Ndërlidhjet

SEJDIU: NË VJENË DO TË ARGUMENTOJMË VIZIONIN PËR PAVARËSINË E KOSOVËS


Zijadin Gashi

Delegacioni i Kosovës është nisur sot pasdite për në Vjenë, për të marrë pjesë në takimin e nesërm, i cili pritet të shënojë përmbylljen e fazës së bisedimeve intensive për statusin e Kosovës, të zhvilluara ndërmjet Prishtinës e Beogradit, nën ndërmjetësimin e presidentit, Martti Ahtisaari. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se Prishtina është e gatshme të përfundojë edhe këtë takim, dhe t’i marrë mbi vete zotimet para bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën, shtet të pavarur e demokratik. Takimi i nesërm në Vjenë, sipas presidentit Sejdiu, do të jetë rast i mirë për Prishtinën që t’i argumentojë vizionet e veta për Kosovën e pavarur. “Do t’i japim të gjitha argumentet tona, për vizionin tonë politik, për pavarësinë e Kosovës, si një shtet i vlerave demokratike, si një shtet që do të ketë një qasje të veçantë në stabilitet rajonal dhe një shtet që pikërisht mbi këtë bazë, do të ketë po ashtu një qasje të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit“, theksoi Sejdiu. Ai tha se pret që Ahtisaari gjatë marsit, të përcjellë dokumentin e tij bashkë me rekomandimet e tija politike për statusin e Kosovës, në Këshillin e Sigurimit, kurse gjatë prillit, sipas Sejdiut, pritet që të ketë një aktivitet të gjerë, lidhur me statusin e Kosovës në New York. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, tha se nuk pret që në takimin e nesërm, të ketë hapësirë për ndryshime në pakon e Ahtisaarit. Sipas tij, me rëndësi është që procesi të mbajë dinamikën e duhur dhe se dokumenti për statusin t’i adresohet Këshillit të Sigurimit. Më pas, tha Çeku, për Kosovën hapet mundësia e nxjerrjes së rezolutës së re dhe me këtë edhe mundësia e pavarësisë së saj. “Ne jemi të bindur se Ahtisaari do të propozojë pavarësi për Kosovën. Mbështetja e propozimit të Ahtisaarit do të thotë mbështetje për pavarësinë e Kosovës dhe pas kësaj, shtetet do të fillojnë ta njohin individualisht atë”, pohoi Çeku. Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi se ditët dhe javët e pavarësimit të Kosovës po afrohen. Delegacioni i Prishtinës, tha ai, po shkon në Vjenë duke besuar se po respektohet vullneti i qytetarëve të Kosovës. “Për popullin e Kosovës, politikën e saj, ekziston vetëm një zgjidhje, Kosova e pavarur me pavarësi të plotë, me mbikëqyrje civile ndërkombëtare, me prezencë të NATO-s, për të gjithë qytetarët e Kosovës në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare”, theksoi Thaçi. Procesi negociator po përmbyllet me dokumentin apo marrëveshjen, që doli si rezultat i kompromisit të Prishtinës me bashkësinë ndërkombëtare, ka pohuar Veton Surroi, kryetar i Partisë Reformiste Ora. Ai kërkoi që dokumenti i Ahtisaarit, të mos lë dilema dhe të përmbajë në vete edhe rekomandimin e qartë për Kosovën e pavarur, para se t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit. “Ne nuk mund të aplikojmë çfarëdo forme të rirregullimit të pushtetit, nëse Kosova nuk e ka rekomandimin e presidentit Ahtisaari, të qartë, eksplicit për një shtet të pavarur, që në të ardhmen duhet të jetë anëtar i Kombeve të Bashkuara“, tha Surroi. Pala kosovare e ka mirëpritur dokumentin e Ahtisaarit, duke besuar se ky dokument i vë bazat e shtetësisë së Kosovës. Pas takimit të nesërm, është paralajmëruar tashmë edhe zyrtarisht, se presidenti Ahtisaari brenda pak ditësh, dokumentin e tij bashkë me rekomandimet shtesë lidhur me statusin e Kosovës, do t’ia adresojë Këshillit të Sigurimit. Ndërkohë, Prishtina pret që duke u bazuar në pakon e Ahtisaarit, Këshilli i Sigurimit do të nxjerrë më pas edhe rezolutën e re për Kosovën.
XS
SM
MD
LG