Ndërlidhjet

LAJÇI: DJALLI QËNDRON NË DETAJE


Driton LAJÇI, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike në UP

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Lajçi, përfundoi edhe periudha konsultative, në të cilën Prishtina dhe Beogradi, kanë paraqitur vërejtjet për dokumentin e Ahtisaarit. Si e vlerësoni ju në përgjithësi këtë proces, të zhvilluar deri tani?

DRITON LAJÇI
Fillimisht, procesi është stërzgjatur pak a shumë, sepse është planifikuar që statusi i Kosovës do të duhej të përfundojë dikund tri ose pesë vjetë, dhe kjo u stërzgjat. Kosova dhe qytetarët e saj janë duke kaluar nëpër një krizë të rëndë ekonomike, sociale dhe kjo stërzgjatje e ka keqësuar edhe më shumë jetën e tyre. Prandaj, ky është edhe çasti i fundit që shumica shqiptare dhe pakica serbe, të dinë për fatin e tyre politik, ekonomik, social, kulturor e kështu me radhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë, në Prishtinë u soll plani i përmirësuar i Ahtisaarit për statusin e Kosovës. Si e vlerësoni ju në përgjithësi këtë plan?

DRITON LAJÇI
Natyrisht se plani i Ahtisaarit mbështetet në kompromis, sepse dialogu ka për rezultat kompromisin. Në përgjithësi, do të thotë plani i Ahtisaarit ofron masa, ofron atribute edhe për shqiptarët, por edhe për pakicën serbe. Mirëpo, meqenëse kemi të bëjmë me popullin shqiptar edhe me pakicën serbe, që jetojnë brenda Kosovës, atëherë shumica shqiptare ishte më zemërgjerë dhe ua ofroi atyre kushtet, të cilat pakicat tjera nëpër vende të ndryshme të Ballkanit dhe të Evropës, nuk i gëzojnë. Kjo do të ishte mirë, po që se përfundon me kaq. Mirëpo, e keqja e krejt kësaj, e këtij procesi dhe e propozim-pakos së Ahtisaarit, është tendenca e Beogradit që disi të kthehet në Kosovë, qoftë tash në përgjithësi përmes marrëveshjes, qoftë përmes Kishës Ortodokse Serbe, përmes decentralizimit apo përmes veriut të Mitrovicës. Prandaj, këto nuk duhen anashkaluar sepse për mentalitetin ballkanas, këto mund të rishfaqen si probleme apo si pengesë e implementimit të pakos së Ahtisaarit, sepse Serbia e ka thënë edhe vetë publikisht, se nuk do të heqë dorë në asnjë moment prej kthimit të mundshëm në territorin e Kosovës, nëse jo me luftë, atëherë përmes mjeteve të tjera politike, diplomatike, ekonomike dhe të ekspertëve. Prandaj, është një proverbë amerikane, që unë po e përmend shpesh, e që thotë “Djalli qëndron në detaje”. Pra, këto detaje duhet të sqarohen, në mënyrë që të prehet njëherë e përgjithmonë depërtimi i Beogradit zyrtar në punë të brendshme të Kosovës, përfshirë edhe pakicës serbe. Nëse ndërprehet kjo lidhje, kjo ndërhyrje, unë jam i bindur se pakica serbe në Kosovë do të ketë dhe duhet të ketë një jetë të qetë, stabile, një progres në të gjitha fushat e zhvillimit të njerëzve. Prandaj, edhe shumica shqiptare, institucionet e Kosovës e kanë për obligim që të krijojnë kushte të mira për të gjithë qytetarët e saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Sidoqoftë, pakoja tashmë është e papranueshme për Beogradin, ndërkohë që Prishtina veç i ka thënë ‘po’ kësaj pakoje. Si i shihni ju zhvillimet e ditëve të ardhshme?

DRITON LAJÇI
Është pjesë e strategjisë së Beogradit dhe instrumenteve të tyre që janë në Kosovë, që të luajnë në kartën e të pakënaqurve. Prandaj, edhe po që se kryenegociator do të ishte kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Serbe, serbët do të ishin të pakënaqur sepse është pjesë e strategjisë së tyre, që në kuadër të kompromisit të arrijnë maksimumin e mundshëm. Ashtu siç e thatë edhe ju, serbët nuk do ta pranojnë. Pala e Kosovës, përfaqësuesit e shqiptarëve tashmë veç e kanë pranuar, e kanë thënë para se të nisen në Vjenë, përfshirë edhe ndryshimet e fundit, në të cilat megjithatë ka disa elemente, që kanë një avancim pozitiv për institucionet e Kosovës. Mirëpo, nuk do të ketë marrëveshje, siç e dimë. Dokumenti duhet të shkojë në Këshill të Sigurimit. Këshilli i Sigurimit pastaj duhet ta miratojë rezolutën, e cila do të jetë edhe burim tjetër juridik, politik i një riorganizimi të institucioneve të Kosovës, në harmoni me rezolutën e re për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Lajçi, edhe brenda Kosovës ka mendime të ndryshme për pakon. Disa thonë se duhet pranuar, ndërkohë që disa jo. Ju jeni i afërt me liderin e “Vetëvendosjes”, Albin Kurtin, i cili është këmbëngulës në mospranimin e pakos së Ahtisaarit. Si e vlerësoni ju këtë diversitet mendimesh?

DRITON LAJÇI
Protestat, meqenëse e përmendet “Vetëvendosjen” dhe organizatorin e tyre, njërin prej organizatorëve më të rëndësishëm, nuk e kanë dëmtuar dhe nuk e dëmtojnë procesin e statusit të Kosovës, edhe pse ka dallime esenciale mes institucioneve, palës neogociatore dhe “Vetëvendosjes”. Mirëpo, unë jam përpjekur që t’i gjej ato pikat, të cilat i bashkojnë. Pikat që i bashkojnë janë se protestat e ndihmojnë Grupin Negocaitor. Prandaj, këto protesta i armatosin ata me argumente, që shqiptarët nuk mund të bien nën atë që është thënë, nën pakon e propozuar nga Ahtisaari. Prandaj, kjo vetëm e ndihmon sepse nëse shtrohet pyetja, se a duhet dhënë më shumë dy milionve apo 5-6% sa janë... Prandaj, unë mendoj se dy milionë është edhe faktor stabiliteti edhe faktor destabiliteti. “Vetëvendosja” dhe Albin Kurti, e ndihmojnë në aspektin strategjik dhe vizionar procesin e statusit politik të Kosovës. Për mua një pyetje është akoma e paqartë, se a duhet ky sistem të ndryshojë apo jo. Ndërsa, në aspektet tjera pajtohem me qëndrimet dhe zhvillimet paqësore të “Vetëvendosjes”.

RADIO EVROPA E LIRË
Fundi i marsit është thënë nga zyra e UNOSEK-ut në Vjenë, se do të jetë edhe periudha përfundimtare, kur zoti Ahtisaari do ta dërgojë planin e tij në Këshillin e Sigurimit. Orientimisht, keni ndonjë ide se kur do të zgjidhet, kur do të miratohet rezoluta e re e cila do ta shfuqizonte Rezolutën 1244?

DRITON LAJÇI
Personalisht nuk e di agjendën e tyre, mirëpo Kosova nuk është më tutje në prioritetet më të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian. Është njëra prej prioriteteve të larta. Amerikanët dhe të tjerët kanë probleme të tjera më të rëndësishme, Irakun e kështu me radhë. Prandaj, nuk do të ishte mirë që kjo të shtyhet më tutje. Nuk kemi një përvojë të mirë, sa u përket premtimeve se nuk do të ketë shtyrje, sepse siç e pamë edhe kishim shtyrje, gjatë vitit, para vitit të ri. Dhe do të ishte mirë që kjo sa më shpejt të kryhet, edhe pse unë aty parashoh një varg neogociatash, që duhet të ndodhin mes vetë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Aty është Rusia edhe ndonjë përkrahës i saj, i cili nuk është anëtarë i përhershëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Lajçi, cili mendoni se do të jetë statusi i Kosovës?

DRITON LAJÇI
Statusi i Kosovës do të jetë statusi i ardhshëm i Kosovës. Nuk do të ketë status final, sepse mandati i Ahtisaarit është statusi i ardhshëm. Po them këtë, sepse po të ishte statusi final, atëherë do të thuhej shteti i Kosovës, do të thuhej shteti më i ri i Kosovës, do të thuhej që Qeveria e Kosovës të ketë sovranitet mbi krejt territorin e Kosovës. Ne e dimë se sovraniteti i Kosovës ndahet së bashku me Bashkimin Evropian. Disa thonë se kjo është integrim, jo, Bashkimi Evropian nuk integrohet në Kosovë, por ne duhet të integrohemi në Bashkimin Evropian. Prandaj, BE-ja merr pjesë në sovranitet. Kjo pjesë e sovranitetit që e mbajnë ata, përfshirë edhe forcat e NATO-s, e bën këtë status të ardhshëm dhe jo final.

INETRVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG