Ndërlidhjet

VAZHDON DEBATI PËR SIMBOLET SHTETËRORE TË KOSOVËS


Albana Isufi

Do të jetë i ngjashëm me flamurin kombëtar shqiptar apo do të dallojë? Do të jetë dy apo trengjyrësh? Do të ketë karakter multietnik, apo jo? Debati për flamurin e ardhshëm të Kosovës po vazhdon ende, përderisa iniciativa për zgjedhjen e simboleve shtetërore, më në fund ka hyrë në rrugë institucionale. Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të shpallë konkursin për përzgjedhjen e flamurit dhe stemës, që do ta përfaqësojnë Kosovën. Ekspertë të shkencës mbi simbolet apo heraldikës, vlerësojnë se kohëzgjatja prej një muaji, sa do të jetë i hapur ky konkurs, nuk është e mjaftueshme për të krijuar simbole të duhura. Eksperti Shyqeri Nimani thotë se kjo çështje është dashur të kryhej shumë më herët. “Në rastin kosovar është një paradoks i jashtëzakonshëm, me ç’rast institucionet e ndryshme shkencore, artistike, publiku, mediat, kërkojnë, ka disa vjetë, që të inicohet shpallja e konkursit për simbolet e Kosovës. Kjo ka bërë që të ketë vonesë shumë të madhe dhe është një hapësirë shumë e vogël, që mund të jetë dy apo tre muaj, për t’i zgjedhur këto simbole”, tha Nimani. Ngjashëm mendon edhe Teuta Sahatçia, deputete e Kuvendit të Kosovës, nga partia Ora, parti kjo që pati kërkuar, që kjo nismë të futet në procedurë parlamentare që në muajin tetor të vitit të kaluar. “Tash jemi në një fazë kur koha është një faktor shumë i rëndësishëm. Me keqardhje duhet të them, se duhet të ngutemi shpejt e shpejt dhe t’i bëjmë parcialisht simbolet, që himni në këtë rast nuk mund të jetë, nuk mund të zgjidhet himni për 3-4 javë, por duhet pritur ndonjë rast tjetër”, tha Sahatçia. Në pakon për statusin e Kosovës të Martti Ahtisaarit, thuhet se Kosova do të ketë simbolet e veta të dallueshme: flamurin, stemën dhe himnin, të cilat do të reflektojnë karakterin shumëkombësh të Kosovës. Shyqeri Nimani thotë se simbolet e një shteti duhet të përfaqësojnë substancën që përmban ai shtet. ”Rrethanat politike tani për tani janë të tilla, që Kosova e kërkon pavarësinë dhe me këtë rast, ne duhet të përcaktohemi. Ky është mendimi im personal, që t’i kemi simbolet kombëtare. Pra, flamuri shqiptar i Skënderbeut asnjëherë nuk do të braktiset nga shqiptarët. Por, flamuri shtetëror duhet të jetë ndryshe nga ai i Shqipërisë, së paku për diçka. Ky flamur duhet të prezantojë atë që është substanca e Kosovës, e kjo substancë është etnia shqiptare”, tha Nimani. Ai thekson se me shkencën mbi flamujt, flamuri duhet të jetë sa më i thjeshtë dhe të mos jetë i ngarkuar me elemente të shumta. Nimani nuk përjashton mundësinë që nga flamuri i ardhshëm i Kosovës, të shmanget shqiponja, simboli i flamurit kombëtar. “Veksilologjia, që do të thotë studimi skolastik i flamujve, parasheh që flamuri duhet të jetë shumë i thjeshtë, duhet t’i ketë më së shumti dy deri në tri ngjyra. Madje, parashihet që flamuri, nëse shikohet njëherë prej një fëmije, ai do të mund ta vizatonte atë përmendësh”, u shpreh Nimani. Teuta Sahatçia ndërkaq, thotë se meqë Kosova synon të jetë një shtet modern, edhe simbolet e saja nuk duhet të jenë të ngarkuara me simbole të vjetra. “Mendoj se në kohën e fundit, shtetet e reja kanë nisur të largohen nga simbolet e vjetra. Kosova si një shtet i ardhshëm duhet që, përmes flamurit dhe simboleve, të paraqesë dëshirën për një Kosovë moderne, pjesë të Evropës”, tha Sahatçia. Deri tash nuk ka pasur iniciativa institucionale për krijimin e simboleve shtetërore, përveç flamurit dhe himnit të krijuar nga presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova. Ndërkaq, ditë më parë në Galerinë e Arteve është hapur një ekspozitë, ku artistë dhe qytetarë kanë ekspozuar propozimet për flamuj. Sido që të jetë, i mbetet Kuvendit që brenda një muaji, pas përfundimit të konkursit, të caktojë përbërjen e komisionit që do t’i përzgjedhë simbolet e ardhshme shtetërore të Kosovës.

XS
SM
MD
LG