Ndërlidhjet

EIDE: LARG DHUNËS DHE ORATORISË SË URREJTJES


Kai Eide, ish i dërguari i OKB-së në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Ambasador Eide, plani i zotit Ahtisaari së shpejti diskutohet në Këshillin e Sigurimit. Si e shihni ecurinë e planit në Kombet e Bashkuara dhe cilat janë gjasat që të kemi një rezolutë të re për Kosovën?

KAI EIDE
Së pari është e drejtë që procesi ka shkuar tashmë në Këshillin e Sigurimit, pasi kemi pasur diskutime e takime për një kohë të gjatë.
Ekziston një opinion i përbashkët i atyre me të cilët kam folur se nuk mund të arrihet më shumë nga ç'është arritur deri tani nëse vazhdojmë bisedimet në Vjenë. Është koha e duhur që diskutimi i kësaj çshtje të kalojë në Nju Jork.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të ndodhë me planin e Ahtisaarit nëse nuk miratohet në Këshillin e Sigurimit? A do kemi rifillimin e procesit nga fillimi?

KAI EIDE
Nuk mendoj se do të dështojë duke pasur parasysh gjithë punën e bërë në këtë drejtim. Për më tepër që ne i dinim me kohë dallimet politike që ekzistojnë lidhur me këtë çështje.
Fillimi i një procesi të ri nuk çon askund, vetëm na kthen pas. Ne duam të lëvizim para dhe kjo është e rëndësishme për një proces politik. Kjo është baza e gjykimit tim, duhet shkuar përpara.
Mendoj se kështu besojnë të gjithë lojtarët politikë në Nju Jork. Kam besim se do shkojmë përpara dhe nuk ka kthim pas.
Do shkojmë përpara, drejt qartësimit të situatës dhe jo pas që çon në konfuzion dhe paqartësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç edhe e përmendet procesi duhet çuar para, dhe ju gjithmonë keni qenë për një zgjidhje sa më të shpejtë për Kosovën. Por cilat janë gjasat për vonesa të reja dhe rreziqet që vijnë bashkë me to?

KAI EIDE
Është e vështirë për mua të vlerësojë situatën përderisa nuk jam në qendër të zhvillimeve. Por është e qartë sevonesat janë tepër të kushtueshme.
Për më tepër nuk ka arsye për vonesa të tjera kur dihet se procesi nuk ka qenë i nxituar, përkundrazi kemi pasur diskutime të gjera. Nëse substanca e këtyre diskutimeve ka qenë ashtu siç duhej kjo mbetet për diskutim.
Çdokush duhet ta pranojë faktin se të kthehemi pas nuk është hapi i drejtë as për Kosovën, as për Serbinë dhe as për rajonin. Na duhet qartësi dhe ka ardhur koha ta shohim këtë qartësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi gjithnjë e më shpesh po dëgjohen zërat se Bashkimi Evropian mund të jetë i ndarë rreth statusit të Kosovës. Si tepër familjar me Brukselin çfarë mendoni në këtë drejtim?

KAI EIDE
Vendet e BE-së nuk duhet të përçahen. Është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare dhe veçanërisht BE-ja që do luajë rol të rëndësishëm në Kosovë duhet të jenë të bashkuara rreth një qëndrimi. Unë e kuptoj se do ketë mendime të ndryshme dhe këto janë reflektuar në debatet aktuale.
Nuk është e habitshme që në tema kaq të rëndësishme ka dallime në nuanca apo dhe mosmarrëvshje, por kur i afrohemi momentit të vendimmarrjes është gjithmonë një tendencë që të kemi qëndrim të përbashkët.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni qenë i dërguar i posaçëm i Kombeve të Bashkuara pas trazirave të marsit 2004. Deri më sot nuk kemi pasur procese gjyqësore për këto trazira. Çfarë do të thoshit?

KAI EIDE
Do thosha të njëjtat gjëra që i kam thënë dhe në raportin tim një vit e gjysmë më parë.
Ka një numër aspektesh të shoqërisë në Kosovë që duhet të korrigjohen. Një prej tyre është ajo që ka të bëjë me ndëshkimin e përgjegjësve. Kosova do ta kuptojë se nuk është vetëm statusi i rëndësishëm. Sundimi i rendit dhe ligjit është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe nga kjo varet dhe mënyra se si bashkësia ndërkombëtare dhe vendet e rajonit e shohin Kosovën.
Është e rëndësishme që ata të cilëve iu janë shkelur të drejtat të shohin se përgjegjësit janë vënë para përgjegjësisë, por sundimi i ligjit është po kaq i rëndësishëm për shoqërinë në tërësi.
Më e mira që mund të ndodhë është të kemi përmirësim të zbatimit të rendit e ligjit dhe këtu nuk kam parasysh vetëm marrëdhëniet ndëretnike. Kjo do ndikojë në mënyrë thelbësore dhe tek thithja e investimeve.
Pa rend dhe ligj nuk do kemi investime dhe ulje të papunësisë, çfarë do rrisë shkallën e frustrimit mes njerëzve. Mënyra më e mirë për të krijuar një kornizë optimiste ekonomike është të përmirësojmë rendin dhe ligjin.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni gjendjen në veri të Kosovës?

KAI EIDE
Nuk ka pasur ndryshime thelbësore që nga koha kur kam shkruar raportin. Shoqëria kosovare ka një punë të madhe për të bërë në këtë drejtim e këtu kam parasysh forcimin e institucioneve, forcimin e sensit të drejtësisë dhe luftës ndaj korrupsionit e krimit të organizuar. Këto nuk kanë të bëjnë vetëm me të drejtat e individit, por me atë se sa e shëndetshme është një shoqëri.
Rendi dhe ligji do mund të ndryshojnë situtatën në gjithë Kosovën.
Por nëse kemi parasysh zbatimin e ndonjë zgjidhje të caktuar për veriun duhet të nxisim të dyja palët për të vendosur një dialog real. Duhet ta kuptojmë e pranojmë se të gjithë duhet të jetojnë atje ku kanë jetuar. Nuk mendoj se deri tani kemi pasur një dialog siç duhet në këtë drejtim.
Përfshirja e të gjitha palëve përballë njëra-tjetrës është shumë e rëndësishme.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund sipas jush kur do ta kemi dhe si do duket statusi final i Kosovës?

KAI EIDE
Është e vështirë për mua të përgjigjem. Mendoj se themeli i statusit është vënë në planin e Ahtisarit.
Tani na mbetet të shohim diskutimin e këtij plani në Këshillin e Sigurimit. Javët dhe muajt që shtrihen para nesh do jenë tepër interesante sa i përket zhvillimeve rreth Kosovës.
Por është e një rëndësie të jashtëzakonshme që procesi të zhvillohet në një atmosferë të qetë. Si udhëheqësit dhe shoqëria duhet të bëjnë gjithçka munden për të ruajtur qetësinë. E këtu nuk kam parasysh vetëm mënjanimin e dhunës, por nuk duhet të shohim dhe gjuhën që nxit urrejtje.
Vetëm kjo është në të mirë të njerëzve që jetojnë e duan të vazhdojnë të jetojnë atje.


Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG