Ndërlidhjet

logo-print

SA BESOJNË PËRFAQËSUESIT SERBË NË MBËSHTETJEN E MOSKËS?


Albana Isufi

Qëndrimi i Moskës zyrtare, sa i përket zgjidhjes së statusit final të Kosovës, është përsëritur tashmë disa herë. Rusia nuk do të përkrahë planin e Ahtisaarit për statusin e Kosovës, nëse me këtë nuk pajtohet Beogradi dhe Prishtina. Por, sa është i rëndësishëm ky qëndrim i Rusisë për përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, në kohën kur qëndrimet ndërmjet palës shqiptare dhe asaj serbe dallojnë diametralisht? Anëtari i Ekipit Negociator serb, Goran Bogdanoviq, beson se Rusia do t’i mbetet besnike qëndrimit të saj dhe nuk do ta përkrahë vendimin për statusin, nëse për këtë nuk pajtohen të dyja palët. Ai thotë se është ende herët që të parashikohet, nëse Rusia do ta përdorë veton në Këshillin e Sigurimit, nëse vendimi për statusin do të jetë i papranueshëm për serbët. “Rusia së pari do të marrë në konsideratë interesat e veta, dhe këtë ajo e ka dëshmuar në shumë raste gjatë ngjarjeve në Ballkan. Besoj se edhe kësaj radhe, do të jetë parimore dhe nuk do të lejojë presion nga cilado fuqi perëndimore”, tha Bogdanoviq. Kryetari i asociacionit të komunave dhe vendbanimeve serbe, Marko Jakshiq, thotë se nuk i beson askujt tjetër, përveç Rusisë. Ai thekson se beson shumë në rolin e Rusisë në zgjidhjen e statusit final të Kosovës, për shkak të, siç thotë ai, rolit të madh që ka shteti rus në ekonominë globale. “Mendoj se Rusia do t’i qëndrojë besnike qëndrimit të vet. Është e qartë, se është një shtet i fuqishëm dhe nuk është lehtë të merresh me të. Është mjaft i fuqishëm ekonomikisht”, tha Jakshiq. Kryetari i Këshillit Nacional Serb në veri të Kosovës, Milan Ivanoviq, konsideron se zyrtarët nga Moska do t’i mbrojnë parimet dhe qëndrimet e tyre të bëra publike, sa i përket Kosovës. “Rusia nuk është më shtet i dobët. Është shtet i fuqishëm në aspektin politik, ekonomik e ushtarak. Është një shtet që nuk i ndryshon lehtë qëndrimet e veta. Mendoj se qëndrimin për Kosovën e ka pasur të njëjtë për një kohë të gjatë, e kështu edhe më tej do ta mbrojë qëndrimin për ruajtjen e sovranitetit të Serbisë në Kosovë dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare”, tha Milan Ivanoviq. Kryetarja e Këshillit Ekzekutiv të Këshillit Nacional Serb, Rada Trajkoviq, konsideron se ardhmëria e Kosovës duhet bazuar në një vendim kompromisi nga të gjitha palët, dhe assesi, siç thotë ajo, të bazohet në veton ruse, apo në pranimin e njëanshëm të Shteteve të Bahkuara të Amerikës. “Mendoj se vendimi më i mirë do të ishte, po që se arrihet pajtim brenda Grupit të Kontaktit, mes SHBA-ve, Rusisë, Bashkimit Evropian. Vendimi i njëanshëm nuk do të ishte i mirë për të ardhmen e Kosovës, ashtu sikurse nuk është e mirë as vetoja e Rusisë”, theksoi Rada Trajkoviq. Raundi i fundit i bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ashtu sikurse edhe bisedimet e mëhershme, ka përfunduar pa arritjen e kompromisit, ose të çfarëdo rezultati domethënës.

XS
SM
MD
LG