Ndërlidhjet

PRISHTINË


Delegacioni i Kosovës u kthye sot nga Vjena, ku dje është mbajtur takimi i delegacioneve të nivelit të lartë të Kosovës dhe të Serbisë me kryenegociatorin për statusin e Kosovës Marti Ahtisari. Presidenti Fatmir Sejdiu shfaqi bindjen se delegacioni i Kosovës ka arritur të shtrojë të gjitha argumentet për pavarësinë e Kosovës.
"Tani presim që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të marrë një vendim meritor, që do të jetë në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës" tha Sejdiu.
Sipas tij, "janë pranuar kompromise të dhimbshme, pasi Prishtina ka ofruar një qasje shumë gjeneroze për të gjitha çështjet".
Kryeministri Agim Çeku ndërkaq, tha se me takimin e 10 marsit definitivisht u përmbyll procesi i bisedimeve për statusin e Kosovës.
"Ky proces u përmbyll me propozimin për pavarësinë e Kosovës, si zgjidhje e vetme pa asnjë alternativë tjetër" tha Çeku.
Kryenegociatori Marti Ahtisari pritet që gjatë këtij muaji të dorëzojë propozimin e tij për statusin e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG