Ndërlidhjet

logo-print

PARTITË POLITIKE NË KOSOVË NË PROCES TË PROFILIZIMIT


Zijadin Gashi

Në Kosovë nuk ka një profilizim të qartë të partive politike. Kështu është thënë sot në një debat të zhvilluar ndërmjet përfaqësuesve të partive politike, të organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert. Duke prezantuar vetën si lëvizje, partitë politike kosovare kryesisht janë mbështetur në programet e tyre, ndërkohë që nuk është bërë një profilizim lidhur me atë se cilit spektër i takojnë ato, të majtës, qendrës apo të djathtës, u tha në këtë debat. Në një studim të Fondacionit Friedrich Ebert, veçohen sidomos Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si partitë më të fuqishme dhe kryesore politike në Kosovë. Ndërsa nga LDK-ja në debat nuk është prononcuar askush, përfaqësuesi i PDK-së, Sabri Kiçmari, tha se kjo parti dita-ditës po afrohet kah spektri i partive të majta. “Mund t’i konfirmoj sinjalet nga Partia Demokratike e Kosovës e cila praktikisht, jo vetëm përmes kontakteve të saja me grupin e partive social-demokrate në Evropë dhe me Partinë Demokratike të SHBA-ve, por edhe në bisedimet e brendshme në strukturat e partisë, është duke u menduar seriozisht për profilizimin e partisë. Këtë nuk e kuptojmë si një akt, por si një proces i cili do të zgjasë”, tha Kiçmari. Ndërkohë, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se AAK-ja preferon më shumë rreshtimin kah qendra liberale. “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e orientuar, tash për tash, në një qendër liberale dhe ka kontakte edhe me partitë tjera liberale të Evropës, me të cilat kontakton në mënyrë që të bëjë një profilizim të mirëfilltë. Në këtë rast, mund të them se të gjitha partitë politike në Kosovë janë duke bërë një “eksplorer” proces, si thuhet, më shumë në një hulumtim i cili u ofron një qasje të mirëfilltë politike”, theksoi Isufi. Në anën tjetër, analistët vlerësojnë se partitë politike duhet të rreshtohen varësisht interesave të tyre. Analisti Shkëlzen Maliqi thotë se partitë politike më shumë pretendonin se janë lëvizje, kurse tani ai mendon se ato duhet ta gjejnë vetën në spektrin e profilizuar kosovar. “Problemi pse nuk deklarohen a janë të majta a të djathta, është se realiteti i ka fshirë këto dallime. Meqë jemi në fazën kur duhet të ndërtohet një lloj kapitalizmi, dhe atë një kapitalizëm i pamëshirshëm, i egër, atëherë ngurojnë edhe ata që janë majtistë me bindje që t’i mbrojnë këto interesa”, tha Shkëlzen Maliqi. Ndërkaq, analisti Ilir Dugolli vlerëson se mungesa e profilizimit të partive deri më tash, është diçka që nuk befason, duke pasur parasysh zhvillimet e përgjithshme politike në Kosovë. Ai thotë se partitë politike duhet t’i identifikojnë disa çështje kryesore për të cilat angazhohen, dhe në ato qëllime edhe të synojnë t’i sigurojnë mbështetësit dhe votat e tyre. “Është krejt e kuptueshme, që këtu deri më tani, nuk ka pasur arsye që të profilizohen, sepse partitë kryesisht janë mbështetur në udhëheqës të fortë, janë mbështetur në histori të ndryshme në të kaluarën, janë mbështetur edhe në rajone gjeografike edhe në faktorë të tjerë. Kështu që nuk duhet marrë atë si ndonjë tragjedi të madhe, mirëpo tani kur vendimmarrja është gjithnjë e më shumë në duart e tyre, atëherë është reale që të pritet profilizimi i tyre dhe formulimi i politikave me të cilat përpiqen t’i joshin qytetarët”, vlerësoi Dugolli. Në arsyetimet më të shpeshta të përfaqësuesve të partive politike, pse në Kosovë nuk kishte deri më tash një profilizim të skenës politike, ishte se parësore në angazhimet e tyre ka qenë një Kosovë e lirë dhe e pavarur, kurse me zgjidhjen e statusit të Kosovës, disa prej partive politike mendojnë që tani të rreshtohen kah e majta, e djathta apo qendra, varësisht se cilës ideologji do t’i besojnë.
XS
SM
MD
LG