Ndërlidhjet

BASHKIMI EVROPIAN I NDARË RRETH KOSOVËS


“The Financial Times”

E ardhmja e Kosovës është duke i ndarë mes vete qeveritë evropiane, edhe pse u ka mbetur pak kohë për të zgjidhur mospajtimet para se çështja të kalojë tek Kombet e Bashkuara, kanë thënë disa zyrtarë në Bruksel. Një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian ka thënë se mungesa e konsensusit midis shteteve të Bashkimit Evropian mbi njohjen e Kosovës është duke dëmtuar edhe përpjekjet për të arritur pajtueshmërinë mbi rezolutën e Kombeve të Bashkuara në këtë çështje. Qëndrimi formal i Bashkimit Evropian është të përkrahë rezolutën e Kombeve të Bashkuara bazuar në përpjekjet e Martti Ahtisaarit, por disa nga vendet anëtare nuk dijnë si ta trajtojnë kundërshtimin e Serbisë ndaj pavarësisë së Kosoëvs. Derisa Britania e Madhe, e cila është më e gatshme ta njohë Kosovën si të pavarur, beson se marrëveshja në fund duhet të imponohet dhe jo të negociohet, vendet sikur Greqia, Qiproja dhe Spanja, nuk janë edhe aq të lumtura me një qasje të këtillë. Një zëdhënës grek ka thënë se për Greqinë është e rëndësishme të arrihet një zgjidhje e negociuar dhe jo e imponuar. Qëndrim të ngjashëm mbajnë edhe autoritetet spanjolle. Çështja bëhet edhe më e ndjeshme me faktin se plani i zotit Ahtisaari parasheh një pavarësi virtuale për Kosovën dhe si i tillë mund të përballet me kundërshtimin e Rusisë në Kombet e Bashkuara. Por, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë frikë se nëse statusi i Kosovës nuk zgjidhet në muajt e ardhshëm, Ballkani Perëndimor atëherë vazhdon të mbetet burim i jostabilitetit në zemër të Evropës. Pritet që Kombet e Bashkuara të diskutojnë rezolutën për Kosovën gjatë muajve prill dhe maj. Zyrtarë të Komisionit Evropian ndërkaq besojnë se dështimi i Bashkimit Evropian për të krijuar një front të përbashkët i vështirëson përpjekjet për ta bindur Moskën që të mos e shfrytëzojë veton në Këshillin e Sigurimit.
Në këtë kuadër, komisioneri për zgjerim i bllokut evropian, Olli Rehn, ka thënë se “Rusia dënon përgjithësisht unilateralizmin, por atëherë pse kërcënohet me veto, me një akt që përfundimisht është unilateral?”.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian është afër rifillimit të bisedimeve për thellimin e marrëdhënieve me Beogradin, për të shmangur kundërshtimin e Serbisë ndaj zgjidhjes së imponuar dhe pavarësisë së Kosovës. Një skenar këtillë nënkupton që këto bisedime për stabilizim-asociimin të zhvillohen gjatë muajit prill dhe të përfundojnë në vjeshtë, me një marrëveshje që Serbia të dorëzojë së shpejti pas kësaj aplikacionin për anëtarësim.

XS
SM
MD
LG