Ndërlidhjet

EN: AHTISAARI KA THËNË SE DO TË REKOMANDOJË PAVARËSINË


Zijadin Gashi

Dokumenti final i presidentit Ahtisaari përmban si zgjidhje vullnetin e popullit të Kosovës për shtet sovran, dhe si të tillë pala kosovare e ka pranuar, ka thënë sot presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një debat në Kuvendin e Kosovës, lidhur me përmbylljen e bisedimeve për statusin. Pas procesit negociues, tani është koha e njohjes së pavarësisë së Kosovës, e cila është e gatshme që t’i marrë mbi vete garancat për respektimin e të drejtave për pakica, tha Sejdiu. “Kosova 'de facto' e pavarur nga viti 1999, falë rezistencës së saj të gjatë, duke u mbështetur në përdegëzimet e luftës sonë politike dhe të armatosur, që identifikohen me presidentin Ibrahim Rugova, udhëheqësin e lëvizjes ‘independiste’, që do të shihet në retrospektivë historike si themeltar i shtetit të Kosovës, dhe Adem Jasharin, komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe falë intervenimit të NATO-s, sot e pret njohjen e saj ndërkombëtare, si kusht ‘sine qua non’ për ekzistencën e saj dhe hapjen e perspektivës së re demokratike dhe zhvillimore, dhe për bërjen e saj faktor të rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe më gjerë”, theksoi presidenti i Kosovës. Në vazhdim, Sejdiu tha po ashtu, se Kosova e ka mirëpritur vazhdimin e pranisë ndërkombëtare edhe pas statusit, si në aspektin ushtarak ashtu dhe në atë civil. Edhe dy anëtarët tjerë të Ekipit Negociues, thanë se pakoja e Ahtisaarit meriton përkrahjen e kosovarëve. Kryeministri Agim Çeku tha para deputetëve, se Ahtisaari gjatë ditës do t’i dorëzojë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, jo vetëm pakon e tij si propozim për zgjidhjen e statusit, por edhe rekomandimin për pavarësinë e Kosovës. “Sot, në duart e veta, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara do ta ketë propozimin gjithëpërfshirës të Ahtisaarit. Do ta ketë propozimin që ne e kemi pasur këtu, domethënë propozimin gjithëpërfshirës, dhe do ta ketë rekomandimin e tij për definimin e statusit të Kosovës. Këtë ne nuk e kemi parë, por kjo na është thënë prej tij drejtpërdrejt, që ai pa asnjë hezitim do të propozojë pavarësinë për Kosovën. Formula e propozimit të tij do të jetë pavarësi për Kosovën, fillimisht e mbikëqyrur nga faktori ndërkombëtar”, pohoi Çeku. Duke folur për dinamikën e mëtejshme të procesit pas përmbylljes së negociatave, kryeministri Çeku tha se pret që më 26 mars, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara t’ua shpërndajë propozimin e Ahtisaarit edhe vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit. Kurse në fillim të prillit, Ahtisaari do të ftohet në New York, që të raportojë lidhur me dokumentin dhe propozimin e tij. Në këtë seancë, Çeku tha se fjala ‘pavarësi’ për Kosovën do të bëhet publike në Këshillin e Sigurimit, ku pritet të miratohet edhe rezoluta e re për Kosovën. “Në bazë të këtij propozimi, fillojnë negociatat për rezolutën e re, e cila do të jetë shumë e thjeshtë. Nuk do të jetë e ngarkuar, nuk do të jetë e komplikuar dhe do t’i përmbajë në vete tri gjëra. E para, do ta çvleftësojë Rezolutën 1244 dhe me këtë akt, pushon çdo lidhje politike me Serbinë dhe pushon po ashtu edhe mandati i Misionit të Kombeve të Bashkuara. E dyta, kjo rezolutë e re pritet që ta mbështesë, ashtu si është, propozimin e Ahtisaarit, dhe e treta, e mandaton praninë e re civile në Kosovë”, theksoi Çeku. Kryeministri i Kosovës tha se pritjet janë, që rezoluta e re për Kosovën të nxirret para përfundimit të muajit maj, përkatësisht para samitit të G8-shes, që do të mbahet më 4 qershor, ngase fuqitë botërore, sipas tij, duan që deri atëherë të konsiderohet e përmbyllur çështja e statusit të Kosovës. I bindur që Ahtisaari do të propozojë pavarësinë si zgjidhje, është shprehur edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh anëtar i Ekipit Negociues, Hashim Thaçi. Ai tha se për Kosovën po vijnë ditë të mira, edhe pse pak me vonesë, por ditë që premtojnë se në Kosovë po ndërtohet një shtet demokratik e modern. ”14 marsi, është datë e rëndësishme për Kosovën, sepse së shpejti në Këshillin e Sigurimit dorëzohet dokumenti i presidentit Ahtisaari. Nuk do të ketë më tutje dhunë, vrasje e përndjekje për popullin e Kosovës. Nuk do të ketë edhe më tutje paqartësi për statusin politik të vendit. Nga sot, e jetojmë kohën e vendimeve për zyrtarizimin e pavarësisë. Kosova është vend me histori të dinjitetshme, por edhe me vizion për të ardhmen perëndimore”, pohoi Thaçi. Debati i sotëm në Kuvendin e Kosovës ka pasuar takimin e fundit ndërmjet Prishtinës e Beogradit, në kuadër të procesit negociues, të mbajtur më 10 mars në Vjenë, nën ndërmjetësimin e presidentit Ahtisaari. Debati është përmbyllur me fjalimet e shefave të grupeve parlamentare, lidhur me përmbylljen e procesit negociues, të cilët i dhanë mbështetje delegacionit të Kosovës dhe dokumentit të presidentit Ahtisaari.
XS
SM
MD
LG