Ndërlidhjet

FRIED: SHQIPTARËT DHE SERBËT DËSHIROJNË PAQE DHE TË ARDHME EVROPIANE


Heather MAHER

Megjithëse raundi final i bisedimeve për statusin e Kosovës, që u mbajt fundjavën e kaluar në Vjenë, përfundoi pa marrëveshje, Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried, i cili sapo ka vizituar Ballkanin, u shpreh optimist se shqiptarët dhe serbët dëshirojnë të njëjtën gjë: të ardhme të përbashkët evropiane dhe paqe në Kosovë.
I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari në fund të bisedimeve në Vjenë tha se nuk kishte shpresë për arritjen e kompromisit para se ai t'ia dërgojë propozimin e tij Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon. Por, pas udhëtimit të tij të fundit në rajon, Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit Daniel Fried ka shprehur optimizëm të kujdesshëm lidhur me potencialin për një të ardhme paqësore në Kosovë.
"Është e qartë se populli i Kosovës, për të cilin po ndodh e gjithë kjo, dëshiron në masë të madhe të jetojë së bashku. Ata janë të shqetësuar për njëri tjetrin. Qartazi, atje nuk kemi të bëjmë me besim të madh, por së paku ekziston një përkushtim i madh që plani i Ahtisaarit të funksionojë" tha Fried.
Gjatë një konference për shtyp në Uashington, ai më tutje njoftoi edhe për mesazhin që e kishte dhënë gjatë qëndrimit në Beograd.
"Në Beograd, mesazhi im publik për serbët ishte që Shtetet e Bashkuara, në veçanti, por edhe komuniteti trans-atlantik në përgjithësi, dëshirojnë që Serbia të jetë pjesë e familjes sonë të përbashkët dhe pjesë e institucioneve tona të përbashkëta. Çfarëdo që të jetë statusi i Kosovës, ne nuk dëshirojmë ta shohim Evropën të plotë dhe në paqe, me Serbinë jashtë saj. Ne dëshirojmë`ta shohim Serbinë si pjesë e kësaj Evrope, të plotë, të lirë dhe në paqe", tha Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Fried.
Propozimi i Martti Ahtisaarit parasheh që bashkësia ndërkombëtare ta marrë rolin kryesor mbikqyrës në Kosovë për një periudhë të pakufizuar. Por, Kosovës do t'i lejohen shumë nga të drejtat e një shteti të pavarur, përfshirë Kushtetutën e vet, flamurin dhe armatën, dhe i jep "të drejtën për të zhvilluar negociata dhe për arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë të drejtën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare".
Gjatë vizitës në Kosovë, Fried u takua me zyrtarët e lartë të Kosovës, me liderët politikë dhe me zyrtarët e zgjedhur të serbëve të Kosovës. Në këto takime, ai tha se kishte dëgjuar shqetësime, por jo edhe plane nga serbët që të largohen në mënyrë masive nga rajoni apo për të nxitur dhunë.
"Nuk kam dëgjuar nga kryetarët e komunave bisedime lidhur me largimin masiv. Nuk kam dëgjuar kërcënime të dhunës. Nuk kam dëgjuar kërkesa apo kërcënime shkatërruese. Ajo që kam dëgjuar ishte shqetësimi i madh për të ardhmen, një dëshirë për qartësim, një dëshirë për prani ndërkombëtare edhe përtej procesit të statusit, dhe nga shumë serbë të Kosovës kam dëgjuar shprehje të fuqishme për mbështetje për KFOR-in dhe atë që po e bën KFOR-i për t'i mbrojtur ata" tha Fried.
Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës i thanë atij se ata dëshironin që të gjithë "popujt historikë në Kosovë" të mbeteshin në Kosovë pas statusit.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Daniel Fried pranoi se bashkësia ndërkombëtare për këtë çështje nuk ka zgjidhje ideale, por në këtë pikë nuk ka rëndësi tjetër pos që të punojë brenda realiteteve aktuale.
"Siç thashë në Beograd, Jugosllavia nuk u shkatërrua aq shumë nga sa ishte vrarë nga nacionalistët ekstremë. Duke qenë kështu, bashkësia ndërkombëtare ishte ballafaquar me zgjedhje të vështirë në rrethana të vështira, por ne duhet ta bëjmë atë që mundemi. Unë u largova nga atje i bindur, ashtu siç isha kur shkova atje, se ne nuk mund të kthehemi prapa në situatën e para vitit 1999, ne nuk mund të mbetemi aty ku jemi. Status quo nuk është e qëndrueshme prandaj ne duhet të shikojmë përpara dhe të merremi me statusin" tha Daniel Fried.
Ai shprehu mospajtimin me komentet e kryeministrit të Serbisë, Vojisllav Koshtunica se dhënia e pavarësisë Kosovës do të ishte precedenti më i rrezikshëm në historinë e Kombeve të Bashkuara.
"Askund në botë nuk ekziston situatë që bart ngjashmëri me Kosovën. Nuk ka vend ku Kombet e Bashkuara kanë administruar për shtatë vjet, tashmë gati edhe tetë. Nuk ka rast ku NATO-ja ishte e detyruar të intervenojë për ta ndalur procesin masiv të pastrimit etnik. Precedenti thjeshtë nuk është i zbatueshëm. Ne më parë shumë herë kemi thënë dhe po themi prapë se Kosova nuk është precedent për çfarëdo hapësire tjetër qoftë ajo Abhazia, Osetia Jugore, Çeçenia, Transnistria, Korzika" tha Fried.
Sa i përket çështjes nëse Rusia do të përdorë veton kur plani i Martti Ahtisaarit të arrijë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Daniel Fried tha se Rusia ka shprehur "shqetësim" por Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë punuar "në bashkëpunim shumë të afërt" në statusin e Kosovës gjatë disa viteve të kaluara dhe ai pret që kjo të vazhdojë.
XS
SM
MD
LG