Ndërlidhjet

logo-print

MOORE:"KOSOVA - TEST PËR BASHKIMIN EVROPIAN"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Ish diplomati Riçard Holbruk duke iu referuar Kosovës këto ditë ka thënë se "tash gjendemi para një testi vendimtar për raportet e Rusisë me Perendimin dhe se vetoja ruse mund të përcaktoj nëse në Evropë do të ketë një luftë tjetër". Si e komentoni ju këtë prononcim?

PATRICK MOORE
Këtë vlerësim nuk duhet dramatizuar më shumë se ç'është, sepse ai (Holbruku) nuk është duke folur për një luftë me tanke dhe aeroplanë. Megjithate duhet thënë se nga 10 shkurti dhe nga fjalimi i Putinit në Mynih ne jemi të ballafaqur me ringjallje të luftës së ftohtë. Moska është duke përdorur një fjalor të ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj të ngusht siç janë Polonia dhe Çekia. Holbruku kishte folur për përpjekjet e Rusisë për të bllokuar rezolutën për Kosovën në Kombet e Bashkuara. Pra, nuk bëhet fjalë për luftë në formën klasike, por për një përpjekje të Rusisë për të zhagitur gjërat rreth Kosovës. Mendoj se rezultat i gjithë kësaj do të jetë krijimi i një koalicioni në frontin diplomatik siç kishte ndodhur në vitin 1999, kur Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe vende tjera të NATO-s nuk pritën vendimin e Kombeve të Bashkuara, por reaguan si koalicion i vullnetit.

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia po kërkon vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Disa këtë potencialisht e kanë cilësuar "katastrofë për rajonin, Perendimin dhe Kombet e Bashkuara"....

PATRICK MOORE
Kemi të bëjmë me përpjekjet dhe taktikat për të zhagitur dhe bllokuar gjërat me qëllim të evitimit të ndryshimeve politike. Pala serbe nga fillimi ka vlerësuar se koha punon për ata, se përmes zhagitjes së procesit, ndërkombëtarët do të lodhen dhe do të braktisin Kosovën që pastaj forcat serbe të kthehen në Kosovë. Por, kjo nuk do të realizohet. Është krejt transparente se duhet një zgjidhje për statusin e Kosovës. Dhe nëse Rusia vërtetë do të tentoj të bllokojë zgjidhjen, atëherë do të kemi një koalicion tjetër të forcave ndërkombëtare që do të marrin gjërat në duart e veta, për të mos lejuar shpërthimin në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse Moska shfyrtëzon veton dhe bllokon planin e Ahtisarit, shqiptarët e Kosovës me gjasë do të shpallin pavarësinë në rrugë të unilaterale. Disa analistë thonë se në këtë rast Kosova nuk do të pranohej si shtet i ri nga disa vende evropiane. A mund të shënoi kjo një krizë të madhe evropiane dhe në fakt si do të udhëheqë BE-ja misionin në Kosovë me këto përçarje të brendshme rreth Kosovës?

PATRICK MOORE
Ajo që ne tash shohim është BE-ja 27 anëtarëshe që përballet me kriza të rradhës dhe që sillet vërdallë si i dehuri që kapet për drunjë pasi të ketë dalur nga lokali. Është fakt se BE-ja nuk po arrin të pajtohet për politika të përbashkëta rreth shumë gjërave dhe këtë për faktin se kanë interesa të kundërta nacionale. Gjermanët dhe francezët janë duke bërë përpjekje që këto kriza t'i tejkalojnë përmes presioneve ndaj tjerëve, por kjo nuk funksionon gjithnjë. Druaj se ata mund të ballafaqohen me përçarje edhe më të mëdha.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se statusi i Kosovës është duke u bërë test për raportet ndërmjet Uashingtonit, Brukselit dhe Moskës?

PATRICK MOORE
Nuk kam asnjë dilemë se çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe. Madje nuk kam shumë dilema as rreth veprimeve të Rusisë, sepse ata janë "lojtarë të mirë shahu" dhe nuk brengosen shumë për serbët. Ata vetëm janë duke shfrytëzuar serbët për avantazhe taktike. Rusët për Kosovën do të kërkojë një çmim të lartë dhe në fakt kurrë nuk kanë thënë se do të shfrytëzojnë veton. Marrë në tërësi besoj se me rusët do të arrihet një marrëveshje. Më interesant do të jetë të shihet se ç'do të ndodh me Bashkimin Evropian në periudhë kur Rusia do të bëjë lojën e bllokimit të zgjidhjes për Kosovën. Kjo mund të jetë një test i madh i unitetit të Bashkimit Evropian, ashtu siç ishte çështja e Kushtetutës së përbashkët. Mbetet të shihet nëse në përpjekjet e Rusisë për të bllokuar dhe shantazhuar zgjidhjen për Kosovën, vendet e Bashkimit Evropian do të tregojn forcë, vendosmëri dhe unitet siç synojn të bëjnë Polonia dhe vendet baltike, apo do të tentojnë të bëjnë një ujdi sa më të mirë të mundshme me Rusinë për ta qetësuar ate siç dëshirojnë Gjermania, Italia dhe Franca. Këto janë çështjet që do të dalin në shesh dhe që kanë të bëjnë me fatin e Bashkimit Evropian.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG