Ndërlidhjet

SEJDIU: NDRYSHIMET NË PAKON E AHTISAARIT KRYESISHT POZITIVE


Zijadin Gashi

Ndryshimet në pakon e Ahtisaarit nuk prekin esencën e dokumentit, të prezantuar më 2 shkurt në Prishtinë, ka vlerësuar presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Disa orë pasi që Zyra e Ahtisaarit i ka dorëzuar sot Prishtinës versionin final të pakos për statusin e Kosovës, presidenti Sejdiu ka vlerësuar se këto ndryshime janë pozitive, edhe pse, sipas tij, ende nuk është bërë një analizë e tërësishme e versionit më të ri të dokumentit të Ahtisaarit. Pas një takimi që Sejdiu zhvilloi me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecker, presidenti i Kosovës tha se kishte një përshtypje të mirë, ngase ndryshimet e bëra janë pozitive. “Unë mendoj se dokumenti nuk ndërron në esencë. Madje, ka disa formula që janë shumë mirë të saktësuara. Por, nuk ka ndryshime të veçanta, që mund të prishin esencën e dokumentit. Kryesisht janë pozitive, që mendoj se janë edhe vrojtime të presidentit Ahtisaari, por edhe të delegacionit të Kosovës, që ka dhënë vërejtjet e veta gjatë këtyre takimeve që ka pasur”, tha Sejdiu. Nesër, pas takimit të Ekipit Negociues, Prishtina do të dalë me një qëndrim edhe më të qartë dhe unik, lidhur me pakon e Ahtisaarit, theksoi presidenti i Kosovës. Ndërkaq, shefi i administratës ndërkombëtare, Joachim Ruecker, tha se beson që dokumenti i Ahtisaarit është një bazë e mirë për të ardhmen e Kosovës. “Unë vazhdoj të besoj në atë që Ahtisaari do të prodhojë si rezultat të këtij procesi, diçka që duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët. Nuk jam i sigurt, nëse të dyja palët do ta pranojnë, por diçka që do të duhej të ishte e pranueshme”, tha Ruecker. Pas 10 marsit, përqëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare, por edhe i Kosovës, do të kalojë nga Vjena në New York, për të parë se si do të rrjedhë më tej procesi në Këshillin e Sigurimit, theksoi shefi i UNMIK-ut. Po sot, edhe lideri i partisë më të madhe opozitare, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se ndryshimet në pakon e Ahtisaarit janë konstruktive. Ndonëse nuk ka komentuar shumë ndryshimet e bëra në tekstin final të dokumentit të Ahtisaarit për statusin e Kosovës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës tha se Kosova është e përgatitur dhe unike, që të tejkalojë edhe këtë sfidë. “Pakoja e Ahtisaarit përmban substancën e shtetit të ardhshëm të Kosovës. Ndryshimet do të jenë konstruktive. Besoj që Prishtina dhe komuniteti ndërkombëtar do të kenë të njëjtin qëndrim për të ardhmen e Kosovës”, pohoi Thaçi. Nesër, delegacioni më i lartë i Kosovës do të mblidhet dhe do të dalë me një qëndrim unik, lidhur me dokumentin final të Ahtisaarit. Kurse të premtën, ky delegacion i prirë nga presidenti Fatmir Sejdiu, niset për në Vjenë, ku të shtunën, më 10 mars, do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Ahtisaari, e ku do të jetë dhe delegacioni i lartë i Serbisë. Pas këtij takimi, edhe zyrtarisht është paralajmëruar që Ahtisaari, brenda pak ditësh, dokumentin e tij final për statusin e Kosovës do ta adresojë në Këshillin e Sigurimit.
XS
SM
MD
LG