo do dështojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Refuzimi i Qeverisë dhe politikës serbe ndaj propozimit të Ahtisarit a e rrezikon procesin dhe rajonin?

JAMES DOBBINS
Qasja e Serbisë është e padobishme, në rradhë të parë për vetë Serbinë. Udhëheqësit dhe populli serb e dinë se nuk mund ta qeverisin Kosovën edhe nëse iu jepet, madje as nuk do përpiqen ta qeverisin Kosovën nëse iu lejohet një gjë e tillë. Ata nuk i duan shpenzimet dhe vështirësitë që vijnë nga qeverisja e Kosovës. Është një politikë thellësisht jorealiste.
Nuk mendoj se Serbia do jetë në gjendje të ndërmarrë diçka që do ndikonte në vendimin përfundimtar, veç do t'ia vështirësonte gjendjen të gjithë të interesuarve, por para së gjithash vetvetes.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse reflektoni rreth çështjes së Kosovës në situatën aktuale çfarë ju vjen së pari ndër mend?

JAMES DOBBINS
Procesi po ecën përpara ashtu siç ishte parashikuar rreth një vit më parë. Vështirësitë dhe vonesat kanë qenë të pritshme.
Për aq sa mund parashikoj mund të them se janë premisat për një zgjidhje të kënaqshme, edhe pse ndoshta jo ideale. Nga ana tjetër asgjë nuk është e sigurt derisa të ndodhë, ndaj muajt e ardhshëm do jenë të rëndësishëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe sa të sigurt mund të jenë kosovarët se do të kenë zgjidhjen që dëshirojnë?

JAMES DOBBINS
Ata duhet të jenë të bindur. Por është e rëndësishme që t'i manifestojnë dëshirat e tyre në mënyrë paqësore dhe të shprehin vullnetin e tyre në mënyrë të tillë që i lejon aleatët që kanë në mesin e bashkësisë ndërkombëtare që me efikasitet të vazhdojnë t'i mbështesin.

Intervistoi: Ilirjana A. Bajo

XS
SM
MD
LG