Ndërlidhjet

CARPENTER:"NUK DUHET ANASHKALUAR RUSINË"


Ted G. CARPENTER, Instituti CATO NË Uashington

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Carpenter, pas më shumë se një viti bisedimesh në Vjenë, Prishtina dhe Beogradi nuk arritën zgjidhje të negociuar për statusin e Kosovës. Tash i dërguari i KB, z. Martti Ahtisaari do ta paraqesë planin e tij në Këshillin e Sigurimit.
Si i shihni zhvillimet e mëtejme lidhur me statusin e Kosovës?

CARPENTER
Dështimi i bisedimeve dypalëshe ishte apsolutisht jobefasues. Do të ishte mrekulli nëse Begradi dhe Prishtina do të dakordoheshin për zgjidhjen. Tash çështja do të shkojë në Këshillin e Sigurimit dhe pyetja kyçe është nëse rusët do t'i vënë veto planit të Ahtisaarit, apo nëse Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane do të bëjnë mjaft koncesione për një varg çështjesh tjera, për të bërë që Rusia të abstenojë dhe të lejojë që të ecet përpara me de facto pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia ka ripërsëritur se do të mbështesë vetëm një zgjidhje, e cila do të ishte e pranueshme për të dyja palët.
A don të thotë kjo se ky qëndrim e ka inkurajuar Beogradin që t'i hedhë poshtë të gjitha propozimet e z. Ahtisaari?

CARPENTER
Duket se Beogradi ka llogaritur në veton ruse, pasi qeveria e Serbisë mbajti qëndrime të ngulitura dhe vendosi të mos shkojë përpara me planin e Ahtisaarit. Mendoj se rusët do të jenë të prirur t'i vënë veto planit, por nëse ata hetojn se kjo mund t'i dëmtojë rëndë marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara dhe shtetet kryesore të Evropës Perëndimore, atëherë nuk do të befasohesha nëse Moska do të gjente ndonjë arsye për të mos u vënë veto masave. Në këtë rast, kjo do të ishte një befasi e madhe dhe e pakëndshme për qeverinë serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se është e mundur që Uashingtoni dhe Moska të arrijnë një marrëveshje për Kosovën duke anashkaluar Këshillin e Sigurimit?

CARPENTER
Nëse do të kishte një marrëveshje për çështjen e Kosovës, unë dyshoj se ajo do të bëhej duke anashkaluar Rusinë tërësisht. Apo thënë me fjalë tjera, të arrihej një zgjidhje ad-hoc e dakorduar nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian, duke lënë krejtësisht anash Rusinë. Do të ishte e vështirë të paramendohej një marrëveshje e veçantë me Rusinë, sepse nëse ajo do të ishte e mundur, atëherë përse të mos bëhej përmes Këshillit të Sigurimit? Kështu do të ishte shumë më lehtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Carpenter, Uashingtoni, Londra dhe Parisi kanë mbështetur planin e z. Ahtisaari, por disa vende anëtare të BE-së kanë ngritur shqetësimet e tyre rreth dhënies së pavarësisë Kosovës.
A mendoni se kjo do të mund të rrezikonte unitetin brenda Bashkimit Evropian, i cili pritet të ketë rolin kryesor në Kosovën e pas statusit?

CARPENTER
Sigurisht që ka ndarje, të cilat po dalin në pah brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s lidhur me këtë çështje. Mjaft vende evropiane, veçanërisht ato të Mesdheut, si Greqia, Italia dhe Spanja, brengosen për precedentin që po ndodh dhe kjo është e kuptueshme, megjithëse disa insistojnë se kjo nuk paraqet kurrfarë precedenti për situatat tjera në botë. Sigurisht që Rusia ndjen se kjo është precedent, dhe ne mund ta shohim këtë precedent të zbatueshëm edhe në Osetinë Jugore dhe Abkhazinë në Republikën e Gjeorgjisë. Mendoj se kemi shpalosur një proces, sipas të cilit, shtetet mini etnike mund të bëhen trend i së ardhmes. Ky nuk është një zhvillim i shëndoshë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund si e shihni të ardhmen e Kosovës?

CARPENTER
Kosovës do t'i jepet pavarësia e kushtëzuar, qoftë përmes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, qoftë përmes ndonjë marrëveshjeje ad-hoc. Këto kushtëzime në asnjë mënyrë nuk do të mund të zbatohen në mënyrë kuptimplote. Kosova do të bëhet plotësisht e pavarur, dhe mendoj se me gjasë, për pasojë do të shohim më shumë, dhe jo më pak jostabilitet politik në këtë pjesë të Ballkanit.

Intervistoi: Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG