Ndërlidhjet

AAK: NDËRHYRJA E POLICISË E PAPRANUESHME, E TEPRUAR DHE OFENDUESE


Albana Isufi

Në mëngjesin e sotëm, policia ka arrestuar Jahja Llukën, anëtar i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe këshilltar i kryeministrit, si dhe Milazim Abazin, drejtor i “Kasabank”-ës, ka bërë të ditur zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani. Ai tha se të arrestuarit, dyshohet se janë të përfshirë në veprën penale - pastrim parash. Arrestimet kanë pasuar me bastisjen e selisë qendore të AAK-së në Prishtinë dhe të zyrave të “Kasabank”-ës, po ashtu në kryeqytet. “Janë arrestuar dy persona, nën dyshimin se kanë të bëjnë me veprën penale - pastrim të parave. Mandej, me urdhër të gjykatësit, po ashtu janë bastisur shtëpitë dhe zyrat ku ata kanë punuar. Njëri nga të arrestuarit, supozohet se e ka pasur zyrën në AAK dhe është bërë bastisja, me qëllim që të merren dokumentacionet e nevojshme nëse ekzistojnë, nëse janë aty. Tjetri person, nuk mund ta konfirmojmë nëse është ithtar i AAK-së, por është zyrtar i lartë i “Kasabank”-ës. Ata janë Jahja Lluka dhe Milazim Abazi”, tha Elshani. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ndaj këtij aksioni, duke e quajtur atë si ndërhyrje të papranueshme, të tepruar dhe ofenduese. Zëdhënësi i kësaj partie, Besnik Tahiri, konfirmoi sot se arrestimi i Jahja Llukës, është i lidhur me menaxhimin e fondit Haradinaj. “Konfirmojmë se sot në mëngjes, policia e UNMIK-ut dhe SHPK-ja, kanë kontrolluar zyrën e fondit për mbrojtjen e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, për të kërkuar informacione shtesë rreth këtij fondi. Nga policia jemi njoftuar, se sot në mëngjes është ndaluar Jahja Lluka, anëtar i Kryesisë së AAK-së dhe njëri ndër personat e autorizuar për fondin mbrojtës të zotit Haradinaj”, tha Tahiri. Zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, ka thënë sot se bastisja nuk ka të bëjë asgjë me AAK-në si parti, por me individët e caktuar që aderojnë në këtë parti. “Kjo bastisje nuk ka të bëjë asgjë me AAK-në, por me personat dhe individët e caktuar”, theksoi Elshani. Megjithatë, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë në një konferncë për media, se ndërhyrja ishte brutale dhe e panevojshme. “Ne lejojmë që organet ta kryejnë punën e tyre. Të gjithë jemi të barabrtë para ligjit dhe ligji duhet të zbatohet në Kosovë. Por, ne jemi kundër formës se si është vepruar sot nga ana e policisë së UNMIK-ut, duke rrethuar objektin e AAK-së. Çdo institucion që ëshët i thirrur të marrë në hetuesi dikë, është krejt normale në një shoqëri demokratike”, u shpreh Isufi. Zyrtarë të kësaj partie thonë se urdhëri për ndërhyje ka ardhur nga Departamenti i Drejtësisë së UNMIK-ut, ndërkohë që sipas informatave të tyre, për këtë gjë nuk kanë qenë në dijeni shefi i UNMIK-ut e as kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, këshilltari i të cilit është arrestuar. Vetë kryeministri Çeku ka thënë se duhet pritur rezultatet e hetimeve. “Jam i njoftuar që janë paraburgosur dy zyrtarë. Njëri është zyrtar i AAK-së dhe këshilltari im, pra Jahja Lluka, dhe drejtori i “Kasabank”-ës Milazim Abazi, si pasojë e hetimeve me menaxhimin e fondit për mbrojtjen e zotit Ramush Haradinaj. Po presim. Kjo s’ka të bëjë me Qeverinë. Është çështje ligjore dhe presim hetimet, rezultatet e hetimeve”, tha Çeku. Zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, ka pohuar sot se hetimet rreth aktivitetit penal, në të cilin dyshohet të jenë përfshirë Lluka dhe Abazi, kanë nisur më herët. ”Hetimet kanë nisur kohë më herët dhe sot kanë rezultuar me arrestimin e këtyre dy personave”, tha Elshani. Zyrtarë të AAK-së thonë se fondi ka qenë gjithnjë i hapur, ndërkaq intervistat e planifikuara të zotit Lluka me policinë, janë anuluar vetë nga kjo e fundit. “Fondi është krejtësisht transparent. Ata janë arrestuar me një akuzë të tillë (për pastrim parash), por ata kanë qenë edhe më herët të investiguar në njëfarë forme, dhe vetë UNMIK-u ka anuluar takimet që ka pasur me ta”, tha Ahmet Isufi. Policia pati bastisur mëngjesin e 25 janarit “Kasabank“-ën, për të cilën gjë, drejtori i “Kasabank”-ës Milazim Abazi, pati deklaruar se policia ka ndërmarrë aksionin për të hetuar fondin Haradinaj, dhe jo aksionet e bankës. Ndërkohë, zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, thotë se hetimet janë shumë komplekse dhe mund të përfshijnë institucione të ndryshme. “Nuk mund të konfirmoj një gjë të tillë në mënyrë eksplicite, pasi këto hetime janë komplekse dhe mund të involvojnë institucione të ndryshme. Prandaj, nuk mund të them në mënyrë eksplicite se a ka lidhje me një institucion apo jo”, theksoi Elshani. Aksioni i policisë ka përfunduar në mesditën e sotme. Zyrtarë të AAK-së thonë se nga zyra e fondit për mbrojtjen e Ramush Haradinajt, që menaxhohej nga Jahja Lluka, janë konfiskuar materiale dhe një kompjuter. Ndryshe, fondi i Haradinajt vazhdon të jetë i hapur.

XS
SM
MD
LG