Ndërlidhjet

BLAKU: RRETH 15 MIJË KOSOVARË NË VIT E BRAKTISIN KOSOVËN


NadieAhmeti

Gjendja e rëndë ekonomike e sociale dhe niveli i lartë i papunësisë, ka shtyrë shumë të rinj kosovarë, që të kërkojnë rrugë alternative për një perspektivë më të mirë në tregjet e punës të vendeve të ndryshme të Evropës. Kështu të paktën pohojnë ekspertë të demografisë. Rifat Blaku, drejtor i Institutit për Hulumtime të Migrimit, pohon se sipas disa statistikave të këtij instituti, rreth 15 mijë kosovarë në vit në forma të ndryshme, largohen nga Kosova. Madje, sipas tij, një numër prej tyre largohet në mënyrë klandestine. Ai përmend Zvicrën, Gjermaninë dhe Anglinë, si vendet më atraktive për të rinjtë që synojnë të migrojnë. “Në Kosovë ende nuk ekziston një institucion i mirëfilltë vendor, i cili do të menaxhonte, do të administronte këtë proces, në tri fazat e tij, gjatë shkuarjes, gjatë punës dhe jetës në migrim, si dhe për ta ndihmuar dhe lehtësuar kthimin dhe integrimin“, thotë zoti Blaku. Ai ndërkaq, shpreson se pas zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, interesimi për migrim do të zvogëlohet, në qoftë se Qeveria e Kosovës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për punësim të organizuar me vendet e tjera të Evropës. “Ministritë përkatëse do të duhej, me siguri edhe për një kohë të gjatë, të kërkojnë, të hulumtojnë dhe të gjurmojnë tregun ndërkombëtar të punës”, pohon zoti Blaku. Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, që nga themelimi i saj, ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të nënshkruar marrëveshje për punësim sezonal për punëkërkuesit nga Kosova, në vendet e Bashkimit Evropian, thotë Agron Bacaj, zëdhënës në këtë ministri. Sipas tij, kjo ministri tashmë ka marrë disa premtime, se mënjëherë pas zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, do të arrijë të nënshkruajë marrëveshje për realizimin e projekteve për punësim sezonal. “Ne kemi diskutuar në vazhdimësi, kryesisht me zyrat që janë akomoduar në Prishtinë, zyrat diplomatike, që të kemi marrëveshje të tilla. Por, arsyetimi i tyre ka qenë që Kosova nuk ka status të definuar politik. Dhe për nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla për punësim sezonal, do të duhej që Kosova të ishte e njohur si shtet, sepse do të duhej të nënshkruhen marrëveshje ndërshtetërore”, thekson zoti Bacaj. Ndryshe, disa të rinj e mirëpresin një projekt të tillë. Hajdin Lata, absolvent në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, flet për përfitimet që mund të sjellë punësimi sezonal. “Me siguri që është me rëndësi, sepse çdo njeri që punon ka më pak kohë që të merret me aktivitete të tjera. Në njëfarë forme, do të përmirësoheshin kushtet e jetës, pastaj do të zvogëlohej kriminaliteti”, thotë zoti Lata. Me gjithë faktin se të rinjtë kosovarë janë të interesuar ta lëshojnë Kosovën, demografi Rifat Blaku, thotë se prej vitit 2000 e deri më tash, vendet e Evropës perëndimore kanë kthyer me detyrim rreth 49 mijë kosovarë, të cilët Kosovën e kanë braktisur gjatë viteve të 90-ta.

XS
SM
MD
LG