Ndërlidhjet

KONTESTET PRONËSORE NË VERI TË KOSOVËS


Rrahman Paçarizi

Qytetarët e pjesës jugore dhe të asaj veriore të Mitrovicës që jetojnë në banesa të uzurpuara, sipas një vendimi të Drejtorisë për çështje të banimit dhe të pronës, më shumë i njohur si Habitat, që nga ky muaj duhet të nisin të paguajnë qiranë e objekteve që i shfrytëzojnë. Kështu tha për radion Evropa e Lirë, shefi i Habitatit për rajonin e Mitrovicës, James Nunnan. “Para gjashtë muajsh na është dhënë drita e gjelbër, për të marrë qiranë për secilën pronë në Kosovë, që administrohet nga ne”, tha Nunnan, duke shtuar se gjatë muajve të ardhshëm, do të nisë marrja e qirasë për të gjitha pronat, përfshirë edhe pjesën veriore të Mitrovicës. Lidhur me vetë procedurat e zbatimit të këtij vendimi, zoti Nunnan thotë, duke pasur parasysh një traditë në Kosovë për të mos paguar për një pjesë të shërbimeve të shfrytëzuara, Habitati do të nisë gradualisht marrjen e qirasë. “Për këtë arsye ne i kemi nisur punët shumë ngadalë, në mënyrë që njerëzve t’u japim pak kohë, që të përshtaten me sistemin e ri”, tha Nunann, duke theksuar se secili që refuzon të paguajë qiranë, do të detyrohet të largohet nga banesa apo prona tjetër, të cilën aktualisht e shfrytëzon. “Këtë kemi nisur ta zbatojmë në pjesën jugore të Mitrovicës dhe në Vushtrri, ndërsa sot fillojmë zyrtarisht edhe në pjesën veriore”, theksoi Nunnan, sipas të cilit, fillimisht shfrytëzuesit e pronave të uzurpuara thirren për të biseduar, për t’ua sqaruar sistemin dhe për të nënshkruar njëfarë marrëveshjeje për këtë. Qiraja mujore, sipas zotit Nunnan, do të jetë 1 euro e 60 centë për metër katrorë. Qytetarët e pjesës veriore të Mitrovicës, ku sot fillon zbatimi i vendimit për qiratë, thonë se do ta pranojnë një vendim të tillë. Tomislav Delibashiq thotë: “Kam pasur shtëpi, por e kam shitur para luftës dhe mendoj se ky vendim nuk është i keq”. Ndërkaq, Lutica Antiq që ka uzurpuar banesë në pjesën veriore të Mitrovicës, shprehet: “Duhet të marrim vendim brenda pak ditësh, të paguajmë ose jo, varet nga marrëveshja brenda familjes”. Sipas të dhënave të Habitatit, në pjesën veriore të Mitrovicës rreth 500 banesa, pronë e shqiptarëve, janë të uzurpuara aktualisht, ndërkohë që numri i banesave të uzurpuara në jugun e mbizotëruar nga shqiptarët, është përgjysmë më i vogël. Numri i banesave të uzurpuara në të gjithë Kosovën është rreth 5 mijë, që do të thotë se një numër i madh qytetarësh, do të detyrohen të paguajnë qira për objektet e uzurpuara që i shfrytëzojnë.
XS
SM
MD
LG