Ndërlidhjet

A DO TË ELIMINOHET ANALFABETIZMI DERI NË VITIN 2015?


Nadie Ahmeti

Zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, besojnë se dukuria e analfabetizmit në Kosovë, do të ulet në masë të madhe deri në vitin 2015, ndërkaq ekspertët janë skeptikë mbi përmbushjen e këtij synimi. Eliminimi i analfabetizmit është edhe një ndër standardet, që Kosova duhet të përmbushë në fushën e arsimit, për të mundësuar integrimin në Bashkimin Evropian, pas përcaktimit të statusit final. Dëfrim Gashi, këshilltar në Ministrinë e Arsimit, pohon se kjo ministri tashmë ka filluar përgatitjet për këtë çështje. “Ministra e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, eliminimin e analfabetizmit e ka paraqitur si problem edhe në Strategjinë e Arsimit para-universitar 2007-2017, e cila në të ardhmen, nuk jam i sigurt se do ta zhdukë analfabetizmin deri në përqindjen zero, por jam i sigurt se dukshëm do të bie”, u shpreh zoti Gashi. Ai thotë se Ministria e Arsimit, për çrrënjosjen e analfabetizmit, ka filluar mbajtjen e mësimeve joformale. Me këtë projekt mundësohet mësimi për shkrim-lexim për qytetarët, të cilët për arsye të ndryshme, nuk kanë mundur të vijojnë shkollimin. “MASHT-i ka organizuar mësimin joformal në të gjitha komunat e Kosovës, ku secila komunë në vete ka qenë e detyruar të organizojë shkollën fillore dhe të mesme profesionale. Pastaj, Ministria e Arsimit, ka hartuar plan-programe për mësimin joformal, prej klasës së parë deri në të nëntën, në të trija gjuhët”, tha zoti Gashi. Por, Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, pohon se me ritmin me të cilin është duke shkuar ky problem, nuk ka gjasa teorike dhe praktike, që analfabetizmi të eliminohet deri në vitin 2015. Ai thotë se për të evituar këtë dukuri, nevojitet përkushtim jashtëzakonisht i madh i institucioneve dhe i shoqërisë kosovare në përgjithësi. “Duhet të formohet një këshill ose një trup qeveritar, ku duhet të ketë rol edhe shoqëria civile, e cila nuk do të ketë rol tjetër, vetëm organizimin dhe përkujdesjen, që ky standard të arrihet deri në vitin 2015. Në qoftë se nuk ekziston një adresë e saktë, e cila merret me evitimin e këtij problemi, jam i bindur 100% se nuk do të arrihet ky standard”, pohon zoti Hyseni. Ai ndërkaq thotë se problemet në këtë drejtim, janë nga më të ndryshmet dhe për ta përmirësuar gjendjen aktuale, duhet të përmirësohet fillimisht cilësia e arsimit. “Duhet organizuar përfshirjen e fëmijëve në arsimin formal, e gjasat për këtë janë shumë të vogla. Është edhe mungesa e hapësirës së vogël, kemi një braktisje të madhe të qytetarëve, dhe kjo do të pengojë realizimin e këtij standardi”, thotë zoti Hyseni. Ndryshe, edhe pse mungojnë të dhënat e sakta për këtë dukuri, nga organizatat e ndryshme joqeveritare vlerësohet se niveli i analfabetizmit në Kosovë, është mbi 25 përqind. Ndërkaq, sipas një publikimi të fundit të Entit Statistikor të Kosovës, kjo dukuri është tri herë më e lartë tek gratë dhe e përqëndruar kryesisht në viset rurale.
XS
SM
MD
LG