Ndërlidhjet

“VETËVENDOSJA” PARALAJMËRON PROTESTA TË REJA


Rrahman Paçarizi

Pavarësisht se liderit të tyre, Albin Kurtit, i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë, Lëvizja Vetëvendosje ka ndërmend të organizojë protesta dhe demonstrata të reja, thanë sot udhëheqës të kësaj lëvizjeje. Glauk Konjufca, një nga liderët e “Vetëvendosjes” tha se vazhdimi i paraburgimit për Albin Kurtin, nuk ka qenë fare befasues për këtë lëvizje. “Drejtësia nuk ka të bëjë fare me drejtësinë në Kosovë. Ai që thirret si institucion i drejtësisë, më së paku është i drejtësisë, pasi është një institucion që është i tëri i situuar brenda shtyllës së parë të UNMIK-ut dhe i kontrolluar nga ky regjim antidemokratik, i cili popullit të Kosovës ia mohon të drejtën për vetëvendosje”, tha Konjufca. Ai theksoi se nuk mund të ketë drejtësi, kur mbahen në burg ata që kanë dalë në rrugë si qytetarë, për ta shprehur vullnetin politik, ndërkohë që nuk janë në burg ata që i kanë vrarë njerëzit, që po shprehnin të drejtën themelore demokratike për të protestuar. “Vazhdimi i paraburgimit të Albin Kurtit, nuk është asgjë tjetër në kuptimin politik, përveç se një përpjekje e ardhshme e këtij regjimi të padrejtë, për ta penguar dhe hendikepuar aktivitetin e mëtutjeshëm të Lëvizjes Vetëvendosje”, u shpreh Glauk Konjofca. Pavarësisht nga kjo, Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë protestat, tha Visar Ymeri, një tjetër udhëheqës i “Vetëvendosjes”. “Natyrisht se priten demonstrata të reja nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi ne kemi thënë prej fillimit se qëllimi ynë është që ta organizojmë popullin dhe të gjithë qytetarët, në mënyrë që të mblidhemi e të protestojmë dhe ta shpreim vullnetin tonë politik”, tha Ymeri. Ai shtoi se sa herë që aksionet e “Vetëvendosjes” kanë përfunduar me dhunë, kjo ka ndodhur sepse intervenimi i pushtetit ka qenë i dhunshëm. Lëvizja Vetëvendosje, tash e më shumë se një vit, ka protestuar herë pas here kundër bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për statusin e Kosovës, duke kërkuar që popullit të Kosovës t’i pranohet e drejta e vetëvendosjes. Përderisa protestat e fundit të “Vetëvendosjes”, mbajtur më 3 mars, kanë përfunduar të qeta, ato të 10 shkurtit të këtij viti, patën përfunduar me përleshje të policisë me protestuesit, që rezultuan me dy protestues të vrarë dhe dhjetëra të plagosur.
XS
SM
MD
LG