Ndërlidhjet

GJYKATAT NË KOSOVË ME SISTEM PËR MBROJTJEN E DËSHMITARËVE


Albana Isufi

Frika se do t’u rrezikohet jeta apo do të ndjeken për shkak se kanë dëshmuar në ndonjë proces të caktuar gjyqësor në gjykatat e Kosovës, duket se do të jetë e panevojshme për dëshmitarët e mbrojtur. Drejtues të organeve të drejtësisë inkurajojnë dëshmitarët e mbrojtur që të paraqiten para gjykatave, meqë nga sot, në pesë gjykata të qarkut në Kosovë është vendosur sistemi për mbrojtjen e dëshmitarëve. Ky sistem ndryshon zërin dhe pamjen e dëshmitarit, ndërkohë që personi në fjalë nuk është e nevojshme që të jetë i pranishëm në sallë kur të merret në pyetje, pasi këtë gjë ai mund ta bëjë nga ndonjë vendndodhje më e sigurt brenda Kosovës. Kreu i Gjykatës Supreme, Rexhep Haxhimusa, thotë se ky është një nga hapat, që çon në modernizimin dhe pavarësimin e gjyqësorit. “Progresi i gjyqësorit kërkon ngritje të kapaciteteve jo vetëm të gjyqtarëve, por edhe të administrimit dhe infrastrukturës së gjykatave. Së dyti, modernizimi i infrastrukturës së gjyqësorit, do të thotë ngritje e sistemeve të besueshme, që sigurojnë procese të drejta dhe efikase. Dhe, ndërsa këto synime që i kemi i hedhin rrënjë gjyqësorit, ka më shumë mundësi për përparim”, tha Haxhimusa. Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecker, thotë se sistemi i mbrojtjes së dëshmitarëve, që u inaugurua sot, do të mundësojë që identiteti i dëshmitarëve të ndjeshëm, të ruhet në mënyrë efektive. “Mundësia për të mbrojtur dëshmitarët e mbrojtur është gjëja kyçe në funksionimin e sundimit të ligjit. Sistemi i drejtësisë që nuk u ofron mbrojtje dëshmitarëve, nuk e dënon krimin në mënyrë të duhur”, tha Joachim Ruecker. Blerja e pajisjeve të sistemit të mbrojtjes është mundësuar nga donacionet e dhëna nga Qeveria e Britanisë së Madhe dhe ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Si rezultat i këtyre përmirësimeve, gjykatat e Kosovës mbrojnë dëshmitarët e rrezikuar në dy mënyra: së pari, duke siguruar ndryshimin e zërit dhe pamjes për dëshmitarët anonimë, dhe së dyti, duke u mundësuar dëshmitarëve që të dëshmojnë nga vendndodhje të tjera”, tha shefja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, Tina Kaidanow. Ndërkaq, shefi i Zyrës Britanike, David Blunt, thotë se me sistemin e ri për mbrojtjen e dëshmitarëve, do të jetë më efikase lufta kundër krimit të organizuar. ”Mendoj se, përveç mundësisë së dëshmisë në anonimitet, është edhe diçka që e kam shumë për zemër, dhe kjo është lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Këto pajisje u mundësojnë viktimave, që të dëshmojnë në mënyrë të sigurt, të paanshme dhe ato krime të ndjeken në mënyrë më të sigurt”, tha Blunt. Ndër kritikat më të shpeshta që ka marrë sistemi i drejtësisë në Kosovë nga organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ka qenë pikërisht mungesa e sistemit për mbrojtjen e dëshmitarëve. Sipas këtyre organizatave, shumë krime në Kosovë nuk janë zbuluar për shkak të frikës së dëshmitarëve për t’u paraqitur në gjykata.
XS
SM
MD
LG