Ndërlidhjet

SA ZBATOHEN LIGJET QË MBROJNË TË DREJTAT E GRAVE NË KOSOVË?


Nadie Ahmeti

Të drejtat e grave në Kosovë respektohen vetëm në baza ligjore, ndërkaq në praktikë ato nuk zbatohen dhe janë shumë larg standardeve ndërkombëtare. Kështu thonë përfaqësueset e organizatave qeveritare dhe joqeveritare, me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Violeta Krasnqi-Rexha, koordinatore e grupit për barazi gjinore në Institucionin e Ombudspersonit të Kosovës, thotë se deri më tash, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një mori ligjesh për përmirësimin e të drejtave të grave në Kosovë, por këto ligje, sipas saj, janë të pamjaftueshme nëse nuk zbatohen në praktikë. Në bazë të një hulumtimi të kryer nga Institucioni i Ombudspersonit, mbi zbatimin e neneve që mbrojnë të drejtat e grave dhe funksionimin e gjykatave në këtë drejtim, zonja Krasniqi-Rexha jep përfundimet e këtij hulumtimi. “Në bazë të informatave, kemi kuptuar se gjykatat vonohen në lëshimin e këtyre urdhërave, atëherë shihet se sa është i dobët zbatimi i këtyre ligjeve, përkundër asaj që janë shumë të mira”, thotë zonja Krasniqi–Rexha. Hamide Latifi, udhëheqëse e organizatës joqeveritare “Gratë për Gratë” në Prishtinë, pohon se për shkak të moszbatimit të ligjeve, gruaja kosovare ende nuk e ka pozitën që duhet ta ketë në një shoqëri. Sipas saj, ligjet ekzistuese për këtë çështje janë shumë të mira në letër, por jetësimi i tyre mbetet i diskutueshëm. “Pa aspektin ekonomik, pa buxhet, pa financa, secili ligj është gjysmak. Ligjet janë shumë të mira në letër, mirëpo në jetën praktike nuk mund të gjejnë vend, për arsye se pa përmirësimin edhe të statusit ekonomik, nuk mund të zhvillohet shoqëria. Dhe, ligjet nuk mund të zbatohen pa mbështetje financiare”, pohon zonja Latifi. Vjollca Krasniqi-Rexha thotë se gratë nga të gjitha viset e Kosovës, paraqesin ankesa të shumta tek Ombudspersoni. “Kemi ankesa për dhunë në familje dhe kërkojnë këshilla nga institucioni, se cilat janë mundësitë e tyre për të dalë nga gjendja në të cilën janë, cilat janë mundësitë për shkurorëzim, për mbrojtjen e tyre. Zakonisht, gratë nuk kanë besim në sistemin gjyqësor”, thekson zonja Krasniqi–Rexha. Por, Hamide Latifi, nga organizata “Gratë për Gratë”, thotë se gati në të gjitha segmentet e jetës, grave u shkelen të drejtat e tyre. Sipas saj, fakti më shqetësues është mungesa e lirisë së lëvizjes. “Duke filluar prej shtëpisë, prej lëvizjes së lirë, ende shumë gra, mendoj se deri në 80% pa ekzagjeruar, nuk mund të lëvizin nga shtëpia, pa lejen e familjes. Prej lëvizjes së lirë, pastaj nis edhe e drejta e fjalës, e drejta e pjesëmarrjes në vendimmarrje në familje. Mandej, është çështja e pronave, si ndahet ajo pronë, kujt i takon ajo, edhe pse vajzat ende nuk kanë mundësi të mbrohen me ligj”, thotë zonja Latifi.
XS
SM
MD
LG