Ndërlidhjet

ÇEKU: RUSIA NUK MUND TA KUNDËRSHTOJË PLANIN E AHTISAARIT


Rrahman Paçarizi

Propozimi i Ahtisaarit, i dërguar dje në Këshillin e Sigurimit, është i tillë çfarë institucionet e Kosovës, Grupi Negociator i Kosovës dhe qytetarët e Kosovës e kanë pritur, tha sot në Prishtinë kryeministri i Kosovës, Agim Çeku. Ai i bëri këto vlerësime pas një takimi me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecker, i cili tha se procesi i statusit ndodhet në një momentum krejt të qartë. Kryeministri Çeku tha se procesi është duke ecur me dinamikën e paraparë. “Tanimë propozimi për statusin e Kosovës është në New York dhe është i tillë çfarë kemi pritur të jetë. Presidenti Ahtisaari ka qenë shumë i qartë, se çfarë propozon për statusin e Kosovës. Mbetet që nga tani, procesi të ecë me dinamikën e paraparë, që më 3 prill, Ahtisaari edhe personalisht t’ua sqarojë anëtarëve të Grupit të Kontaktit përmbajtjen e propozimit të tij, si dhe arsyet që e kanë shtyrë që të propozojë pavarësi për Kosovën”, u shpreh Çeku. Edhe Ruecker tha se është me rëndësi, që procesi i statusit ka hyrë në një rrugë të qartë të definimit të tij. “Ne kemi një momentum të qartë në procesin e statusit, pasi që nga dje mund të themi se sekretari i përgjithshëm tashmë e ka në duart e veta propozimin e Ahtisaarit dhe do t’ia kalojë Këshillit të Sigurimit”, theksoi Ruecker. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka komentuar sot edhe qëndrimin e Rusisë lidhur me propozimin e Ahtisaarit, duke u shprehur optimist se nuk do të ketë bllokim të këtij projekti, të cilin ai e quajti projekt edhe të bashkësisë ndërkombëtare. “Nuk mendoj që e ka kundërshtuar, por Rusia ka rezerva. Gjatë tërë procesit Rusia ka pasur një qëndrim ndryshe nga anëtarët e tjerë të Grupit të Kontaktit, por jemi dëshmitarë se të gjitha vendimet, të gjitha parimet janë marrë me konsensus në fund nga Grupi i Kontaktit. Dhe, unë mendoj se Rusia nuk mund ta kundërshtojë planin dhe besoj se ajo në fund, së paku do të abstenojë”, tha kryeministri Çeku, duke e mbështetur qëndrimin e tij në faktin se propozimi për statusin e Kosovës, nuk është më projekt vetëm i Kosovës, por edhe i Grupit të Kontaktit, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, bashkë me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiun, të hënën më 19 mars, do të jenë në New York për të marrë pjesë në takimin e rregullt, në të cilin do të raportohet për Kosovën, në kuptim të përmbushjes së standardeve, për çka, kryeministri Çeku tha se edhe vlerësimi teknik, por edhe vlerësimi politik i sekretarit të përgjithshëm është pozitiv dhe Kosova ka dëshmuar një progres të vazhdueshëm.
XS
SM
MD
LG