Ndërlidhjet

ABRAMOWITZ: PLANI I AHTISAARIT – HAP DREJT SHTETËSISË


Morton Abramowitz, ish diplomat amerikan

RADIO EVROPA E LIRË
Kryendërmjetësi Ahtisaari i ka paraqitur palëve propozimin e tij për të ardhmen e Kosovës. Çfarë mendoni për propozimin?

MORTON ABRAMOWITZ
Baza e propozimit është e qartë dhe bëhet fjalë për pavarësinë e Kosovës, apo më mirë të themi pavarësi e mbikqyrur, duke pasur parasysh kushtetutën e Kosovës dhe misionin e Bashkimit Evropian atje.
Propozimi është një hap i rëndësishëm përpara drejt krijimit të shtetit. Tani mbetet që Kombet e Bashkuara duhet të miratojnë një rezolutë që i jep fund asaj ekzistueses 1244 dhe mbështet pakon e Ahtisarit.

RADIO EVROPA E LIRË
Shqetësimet kryesore lidhur me planin e Ahtisaarit kanë të bëjnë me decentralizimin. Mënyra se si parashihet decentralizimi në këtë plan, ai i lejon Kosovës të funksionojë në mënyrë efikase?

MORTON ABRAMOWITZ
Ka shqetësime serioze lidhur me faktin se plani i zotit Ahtisaari nuk do të lejojë krijimin e një shteti të fortë dhe kjo lidhet me decentralizimin dhe fuqinë e misionit të Bashkimit Evropian.
Këto shqetësime nuk duhet të bëhen pengesë për ecjen përpara dhe miratimin e planit të Ahtisaarit. Njerëzit e Kosovës do jenë në gjendje t'i menaxhojnë këto situata dhe shpresojmë që pas miratimit të planit të shohim një qeveri funksionale dhe efikase, e cila me kohën do bëhet plotësisht e pavarur.
Ndonëse edhe vetë i kam disa shqetësime për planin këmbëngul se në asnjë mënyrë ato nuk duhet të shërbejnë si arsye për vonesa apo për hedhjen poshtë të këtij propozimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Copëtimi i Kosovës është përjashtur në mënyrë të vazhdueshme nga vendet e Grupit të Kontaktit. A mund të themi se kjo mundësi është hequr përgjithmonë nga tryeza?

MORTON ABRAMOWITZ
Është padyshim diçka për të cilën fuqitë perëndimore kanë këmbëngulur që të përjashtohet. Megjithatë nuk mund ta përjashtojë mundësinë që Serbia në Kombet e Bashkuara të përpiqet të paraqesë një alternativë ndaj planit të Ahtisaarit, të cilin e kundërshtojnë plotësisht. Ata mund të paraqiten me variantin e ndarjes për ta minuar planin e kryendërmjetësit. Në Beograd flitet shumë për këtë mundësi, për të cilën nuk besoj se do funksionojë.
Nga ana tjetër një plan i tillë dëshmon pandjeshëmrinë e shumë udhëheqësve serbë, pasi do çojë në largimin e serbëve nga shtëpitë e tyre në pjesë të ndryshme të Kosovës për t'u vendosur në veri. Kjo padyshim nuk është e mirë për ta.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni rrugën e propozimit të zotit Ahtisaari në Këshillin e Sigurimit?

MORTON ABRAMOWITZ
Kjo është çështja. Pyetja kyçe këtu mbetet se çfarë do bëjë Rusia. Deri tani rusët paraqiten me idenë se do mbështesin vetëm një plan për të cilin palët bien dakord. Kjo është mënyrë për mbështetur gjendjen aktuale. Mbetet ende e paqartë nëse aleatët perëndimorë do jenë në gjendje ta mposhtin Rusinë duke bërë që ajo të abstenojë gjatë votimit në Këshillin e Sigurimit. Nëse Rusia do përdorë veton atëherë situata do komplikohet. Në kushte të tilla besoj se shumica e vendeve do pranojnë pavarësinë që do ta shpallë qeveria e Kosovës. Por një skenar i tillë ngre një morri pyetjesh ligjore. Prandaj përdorimi i vetos është diçka tepër destruktive.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, cilat janë gjasat që Rusia të përdorë veton?

MORTON ABRAMOWITZ
Nuk e di. Ajo që është e pazakonshme është se rusët kanë kontribuuar shumë pak në Ballkan në 20 vitet e kaluara dhe tash u jepet rol kryesor në përcaktimin e së ardhmes së rajonit. Kjo është për të ardhur keq. Është e vështirë për mua të them se çka do të bëhet. Kjo do të varet nga uniteti i perëndimit në aspektin që ta bindë Rusinë për të abstenuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët unitetin e perëndimit. Si është ky unitet aktualisht dhe sa të gatshme janë qeveritë e fuqive të mëdha perëndimore të pranojnë vullnetin e popullsisë së Kosovës?

MORTON ABRAMOWITZ
Sa i përket propozimit të Ahtisaarit, thuajse të gjitha vendet, përfshi dhe disa vende evropiane që ndoshta nuk e pëlqejnë një plan të tillë për një morri arsyesh, do vazhdojnë ta pranojnë planin dhe rezolutën e re të Kombeve të Bashkuara, që do mbështeste planin në fjalë.
Por nëse do kemi përdorimin e vetos nga Rusia atëherë ngrihen një morri pyetjesh të reja. Shumë vende nuk do duan të vazhdojnë më tej në një kohë kur nuk kemi bazën e re ligjore që do çonte përpara procesin e njohjes së shtetit të Kosovës. Kjo është një pasiguri e madhe.

RADIO EVROPA LIRË
A besoni se Rusia do përpiqet të dëmtojë unitetin e vendeve perëndimore?

MORTON ABRAMOWITZ
Nuk e di se cila është loja e Rusisë. Ndoshta ata po negociojnë duke vënë në tryezë çmimin e tyre, ndonëse nuk mund të flas me siguri. Një nga problemet që ka perëndimi është se Rusia mbetet lojtar kyç në disa çështje të tjera si janë programet bërthamore të Iranit, apo ndikimi në Evropë si pasojë e të qenit furnizuesi kryesor me gaz.
Është e paqartë, por shpresoj që rusët të sillen mirë, ndonëse vetoja e tyre do krijonte mungesë të madhe stabiliteti në Ballkan dhe Evropë. Shpresoj që ata po shohin mundësinë për të abstenuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Tashmë dihet se në Kosovë do kemi një mision të Bashkimit Evropian pas UNMIK-ut. Si e shihni rolin e Shteteve të Bashkuara në Kosovën e pas statusit?

MORTON ABRAMOWITZ
Mendoj se është korrekte që evropianët të marrin drejtimin në Kosovë, pasi ata kanë dhe interesa më të mëdha atje. Por SHBA-të do jenë pjesë e këtij misioni dhe do ruajnë interesin për Kosovën duke qenë se janë mbrojtësit më të mëdhenj të Kosovës. Trupat amerikane do jenë atje.
Derisa evropianët do kenë drejtimin në Kosovën e passtatusit interesi i Shteteve të Bashkuara do mbetet deri sa Kosova të bëhet një shtet që qëndron në këmbët e veta.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO

XS
SM
MD
LG