Ndërlidhjet

TESTI I RUSISË NË KOSOVË


Richard HOLBROOKE / "The Washington Post"

E magjepsur me Irakun, administrata e zotit Bush dhe opinioni publik nuk i kanë kushtuar sa duhet vëmendje sfidave të fundit të Rusisë përballë stabilitetit në Evropë. Më 26 mars, Martti Ahtisaari, do të prezantojë përpara Këshillit të Sigurimit planin për Kosovën, i cili do të çojë deri tek pavarësia e saj hap pas hapi. Megjithë kundërshtimin e Serbisë, në fund ajo do të përballet me të vërtetën: Kosova është shkëputur nga Serbia përgjithmonë, si rezultat i politikave të ish diktatorit serb, Slobodan Milosheviq. E ardhmja e Serbisë qëndron tek Bashkimi Evropian, nëse ajo mundet t’i tejkalojë mitet historike paralizuese. Rruga paqësore drejt pavarësisë së Kosovës do të hapte rrugën për gjithë Ballkanin, përfshirë këtu edhe Serbinë, drejt një epoke të re premtuese të një bashkëpunimi rajonal.
Nëse Rusia përdorë veton në Këshillin e Sigurimit ose përpiqet që të zhvlerësojë apo të zhagitë planin e Martti Ahtisaarit, paqja e brishtë në Kosovë do të zhduket brenda pak ditësh dhe një valë e re dhune, mbase edhe një luftë, mund të shpërthejë. Por, në vend se të angazhohet në shmangien e dhunës në Kosovë, Rusia duket se është duke u kënaqur në sfidimin e vendeve të fuqishme perëndimore, veçanërisht Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara. Mesazhi për Rusinë duhet të jetë i thjeshtë: nëse ajo bllokon planin e Ahtisaarit, kaosi që do të pasojë do të jetë përgjegjësi e Moskës dhe do të ndikojë në aspektet tjera të marrëdhënieve të Rusisë me Perëndimin.
Rusia argumenton se Kombet e Bashkuara nuk kanë të drejtë të ndryshojnë kufijtë ndërkombëtarë pa marrëveshjen e palëve të përfshira, por Kosova është rast i veçantë dhe nuk mund të jetë precedent për lëvizjet tjera separatiste - sepse më 1999, me përkrahjen e Rusisë, Kombet e Bashkuara janë autorizuar për të vendosur për të ardhmen e Kosovës.
Qëndrimi i Moskës mbi mbrojtjen e ndjenjave “vëllazërore” me sllavët serbë është tërësisht i pakuptimtë: secili që është marrë me rusët rreth Ballkanit, ashtu siç kam bërë unë, e di se lidershipi i tyre nuk ka asnjë ndjenjë çfarëdo për serbët. Rusia është duke e shfrytëzuar Kosovën për avantazh taktik, si pjesë e strategjsë për të rikthyer vetveten në skenën ndërkombëtare. Ky është një synim legjitim, përderisa Rusia luan një rol konstruktiv, por sjelljet e fundit të Moskës, nga Gjorgjia, Irani e deri tek incidentet e brendshme të shëmtuara që i ka, nuk janë edhe aq trimëruese. Kosova tani është duke marrë formën e një testi më të madh ndërkombëtar përballë Vladimir Putinit. Nëse Moska shfrytëzon veton ose vonon planin e Ahtisaarit, shqiptarët e Kosovës do të mund të shpallnin pavarësinë në mënyrë të njëanshme. Disa vende, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara dhe vendet myslimane, mbase do ta njohin këtë shpallje, por pjesa më e madhe e Bashkimit Evropian nuk do ta bënte këtë dhe rrjedhimisht do të krijohej një krizë e madhe evropiane. Gjakderdhja do të rikthehej në Ballkan dhe NATO-ja do ta gjente sërish veten në një betejë në mes të Evropës. A do të përfitonin rusët nga e gjithë kjo? Natyrisht që jo. Siguria dhe Stabiliteti Evropian – dhe marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimit - tani janë në një vijë.

XS
SM
MD
LG