Ndërlidhjet

PRISHTINË


Inspektorati Policor i Kosovës publikoi sot raportin e përgatitur rreth protestës së 10 shkurtit në Prishtinë, të organizuar nga lëvizja "Vetëvendosje".
Në raport thuhet se policia ka ndërhyrë pasi "personat brenda turmës së protestuesve kanë filluar të ecin drejtë kordonit të policisë dhe i kanë shtyrë pengesat e çelikut kah këmbët e policëve duke iu shkaktuar lëndime".
"Disa filluan të gjuajnë me gurë, copa druri, çadra dhe gjësende tjera drejtë kordoonit policor. Njësiti Regjional për Mbështetje Operative i Shërbimit Policor të Kosovës filloi të humb hapsirën dhe dukej se plani i Vetëvendosjes për të sulmuar ndërtesat qeveritare mund të kishte sukses" thuhet në raport. Në këtë moment, sipas raportit, kanë ndërhyrë me gaz lotsjellës policët e njësisë speciale të UNMIK-ut.
Në raport vlerësohet se gjatë protestës është vërejtur se policët e SHPK-së kanë hezituar dhe është parë se ka pasur mungesë udhëheqjeje tek pjesëtarët e SHPK-së. Raporti konstatoi se plumbat e gomës i kanë pasur vetëm policët e UNMIK-ut.
Raporti rekomandon që Shërbimit Policor të Kosovës t'i jepen më shumë përgjegjësi lidhur me komandën kontrollin dhe angazhimin aktiv gjatë demonstratave. Gjithashtu rekomandohet trajnim për të gjitha nivelet e SHPK-së posaçërisht për ata që do të merren me demonstratat.
Përveç tjerash, Inspektorati rekomandon që definicioni i forcës së arsyeshme të shqyrtohet më tutje në doracakun e parimeve dhe procedurave të SHPK-së si përpjekje për përmirësimin e kapaciteteve të policisë për reagime në incidentet e ardhshme të trazirave qytetyare.
Në protestën e 10 shkurtit në Prishtinë, dy persona u vranë dhe rreth 80 u plagosën.
XS
SM
MD
LG